A obligohet Kosova me zbatimin e “marrëveshjes” së Uashingtonit - Gazeta Express
string(61) "a-obligohet-kosova-me-zbatimin-e-marreveshjes-se-uashingtonit"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/03/2021 14:29

A obligohet Kosova me zbatimin e “marrëveshjes” së Uashingtonit

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/03/2021 14:29

Analizë juridike e dokumentit të 4 shtatorit- konteksti ndërkombëtar dhe ai i brendshëm- Pjesa e parë

Arton Musliu

Hyrje

Më 15 shtator të vitit të kaluar, vetëm njëmbëdhjetë ditë pas dokumentit të Shtëpisë së Bardhë, të nënshkruar ndaras nga kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq, është nënshkruar ”Marrëveshja e Paqes, Marrëdhëniet Diplomatike dhe Normalizimi i Plotë Ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shtetit të Izraelit”. Kjo marrëveshje e cila në pikën 9 dhe 10, përmban provizionet adekuate të parapara për një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht obligative, ashtu siç e parasheh edhe Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, është nënshkruar nga të dy palët dhe përmban emrat zyrtarë të palëve/shteteve.

Krejt diçka tjetër, në kuptimin dhe pikëvështrimin e të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, është nënshkruar nga kryeministri Hoti dhe Presidenti Vuçiq më 4 shtator. Diçka që në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka qenë konvencionale por që dinamika e relacioneve ndërshtetërore ka imponuar sjellje kreative me ç’rast shtetet marrin/krijojnë/shkaktojnë të drejta dhe veçanërisht obligime në raport vetveten, me një shtet tjetër, një organizatë apo subjekt juridik ndërkombëtar.

Kryeministri Hoti ka nënshkruar ndaras dhe në mënyrë të njëanshme, ndonëse pikat e dokumentit flasin për dy palë, një dokument i cili është emërtuar si ”Normalizim Ekonomik”, ndonëse flitet edhe për çështje jo ekonomike, dhe Presidenti Vuçiq, gjithashtu, ndaras ka nënshkruar një dokument të ngjashëm, por, jo të njëjtë.

Në ueb faqen e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, tashmë gjendet dokumenti i nënshkruar në Uashington më 4 shtator, i protokolluar dhe gjithashtu i përkthyer në gjuhen shqipe dhe serbe. Ky dokument është emërtuar si ”Marrëveshja për normalizimin e raporteve ekonomike në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”. Ndërkohë që emërtimi real i këtij dokumenti është ”Normalizimi ekonomik”.

Çka ka nënshkruar kryeministri Hoti? Marrëveshje bilaterale ndërkombëtare, zotime politike apo akt/deklaratë të njëanshme?

Ajo çfarë mund të thuhet përkitazi me cilësimin juridik të këtij dokumenti është fakti se ky dokument nuk paraqet marrëveshje në kuptimin e të drejtës ndërkombëtare tradicionale. Sepse, si mund të ketë marrëveshje me vetëm një nënshkrim në të!? Pa nënshkrim të dy palëve, pa shkëmbim të instrumenteve siç kërkon Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, pa cilësimin juridik të palës/palëve si subjekte të veçanta ndërkombëtare, me shumë pika jo strikte siç e kërkon doktrina juridike ndërkombëtare, përkitazi me të drejtën e traktateve dhe pa ndonjë afat (me një përjashtim tek pika ku flitet për moratoriumin) implementimi. Por, çka është nëse nuk është marrëveshje ndërkombëtare?

Interpretimi konvencional, përkitazi me marrëveshjet në të drejtën ndërkombëtare, është shumë i thjesht. Aq më tepër që një gjë e tillë rregullohet përmes Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve. Sipas kësaj të fundit, në mënyrë që të jetë ligjërisht e obligueshme, përveç tjerash, një marrëveshje duhet të jetë e nënshkruar nga të dyja palët dhe njëkohësisht duhet të bëhet shkëmbimi i instrumenteve (letrave), gjë e cila në rastin e 4 shtatorit nuk ka ngjarë.

Ajo çfarë kemi parë është nënshkrimi i dy letrave/dokumenteve të ngjashme, por jo të njëjta, nga pala kosovare dhe ajo serbe dhe një deklaratë e nënshkruar nga Presidenti Trump drejtuar kryeministrit Hoti. Përveç kësaj, gjithnjë sipas të drejtës ndërkombëtare, marrëveshjet janë valide dhe ligjërisht të obligueshme, vetëm nëse ndodhin ndërmjet dy palëve/subjekteve/entiteteve. Për më tepër që marrëveshjet ndërkombëtare shquhen për nga qëllimi i palëve për të krijuar të drejta dhe obligime ndërmjet tyre. Gjithashtu, në këtë dokument, nuk gjenden emrat kushtetues të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Dokumenti i nënshkruar në Uashington, në disa pika, ka premisa të zotimeve (commitments) politike, siç është rasti me “zonën mini-Shengen”, me ç’rast të dy palët janë zotuar t’i bashkohen kësaj “zone”. Edhe pse “zona mini-Shengen” është një fiksion politik nga e cila nuk ka asgjë konkrete deri më tani. Sidoqoftë, është gjerësisht e njohur se deklaratat e bëra në formën e zotimeve politike, mund të jenë të detyrueshme në të drejtën ndërkombëtare. Këtë e kanë konfirmuar edhe Gjykata e Përhershme Ndërkombëtare e Drejtësisë, në rastin Ihlen dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në rastin e testeve nukleare. Zotimet politike, mund të kenë konsekuenca juridike.

Por, nëse nuk është marrëveshje në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare tradicionale, atëherë çka ka nënshkruar kryeministri Hoti?

Ai ka nënshkruar një Akt Unilateral (Deklaratë), një instrument ndërkombëtar jo të zakonshëm, por, në qëllimin e tij për të krijuar/shkaktuar relacione në raport me një shtet tjetër, nuk është i panjohur në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Praktika shtetërore ndërkombëtare përgjatë viteve tregon për një dinamikë të re në marrëdhëniet dhe të drejtën ndërkombëtare. Kjo dinamikë reflekton vërtetimin e fakteve ekzistuese apo krijimin e relacioneve të reja ndërmjet dy shteteve si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, përmes shprehjes së njëanshme të vullnetit të një shteti, qoftë përmes notave deklaratave / konferencave / paraqitjeve publike, siç është rasti i Francës e cila përmes kësaj mënyre të komunikimit ka shprehë përcaktimin e saj për ndaljen e testeve nukleare në pjesën jugore të Oqeanit Paqësor. Këto veprime nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë janë cilësuar si obligime të Francës në raport me Australinë, apo qoftë përmes notave verbale apo akteve të njëanshme të një shteti në raport me një shtet tjetër, siç është rasti i notës verbale të Kolumbisë drejtuar Ambasadorit të Venezuelës në Kolumbi, për heqjen dorë nga një regjion kontestues kufitar. Deklaratat/aktet unilaterale janë veprime faktike të përfaqësuesve të një shteti sipas autorizimeve kushtetuese dhe të drejtës ndërkombëtare të cilat krijojnë/shkaktojnë obligime ligjore ndërkombëtare dhe të cilat manifestohen kryesisht në dy forma/modalitete. Forma e parë e tyre manifestohet nëpërmjet deklaratave publike të bëra nga përfaqësuesit shtetëror në kapacitetin e tyre kushtetues, në këtë grup hyjnë deklaratat e autoriteteve franceze për ndalimin e testeve nukleare në regjionin jugor të Oqeanit Paqësor, i ashtuquajturi rasti i testeve nukleare, derisa modaliteti tjetër i këtyre deklaratave/akteve manifestohet në formë të shkruar, pavarësisht formës së aktit, duke qenë se e drejta ndërkombëtare nuk implikon asnjë kriter përkitazi me formën e këtyre deklaratave/akteve.  Në këtë grup hyn nota verbale e Ministrit të Jashtëm të Kolumbisë drejtuar Ambasadorit të Venezuelës në Kolumbi mbi kontestin territorial.

Prandaj, ajo çfarë ka nënshkruar kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq reflekton një “risi” në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke qenë se në mënyrën se si është hartuar dhe nënshkruar, është dokument i veçantë në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. I veçantë në kuptimin e përmbajtjes së tij, duke qenë se parasheh të drejta dhe detyrime për të dy palët, ndonëse është nënshkruar ndaras nga secila palë. Zakonisht, aktet e tilla, respektivisht deklaratat, kanë prodhuar obligime vetëm për palën e cila i ka bërë ato. Për shembull, Franca në rastin e testeve nukleare ka marrë obligim ndalimin e tyre në raport me Australinë. Kolumbia ka hequr dorë nga një territor kufitar në raport me Kolumbinë, apo Jordani ka hequr dorë nga Bregu Perëndimor, në raport me Palestinën. Ndërkaq, në rastin e 4 shtatorit është bërë një ”invencion kreativ” me ç’rast Kosova dhe Serbia kanë marrë obligime të njëanshme përmes dy akteve të njëanshme.

Çka është akti unilateral shtetëror?

Ajo çfarë duhet sqaruar në këtë analizë, është natyra e veçantë juridike e këtij dokumenti, pasoja/rrjedhoja që prodhon ky dokument, karakteri ligjor obligues ndërkombëtar dhe kapaciteti shtetëror i palës kosovare për të nënshkruar një dokument të tillë. Sidoqoftë, për të hequr konfuzionin, pavarësisht emërtimit apo cilësimit juridik, qoftë akt i njëanshëm apo deklaratë, bëhet fjalë për të njëjtin koncept juridik i cili mund të implikojë detyrime në të drejtën ndërkombëtare. Këtë e konfirmon edhe Raportuesi Special i Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, Victor Rodriguez Cedeno, në raportin e tij të dytë mbi aktet unilaterale të shteteve, të vitit 1999. Sipas këtij dokumenti, Raportuesi Special do të përdor termin ”akt i njëanshëm ligjor” si sinonim për shprehjen ”deklaratë e njëanshme”. Prandaj, dokumenti i nënshkruar në Uashington në kontekstin e doktrinës juridike ndërkombëtare dhe praktikës shtetërore është “akt i njëanshëm ligjor”, dhe në të njëjtën kohë, mund të quhet edhe si ”deklaratë e njëanshme”.

Ky akt është kompatibil si për nga forma, përmbajtja, po ashtu edhe për nga korrelacioni, me formulimin (definimin) e aktit të njëanshëm ligjor (deklaratës), nga Raportuesi Special Cedeno. Sipas tij, “Akti i njëanshëm ligjor” (deklarata), nënkupton shprehje të qartë dhe autonome të vullnetit, të shprehur në mënyrë publike nga një apo më shumë shtete, në relacion me një apo më shumë shtete tjera, komunitetin ndërkombëtar si tërësi apo një organizatë ndërkombëtare, me qëllim të marrjes së obligimeve ligjore ndërkombëtare”.

Gjithashtu, në qartësimin e këtij pështjellimi, përkitazi me mënyrën e sajimit të aktit të njëanshëm juridik në Uashington, na ndihmon ky raport, sipas së cilit “një akt i njëanshëm apo deklaratë mund të formulohet (bëhet) nga një apo nga disa shtete, si shprehje e veçantë e vullnetit. Mund të formulohet (bëhet) edhe përmes akteve individuale, kolektive apo të përbashkëta…”. Aktet e njëanshme, paraqesin formë të veçantë të manifestimit të vullnetit të një shteti, të cilat janë në gjendje të prodhojnë efekte ligjore në të njëjtën mënyrë sikurse çdo veprim tjetër i një shteti. Definim të ngjashëm hasim edhe në studime tjera përkitazi me aktet unilaterale të shteteve.

Efekti juridik i aktit/deklaratës së njëanshme

Ai që unë e quaj Akt Unilateral Shtetëror, sipas vlerësimit tim, prodhon efekt juridik në të drejtën ndërkombëtare dhe për rrjedhojë edhe Kosova edhe Serbia janë të lidhura (to be bound) për të, gjithnjë sipas parimit ”good faith”. Këtë e vërteton Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me kontestin ndërmjet Francës në njërën anë dhe Australisë e Zelandës së Re, në anën tjetër.

Se ky lloj modaliteti është etabluar në kuadrin e marrëdhënieve ndërkombëtare, tregon edhe Deklarata e Qeverisë së Egjiptit për Kanalin e Suezit e 24 prillit të vitit 1957, instrument ndërkombëtar ky i cili është regjistruar në regjistrin e marrëveshjeve ndërkombëtare të Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1957.

Sipas kësaj deklarate, Egjipti pajtohet për respektimin e provizioneve dhe frymës së Konventës së Konstantinopojës së vitit 1888, për lundrimin e lirë. Paragrafi 10 i kësaj deklarate, reflekton vullnetin e shtetit, në këtë rast Egjiptit, si subjekt juridik ndërkombëtar, për të krijuar/shkaktuar relacione ndërlidhëse në mes të Egjiptit dhe komunitetit ndërkombëtar. Paragrafi 10 i kësaj deklarate, për statusin e saj, ndër të tjera thotë se ”Kjo Deklaratë, me gjithë obligimet që përmban, përbën një instrument ndërkombëtar dhe do të depozitohet dhe regjistrohet në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara”.

Për më tepër që sipas paragrafit 62, të Konkluzioneve të Raportuesit Special të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Aktet Unilaterale të Shteteve, Victor Rodriguez Cedeno, ”Deklarata (e bërë nga Egjipti) i ishte adresuar jo vetëm shteteve anëtare të Asociacionit të Përdoruesve të Kanalit të Suezit, por edhe tërë komunitetit ndërkombëtar. Ajo përbën deklaratë erga omnes”.[1] Sipas këtij raportuesi, deklarata e bërë nga Egjipti mund (may) të konsiderohet si një akt unilateral.

Në përgjithësi dhe para së gjithash, “Akti Unilateral Shtetëror”, duhet interpretuar sipas ”Parimeve Udhërrëfyese të Aplikueshme për Deklaratat Unilaterale të Shteteve të cilat Krijojnë Detyrime Ligjore”, të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB- së, të nxjerrë në sesionin e pesëdhjetë e tetë të këtij Komisioni, në vitin 2006, dhe i dorëzuar pranë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si pjesë e raportit të Komisionit. Ky dokument ka adoptuar dhjetë parime udhërrëfyese përkitazi me obligueshmërinë e akteve/deklaratave unilaterale shtetërore në planin ndërkombëtar.

Fund, pjesa e parë.

Në pjesën e dytë të kësaj analize, mund të lexoni për “Marrëveshjen” e Uashingtonit në pikëvështrimin e Parimeve Udhërrëfyese të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, Vendimeve/Mendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe praktikës shtetërore, si dhe pikat kontestuese të kësaj “marrëveshje” të cilat sfidojnë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit


[1] https://legal.un.org/ilc/documentation/english/a_cn4_557.pdf, fq.127, paragrafi 62