Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një Deklarate Politike, kanë kundërshtuar atë që ata quajnë ‘‘degradimin e institucioneve të Kosovës nga ana Lëvizjes Vetëvendosje’’, shkruan Gazeta Express.
Nga AAK është thënë se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë të bllokuara.
‘‘Deklaratë Politike e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së për Situatën në Kosovë
Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shpreh kundërshtimin e thellë për degradimin e institucioneve të Kosovës nga ana Lëvizjes Vetëvendosje.
Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë praktikisht të bllokuara dhe janë shndërruar në instrumente propagandistike të një partie të vetme. Institucionet nuk janë pronë partiake ato janë të qytetarëve dhe duhet të janë në shërbim të qytetarëve dhe demokracisë’’, është deklaruar nga AAK.
Tutje, nga kjo parti, është thënë edhe se VV-ja e ka dështuar me qëllim funksionimin e institucioneve, dhe se, kjo parti është duke e shndërruar Kosovën në shtet të kapur.
‘‘Vetëvendosje me qëllim ka dështuar funksionimin e institucioneve demokratike dhe po e shndërron Kosovën në një shtet të kapur nga vullneti i një njeriu dhe i një partie. Kjo qeveri ka rrënuar parimet e dialogut dhe të konsensusit kombëtar, duke i zëvendësuar ato me arrogancën, inatin politik dhe bllokimin e çdo zëri opozitar dhe me kërcnim ndaj mediave dhe zërit të gazetarëve. Qeveria aktuale në dorëheqje nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve, dhe po e përdor pushtetin për interesa të ngushta partiake duke keqpërdorur edhe buxhetin e shtetit. Kuvendi, si institucioni më i lartë përfaqësues i popullit, është lënë në mëshirën e kalkulimeve politike të Vetëvendosjes, ndërsa nuk Ka llogaridhënie dhe përgjegjshmëri insitucionale’’, thuhet tutje në komunikatën e AAK.
Po ashtu, nga AAK-ja është komentuar edhe kërkesa e VV-së për të mbajtur zgjedhjet lokale dhe ato nacionale të njëjtën kohë, duke thënë se kjo kërkesë e tyre e shfaq qartë qëllimin e tyre për të uzurpuar të gjithë pushtetin institucional në vend.
‘‘Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qendrim se ky mosfunksionim i institucioneve është kërcënim serioz për demokracinë dhe për të ardhmen e vendit. Ne do të vazhdojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe do të luftojmë pa kompromis për të rikthyer integritetin insitucional dhe funksionalitetin e institucioneve tona bazuar në ligj dhe kushtetutën e vendit.
Bllokimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, i shkaktuar nga qasja konfrontuese dhe izoluese e Qeverisë aktuale, po dëmton rëndë pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe mundësitë për avancim në proceset e integrimit euroatlantik.
Kërkesa e Vetëvendosjes për shkuarje në zgjedhje komunale dhe nacionale në të njëjtën kohë shfaq qartë qëllimin e tyre për të uzurpuar të gjithë pushtetin institucional në vend dhe për të shmangur llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe për shembjen e vullnetit demokratik të votuesve’’, shtohet më tej.
Në fund, AAK i ka bërë thirrje të gjitha partive opozitare, shoqërisë civile dhe qytetarëve që të bashkohemi ‘‘për të ndalur këtë degradim dhe për të mbrojtur demokracinë tonë të brishtë’’.
‘‘U bëjmë thirrje të gjitha partive opozitare, shoqërisë civile dhe qytetarëve që të bashkohemi për të ndalur këtë degradim dhe për të mbrojtur demokracinë tonë të brishtë. Është koha të flasim me zë të lartë dhe të vendosur, Kosova meriton institucione që punojnë për qytetarët, jo për një parti të vetme e cila për pesë vite ka sabotuar rendin kushtetues, ka deformuar praktikat demokratike dhe ka krijuar imazh të një partneri të paqëndrueshëm kundrejt shteteve partnere në BE dhe SHBA’’, përfundohet nga AAK. /GazetaExpress
aaaaa