Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka zhvilluar një takim me drejtorët rajonal dhe komandantët e stacioneve policore. Në njoftim bëhet e ditur se qëllimi i takimit ndër tjerash ka qenë që të diskutohen edhe çështjet që ndërlidhen me performancën në punë, integritetin, disiplinën dhe rritjen e mëtejmë të profesionalizmit policor, shkruan Gazeta Express.
Në njoftim shtohet se Hoxha, kërkoi nga drejtorët rajonal, komandantët e stacioneve, por edhe nga të pranishmit të zbatohen me profesionalizëm dhe integritet të gjitha procedurat e parapara ligjore, udhëzimet dhe rregulloret policore, si dhe synimet, detyrat dhe objektivat strategjike policore.
”Drejtori i përgjithshëm i PK-së, nga drejtorët rajonal, komandantët e stacioneve, por edhe nga të pranishmit kërkoi që të zbatohen në përpikëri, me profesionalizëm dhe integritet të gjitha procedurat e parapara ligjore, udhëzimet dhe rregulloret policore, si dhe synimet, detyrat dhe objektivat strategjike policore me theks të veçantë: -Rritjen e bashkëpunimit dhe qasjes më proaktive me komunitetin, -Rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit të mirëfilltë me qytetarët, -Rritjen e performancës, integritetit, mbikëqyrjes më efikase dhe disiplinës në punë nga eprorët, -Parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprimtarive kriminale dhe luftën kundër korrupsionit, -Uljen e shkallës së krimit të të gjitha formave, -Ngritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve, -Ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim dhe ruajtjen e rendit kushtetues”, thuhet mes tjerash në postim.
Ndryshe ky takim është zhvilluar disa ditë pas rastit të vdekjes së të riut në Lipjan, Alban Zejnullahut, rast për të cilin janë arrestuar pesë policë.
Pos këtij rasti, policia e vendit ka qenë adresë e ankesave të shumta kohëve të fundit për raste të ndryshme. Një nga këto raste ka qenë ai në Klinë, ku tre policë i kanë shkelur autorizimet e tyre duke ushtruar dhunë ndaj një qytetari atje. Në këtë rast, njëri nga policët, e ka goditur pa ndalur në trup dhe fytyrë qytetarin, i cili nuk kishte rezistur për t’u prangosur.
Rreth këtyre ankesave kanë reaguar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët në disa raste kanë ka rekomanduar suspendimin e policëve, dhe nga ku është thënë se është rritur numri i ankesave ndaj policisë. /GazetaExpress