A shitet fjala e Zotit / Vështrim mbi leximin skenik ‘God Bless America’ - Gazeta Express
string(68) "a-shitet-fjala-e-zotit-veshtrim-mbi-leximin-skenik-god-bless-america"

A shitet fjala e Zotit / Vështrim mbi leximin skenik ‘God Bless America’

Arte

Donjeta Abazi

08/02/2023 17:32

Mbrëmë u lexua drama ‘God Bless America’ me autor Fatos Berishën, e me aktorët pjesëmarrës: Armend Smajli, Armond Morina, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, Tristan Halilaj dhe Yllka Lota.

Nga Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

‘God Bless America’ është një parabolë dramatike, që flet për katër shitës të Biblës që udhëtojnë derë më derë duke lëvizur nëpër ëndrrën kapitaliste, duke takuar njerëzit e margjinave të shoqërisë moderne bashkëkohore, të cilëve tentojnë t’u shesin Biblën përmes ‘ëndrrës Amerikane’.

‘God Bless America’ është një dramë mbi njeriun e vogël në xhunglën e mbijetesës në shoqërinë konsumeriste bashkëkohore.

Reflektim mbi tekstin e dramës

E vendosur ne një periudhë kohore të largët, në një hapësirë të largët, teksti i dramës ‘God Bless America’ trajton temën e pazareve që në thelb kanë shitjen e Biblës. Në qendër është e vendosur ideja e përfitimit individual përmes shitjes se librit të shenjtë të të krishterëve. Nja 4 personazhe (që në draftin e parë të autorit janë personazhe kafshë) kalkulojnë mënyrat e pazarit secili veçmas ama me një qëllim të përbashkët, fitimin monetar përmes shitjeve që i bëjnë. Sa më shumë shitje aq më shumë fitim, një lloj tipi i promotorëve të fshesave elektrike që i shohim sot ama kësaj here me fjalët e zotit, me shitjen e fjalëve të biblës, librit më të shitur në Botë.

Kërkimi i individual në emër të krishterimit, shkëput qëllimin e idesë bazë të mitit mbi Biblën dhe shndërrohet në kërkim për fitim, rrallë gjatë leximit na krijohet ideja se ndonjëri nga shitësit ndjen vërtetë ‘detyrën’ që i është dhen (lepuri krijon në një moment këtë ndjesi).

Shitësit janë me prejardhje të ndryshme, nuk kanë bazë homogjene si grupim, homogjen është vetëm qëllimi. Kërkesat deri në bajatizëm për t’i shitur derë me derë Biblat e tyre me qellim fitimin e parave, arsyetojnë në një farë mënyre këtë dyzim klishe mbi pothuajse gjithçka e gjithkënd. Qëllimi arsyeton mjetin.

Pak më larg në paralele mes ndjeshmërisë dhe detyrës, ekziston një hiç, do të thotë nuk ka asnjë pikë lidhëse mes këtyre dyjave, paralelet nuk bëhen meridian as në pikën e fundit në të cilën pritshmeritë e publikut rriten paksa.

Shitësit kanë një detyrë, një mision që u është dhënë, si të tillë pyetje nuk kanë, detyra është e qartë. Të kontestueshme mbeten vetëm qëllimet të cilat nganjëherë shndërrohen në mision të pamundur, një shembull është ai i blerjes së shtëpisë me parat e fituara me shitjen e Biblës.

Autori guxon të kalojë nga një ‘pazar’ katolik në një ‘pazar’ mysliman, ama që nuk e vazhdon shumë, nuk e shoshit fort. E zorshme për shitësit është derisa i kanë mësuar citatet e Biblës e lëre më ta mësojnë edhe një herë tash citatet e Kuranit.

Narrativa e ngritur për 4 shitës që në një pikë mund të quhen të pashpirte vazhdon e vazhdon, do të thotë intensiteti rritet nga fillimi në fund të mënyrë të ndjeshme. Ka një lloj revolte të llojit të vetë pastaj në këtë tekst, qoftë kjo revolta e atyre që nuk besojnë hiç në zot, e atyre që shajnë, përdorin terma racist, fjalor që fyen tjetrin e plotë të tjera. Autori guxon t’i përdorë këto në dorën e parë e t’i nënkuptojë publiku si revoltë në dorën e dytë. Përdorimi i termave të caktuar ka qëllimin e satirës përmes tyre ama jo përkrahjen në asnjë moment. Qëllimshëm ndodh diçka e tillë, që shfaqja të ketë një tronditje në mes, jemi mësuar të shohim e të marrim mesazhe ndërgjegjësuese në shfaqje, tekste, drama etj. Në fakt nuk ka fyerje në këtë rast, ka veç shpalosje të së vërtetës (fjalori ka veç një defekt sepse të tillat janë puro shqiptare ama që personazhet në dramë nuk janë).

Korrekt shitja e fjalës së Zotit është për lepurin, arushën, demin e dhelprën sepse ata do të plotësojnë dëshirat e familjeve të tyre me përfitimin e shitjes. Kaq e thjeshtë është në dramë, nuk është që detajizohet morali në atë kuptim që ata të katërt të ndihen mëkatar. Edhe po të ndiheshin të tillë ‘Qielli ndriçon më shumë për një mëkatar të penduar se sa për 100 të tjerë që nuk kanë mëkatuar asnjëherë’, do ta arsyetonin edhe këtë po të ndiheshin ashtu.

Teksti shpalos një ngjarje interesante, në një mënyrë të veçantë dhe me personazhe interesante.

Intro e shfaqjes, një hyrje më e kuptueshme në ngjarje, përdorimi i termave e i gjuhës, futja ose heqja e aktorëve, ose të tjera mangësi që mund t’i këtë drama kanë vend për përmirësim sepse siç e tha vetë autori është drafti i parë i dramës.

Ky tekst u shkrua gjatë periudhës së pandemisë dhe është teksti i parë i Fatos Berishës për një dramë. Gjasat sipas autorit janë që shfaqja të realizohet në Tiranë ose edhe jashtë Kosovës.

Në lexim skenik, pos katër shitësve, Armend Smajlit, Afrim Muçajt, Shpëtim Selmanit dhe Tristan Halilajt, të pranishëm ishin edhe Armond Morina në rolin e lexuesit të disa personazheve, por që nuk ishin aktiv gjatë gjithë kohës dhe Yllka Lota që po ashtu kishte më pak tekst. Fatos Berisha ishte shumicën e kohës në rolin e rrëfyesit të dramës.

/Gazeta Express