A po rrëshqet shoqëria jonë në shoqëri religjioze - Gazeta Express
string(49) "a-po-rreshqet-shoqeria-jone-ne-shoqeri-religjioze"

A po rrëshqet shoqëria jonë në shoqëri religjioze

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

05/04/2022 15:02

Shqetësues mbetet fakti se religjioni ka kaluar, apo ka tendencë kalimi prej besimit individual në identitet kolektiv

Fisnik Dragusha 

Kosova në kushtetutë definohet si shtet sekular. Ky definim siç po shihet, po ngelë vetëm nominalisht.  Simptomat e kësaj dukurie janë të dukshme, madje jo vetëm për studiues të shkencave shoqërore, por edhe për laikët e këtij fenomeni. Nuk është qëllimi të ofrohet zgjidhje, mirëpo po ngreh një shqetësim për ndryshimin e fizionomisë të shoqërisë.

Janë mjaftueshëm indikative rastet që kanë ngjarë brenda një harku kohor një-mujor e që për nga volumi ofrojnë mjaftueshëm material për shqyrtim. Si pikë e parë, mungesa e vullnetit politik, brenda gjithë spektrit “të majtë – e të djathtë” (edhe këta nominalisht të ndarë ideologjikisht), emancipues e konservator, pa përjashtim, gra dhe burra, refuzuan madje edhe debatin për lejimin e bashkëjetesës brenda gjinisë. E gjithë kjo ishte në sinkron me bashkësitë fetare pavarësisht që pati pak reagime, ose deri diku heshtje  e në disa raste veç reagime të kundërta, gjë që s’do të duhej të ishte kështu. Shkarja ishte e madhe, madje në të tilla tema që brenda tyre kanë emocionin, e ku përfitimi është i madh për përkrahësit dhe dëmi mund të jetë i madh për kundërshtarët, të gjithë segmentet  dhe faktorët relevant pothuajse zgjodhën heshtjen. Mosmbajtja e anës dëmton viktimën dhe inkurajon dhunuesin, thotë Wiesel.

Politika dhe Religjioni ndërtojnë një raport si 6-ta me 9-tën, do me thënë jo vetëm se ka flirt, mirëpo raport të intensifikuar.

Tash, derisa po shkruaj, besimtarët mysliman agjërojnë Muajin e Ramazanit. Megjithëse ky muaj fetar ka kontekst kulturor dhe tradite tek ne, ajo çfarë bie në sy është se edhe bizneset kanë filluar që t’i subordinohen kërkesës së klienteles duke ndërruar orarin e punës. Ka mjaft raste ku në reklamimet e tyre njoftojnë se punojnë prej kohës së iftarit deri në syfyr, dhe tërë dita është pushim. Kjo në esencë ka karakter përjashtues për pjesën tjetër çfarëdo qofshin, jo praktikues të fesë, ateistë, etj. Në këtë kontekst edhe kërkesa e klientëve tjerë i është përshtatur mënyrës religjoze të rregullimit në ekonomi dhe në shërbime. 

Veçohet edhe një prani e madhe e klerit fetar në media, e interesi i mediave është shikueshmëria, ndërkaq e klerit fetar është te ushtrimi i ndikimit. 

E fundit, dhe mjaft shqetësuese është rasti i shkollës në Gjakovë. Gjithë reagimi është për një urdhëresë administrative që ndalon mbajtjen e shamisë në shkollë, si mekanizëm rregullues e që ka mbështetje kushtetuese në ruajtjen e laicitetit të shkollës dhe shoqërisë. Drejtorja e shkollës duke e zbatuar me përpikmëri një rregull, në moralin aktual publik ajo është satani. Çuditërisht e njëjta, duke zbatuar rregulla, ka ngelur e pambrojtur edhe nga institucionet më të larta që do të duhej sot t’i dilnin në mbrojtje drejtores dhe aq më shumë të dënonin fenomenin – kryqëzimin e njerëzve që zbatojnë ligjin, nga të tjerë që bëjnë moralin. Tek këta të fundit hyjnë dhe deputetë, madje të tillë që kryesojnë komisione për të drejtat e njeriut, e me raste të caktuara, janë më të zëshmit kundër të drejtave te njeriut.

Shqetësues mbetet fakti se religjioni ka kaluar apo ka tendencë kalimi prej besimit individual, në identitet kolektiv.

Nuk do të pikas një fajtor, sepse nuk është faj individual, është përgjegjësi kolektive e veçmas e grupeve. Çfarë po shpie drejt religjionit mund të jetë faji i getoizmit, mungesës së perspektivës, investimeve të ndryshme në religjion- si koncept ekonomik qe pret rikthimin e investimit. por kjo mbetet përsëri në nivel debati televiziv me të ftuar që në të shumtën e rasteve janë të njëjtit të cilët “formësojnë koordinatat e mendimit” që merren me të gjitha temat dhe natyrisht që nuk kanë se si i njohin fenomenet në thellësi, duke deshifruar statuse mediash sociale e duke u bërë subjekt statusesh mediash sociale.

Simon Critchley – filozof anglez do të thoshte “Të ndalojmë për një moment së jetuari dhe të fillojmë të shqetësohemi.”