Abazi arsyeton emërimin e partiakëve në borde: Ekspertët po hezitojnë - Gazeta Express

Abazi arsyeton emërimin e partiakëve në borde: Ekspertët po hezitojnë

Lajme

Gazeta Express

03/04/2020 21:45

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Haki Abazi, ka folur rreth vendimeve të Qeverisë Kurti për emërimin e anëtarëve të përkohshëm të bordeve në ndërmarrjet publike.

Abazi ka thënë se nga 27 të emëruarit në borde, vetëm 4 prej tyre kanë lidhje me Vetëvendosjen.

“Asnjëri nga këta nuk mban pozita të larta në Vetëvendosje. E rëndësishme është se të katërtit janë ekspertë të fushave”, tha ai në Rtv Dukagjini.

Zëvendëskryeministri në detyrë thotë se personat në fjalë mund të akuzohen vetëm nëse del që ata lejojnë rrjedhje të parave, siç ka ndodhur me ata që ishin para tyre.

Abazi thotë se është e kuptueshme që pasi është qeveria në detyrë, shumë ekspertë po hezitojnë të marrin përgjegjësi.

“Sikur të ishte qeveri me mandat të plotë, sigurisht që shumë më tepër ekspertë të interesuar për t’u bërë pjesë e një procesi që nuk është aspak i lehtë”.

Zëvendëskryeministri në detyrë thotë se ndërmarrje publike si Trepça është keqpërdorur për t’u pasuruar shumë njerëz, përcjell Telegrafi.

“Sipas punëtorëve aty është duke u bërë një vjedhje e madhe…Aty nxirret edhe argjend dhe ar”, tha ndër të tjera Haki Abazi.