A po fillon numërimi mbrapsht për Perëndimin - Gazeta Express
string(44) "a-po-fillon-numerimi-mbrapsht-per-perendimin"

A po fillon numërimi mbrapsht për Perëndimin

Gazeta Express

28/02/2020 11:15

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, askush nuk mund të thotë se nuk e parashikoi dot mundësinë që Donald Trump të fitojë një mandat të dytë – një ngjarje që do të përbënte një kërcënim ekzistencial për vetë idenë e “Perëndimit”. Atëherë, pse liderët europianë rrinë dhe merren me debate për subvencionet në bujqësi?

Autor: Joschka Fischer

Viti sapo ka nisur, por rëndësia e tij historike tashmë është e qartë. Të paktën përsa i përket Perëndimit, ngjarjet e parashikueshme në muajt e ardhshëm do të kenë një ndikim të madh dhe vendimtar për të ardhmen. Momenti i së vërtetës do të vijë më 3 nëntor 2020, kur votuesit në Shtetet e Bashkuara të zgjedhin presidentin e ardhshëm të vendit.

Lexo Edhe:

Për të qenë të sigurt, zgjedhjet presidenciale të SHBA-së kanë qenë gjithmonë të rëndësishme në botë, sepse ato përcaktojnë se kush do të udhëheq vendin më të fuqishëm të botës për katër vitet e ardhshme. Por këtë herë pasojat janë më të larta. Rizgjedhja e presidentit Donald Trump mund të shënojë fundin e rendit botëror liberal dhe sistemit të aleancave që Amerika ka nxitur që nga vitet ’40.

Duke u shkëputur nga tradita e lidershipit global e Amerikës, Trump favorizon një nacionalizëm mendjengushtë dhe ka treguar pak kufizim në dëmtimin e vetë demokracisë amerikane, jo më pak duke sfiduar ndarjen e pushteteve dhe institucioneve të tjera thelbësore. Nëse Trump do të fitojë në nëntor, ai do të ketë një mandat që të bëjë kërdinë edhe katër vite të tjera. Rezultati do të përshtatet me përshkrimin që ai ofroi në fjalimin e tij të parë inaugurues: Masakër amerikane.

Mos bëni gabim: ka një ndryshim të madh nëse Trump është në detyrë për tetë vjet dhe jo vetëm katër. Përveç amerikanëve, europianët do të ishin të parët që do të ndienin pasojat e një mandati të dytë të Trump-it. Fakti është që Europa mbetet pothuajse ekzistencialisht e varur nga SHBA-ja, si ekonomikisht ashtu edhe përsa i përket sigurisë së saj. Kjo varësi është një trashëgimi e shekullit të XX, me dy luftërat e saj botërore dhe Luftën e gjatë të Ftohtë. Realitete të tilla historike nuk mund të ndryshohen lehtësisht ose shpejt. Tashmë, Trump e ka detyruar Europën të ndjek sovranitetin e vet, por arritja e këtij qëllimi nuk do të vijë lehtë dhe do të kushtojë.

Kur Trump u zgjodh në vitin 2016, pothuajse të gjithë brenda dhe jashtë SHBA-së u zunë në befasi. Në vitin 2020, askush nuk do të bëjë përsëri të njëjtin gabim. Por as nuk mund të pretendohet se nuk dihet se çfarë sjellë Trump. Ai mund të mos e dijë të vërtetën, por i ka qëndruar besnik premtimeve që bëri në fushatën e tij.

Thënë kjo, do të ishte gabim të priten katër vite të njëjta. Nëse Trump rizgjidhet, ai ka shumë të ngjarë të sillet në mënyrë akoma më radikale dhe pa kufizime. Ai do të jetë plotësisht i bindur se ai është “i zgjedhuri”, i cili i rezistoi me sukses sulmeve nga opozita, establishmenti i vjetër, media dhe “shteti i thellë”. Kush do të mbetej për ta ndalur ose për ta ndëshkuar atë?

Pavarësisht të gjitha pasojave katastrofike të kësaj, ideja e një “mandati të dytë për Donald Trump” nuk e ka tronditur Bashkimin Europian . Zyrtarët e BE-së aktualisht janë duke negociuar kushtet e buxhetit të ardhshëm shtatë vjeçar prej 1 trilionë eurosh (1.1 trilionë dollarë). Një pjesë e kësaj përfshin një betejë të re mbi ndarjen e fondeve rajonale dhe të politikës bujqësore të përbashkët (CAP) pas Brexit. Presidenca e Trump ka qenë një faktor i papërfillshëm në proces. Dhe edhe pse një strategji për të arritur sovranitet europian domosdoshmërish do të kërkonte angazhime të reja financiare, kjo çështje nuk është përmendur pothuajse fare.

Në vend të kësaj, brenda Këshillit Europian, kanë mbizotëruar interesat kombëtare afatshkurtra. Duket sikur bota nuk ka ndryshuar rrënjësisht gjatë tre viteve të fundit. Dikush mund të mendojë se përparësitë e liderëve europianë do të përshtateshin me presidencën e Trump, shfaqjen e Kinës si një fuqi globale, bastin e Rusisë për forcën ushtarake dhe riarmatimin dhe rritjen e ekonomisë dixhitale. Por jo. Në axhendën në Bruksel dhe në kryeqytetet kombëtare të Europës (të cilat gjithmonë kanë luajtur një rol themelor në qeverisjen e BE-së) mbizotërojnë interesat vetjake. Mendimi strategjik dhe një ndjenjë e përgjegjësisë historike janë, në rastin më të mirë, mendime të dyta.

Kjo gjendje e mbizotëron pavarësisht nga fakti se nuk ka çështje më të rëndësishme për Europën sesa zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. Europianët duhet të përgatiten për më të keqen. Pyetja kryesore, si për Europën ashtu edhe për Perëndimin më gjerësisht, është nëse NATO-ja do të mund t’i mbijetonte një mandati të dytë nga ana e Trump-it. Nëse NATO-ja do të shpërbëhej, Europa dhe rajoni i Atlantikut të Veriut papritmas do të përballeshin me një krizë të madhe sigurie. Në fakt, pa lidhjen transatlantike që ofron Aleanca, zor se do të mund të flitej fare për “Perëndimin”. Dhe Europa sigurisht që nuk do të ishte në gjendje të menaxhojë sigurinë e saj.

Në Bruksel, por veçanërisht në Këshillin Europian, axhenda duhet të pasqyrojë faktin se baza strategjike për shekullin XXI po vendoset tani, në këtë moment. Ka shumë më tepër gjëra në rrezik sesa rezultati i zgjedhjeve të ardhshme kombëtare në cilindo vend europian.

Kjo nuk do t’ia ulë rëndësinë fondeve rajonale dhe CAP-it. Por, me gjithë respektin e duhur ndaj kontribuesve dhe vendeve marrëse më të varfra që varen nga disbursimet e BE-së, thjesht ka çështje më të mëdha që duhet të adresohen. Siguria dhe sovraniteti i Europës tani janë në rrezik. BE-ja duhet të pyesë veten nëse është e gatshme të bëjë atë që është e nevojshme për të mbetur një lojtar i pavarur, e bashkuar në interesin e përbashkët të të gjithë europianëve. Në të kundërt, qëndrueshmëria e Europës si një entitet demokratik dhe sovran që kontrollon vetë fatin e saj do të vihet në dyshim si kurrë më parë.

/ Project Syndicate