A po fshihej  krejt kohën në Kosovë -Artan Grubi u arrestua sot në Bllacë, për çka kërkohet në Maqedoninë e Veriut? - Gazeta Express
string(111) "a-po-fshihej-krejt-kohen-ne-kosove-artan-grubi-u-arrestua-sot-ne-bllace-per-cka-kerkohet-ne-maqedonine-e-veriut"

Lajme

Gazeta Express

23/02/2026 8:39

A po fshihej  krejt kohën në Kosovë -Artan Grubi u arrestua sot në Bllacë, për çka kërkohet në Maqedoninë e Veriut?

Lajme

Gazeta Express

23/02/2026 8:39

Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u arrestua sot në pikën kufitare Bllacë, ndërsa ndaj tij ishte aktive masa “Arresto”. Arrestimi vjen në një kohë kur Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar paraburgim për të, sapo të lokalizohej dhe ndalohej.

Prokuroria ka njoftuar se Grubi dyshohet për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, në kuadër të hetimeve që lidhen me Lotarinë Shtetërore. Sipas autoriteteve, masa e paraburgimit duhet të zbatohet “menjëherë pas lokalizimit dhe arrestimit” të tij.

Më 16 dhjetor, policia e Maqedonisë së Veriut bastisi shtëpitë e Grubit dhe të ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami. Gjatë bastisjeve në disa lokacione janë siguruar prova që, sipas hetuesve, ngjallin dyshime se gjatë vitit 2023 dy zyrtarët, si persona përgjegjës në Shoqatën Aksionare “Lotaria Shtetërore”, kanë shkaktuar dëme mbi 8 milionë euro në buxhet, përmes përvetësimit të paligjshëm të pasurisë.

Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, përvetësimi i pasurisë nga një zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në mesin e të dyshuarve për këtë rast përmendet edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë shtetërorë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Publike në Shkup dhe se bëhet fjalë për ish-funksionarë të lartë, përfshirë një ish-kryeministër, një ish-zëvendëskryeministër dhe ish-drejtues institucionesh.

Grubi dhe Bajrami nuk ishin gjetur gjatë bastisjeve, ndërsa Toshkovski i bëri thirrje Grubit të kthehej në vend për t’u përballur me drejtësinë.

Nga ana e tij, Grubi kishte deklaruar më herët se nuk ishte arratisur, por ndodhej jashtë vendit për një vizitë private. Ai theksoi se kishte udhëtuar me dokumente të rregullta dhe se do të kthehej pas përfundimit të obligimeve.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Grubi, së bashku me një biznesmen, ishte larguar drejt Kosovës me një veturë me targa diplomatike.

Ndërkohë, më 11 dhjetor, Prokuroria e Shkupit kishte nisur hetim edhe ndaj Grubit dhe gjyqtarit të Apelit, Enver Bexheti, për të verifikuar nëse kanë përgjegjësi penale lidhur me pretendimet e Departamentit amerikan të Shtetit për përfshirje në korrupsion të lartë dhe ndërhyrje në procese gjyqësore që lidhen me rastin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov.

Grubi i ka mohuar të gjitha akuzat për korrupsion. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement