Fjala “jo” për shumicën e njerëzve është e lehtë për t’u pranuar, por për personat me ADHD mund të shkaktojë ankth të fortë, paralizë emocionale apo edhe dhimbje fizike.
Ky fenomen njihet si “ndjeshmëri ndaj refuzimit” (RSD). Edhe pse nuk është një diagnozë zyrtare, ai përjetohet shpesh nga persona me ADHD dhe çrregullime të spektrit të autizmit.
RSD shfaqet si një frikë ekstreme nga refuzimi dhe mund të ndikojë seriozisht në jetën e përditshme: njerëzit mund të shmangin mundësi të reja, të prishin marrëdhënie për keqkuptime të vogla, apo edhe të qëndrojnë gjatë në lidhje të dëmshme nga frika e braktisjes.
Alex Partridge, autor i librit “Why Does Everybody Hate Me?”, e njeh mirë këtë përvojë. Pavarësisht suksesit të tij si themelues i platformave të mëdha si UNILAD dhe LADbible, ai ka rrëfyer se RSD ka ndikuar thellë në jetën e tij.
Ai tregon se për vite me radhë nuk e kuptonte gjendjen dhe përjetonte reagime të forta emocionale, deri në sjellje vetëshkatërruese. Sipas tij, shumë persona me ADHD diagnostikohen vonë dhe rriten duke marrë mijëra komente negative, që krijojnë një ndjeshmëri të lartë ndaj kritikës.
Kjo ndjeshmëri mund të shfaqet në mënyra të ndryshme:
reagime të tepruara ndaj kritikave të vogla
frikë nga dështimi apo refuzimi
nevojë e vazhdueshme për të kënaqur të tjerët
shmangie e situatave të reja apo sfiduese
Edhe situata të zakonshme, si një mesazh i shkurtër apo një ndryshim në tonin e zërit, mund të shkaktojnë ankth të fortë ose reagime impulsive.
Fenomeni është përmendur edhe nga figura publike si Paris Hilton, e cila e ka përshkruar si një “zë negativ në mendje” që ndikon në vetëvlerësim.
Sipas ekspertëve, RSD mund të pengojë njerëzit të arrijnë potencialin e tyre, pasi ata shmangin rreziqet nga frika e refuzimit. Kjo mund të ndikojë në karrierë, marrëdhënie dhe mirëqenie emocionale.
Megjithatë, ka mënyra për ta menaxhuar:
të kuptoni se reagimi nuk lidhet gjithmonë me situatën aktuale
të komunikoni hapur me të tjerët për ndjeshmëritë tuaja
të vendosni kufij të qartë
të tregoni më shumë mirëkuptim ndaj vetes
Siç thekson Partridge, është e rëndësishme të kujtoni se këto reagime shpesh burojnë nga përvoja të mëparshme dhe jo nga realiteti i momentit. Vetëdija dhe pranimi i tyre është hapi i parë për të mos lejuar që kjo ndjeshmëri të sabotojë jetën tuaj. /GazetaExpress/