A obligohet Kosova me zbatimin e “marrëveshjes” së Uashingtonit, 2 - Gazeta Express
string(63) "a-obligohet-kosova-me-zbatimin-e-marreveshjes-se-uashingtonit-2"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

30/03/2021 14:09

A obligohet Kosova me zbatimin e “marrëveshjes” së Uashingtonit, 2

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

30/03/2021 14:09

Akti Unilateral Shtetëror si invencion i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare

Pjesa e dytë

Arton Musliu

Praktikisht, tashmë tri nga pikat e rëndësishme të “marrëveshjes” së Uashingtonit, Kosova po i zbaton. Njëra është e përfunduar (njohja e ndërsjellë me Izraelin) ndërkohë që dy tjera janë në zbatim e sipër (suspendimi i aplikimeve për anëtarësim të Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare dhe ndalimi i përdorimit të pajisjeve 5G). Pika ku flitet për Ujmanin, mund të thuhet se është në fazën rudimentare, por që pritet të shndërrohet në një çështje të nxehtë duke qenë së është në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Deklarata Unilaterale Shtetërore e nënshkruar në Uashington,  në pikëvështrimin e Parimeve Udhërrëfyese të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, Vendimeve/Mendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe praktikës shtetërore krijon/shkakton obligime për Kosovën.

Sipas Parimit Nr.1 të ”Parimeve Udhërrëfyese të Aplikueshme për Deklaratat Unilaterale të Shteteve të cilat Krijojnë Detyrime Ligjore”, të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB- së, ”Deklaratat e bëra publikisht dhe të cilat manifestojnë vullnetin për të qenë të lidhur për to (to be bound) mund (may) të kenë efektin e krijimit të obligimeve ligjore. Nëse plotësohen kushtet për këtë, karakteri detyrues i deklaratave të tilla bazohet në mirëbesim (good faith)…”.

Përkitazi me këtë, ai që unë e quaj “Akt Unilateral Shtetëror” i 4 shtatorit, reflekton pajtimin e  dy palëve, asaj kosovare dhe serbe, përmes deklaratave të tyre unilaterale,  për disa çështje në raport korelativ, dhe një gjë e tillë është bërë me vullnetin e tyre të shprehur njëanshëm. Dhe, intenca e këtij reduktimi procedural qëndron në triumfin diplomatik dhe politik të Serbisë duke qenë se kjo e fundit përmes këtij anashkalimi arriti që të mos vendos nënshkrimin në të njëjtën letër/dokument me autoritetet kosovare. Sepse në të kundërtën kjo do të konsiderohej njohje implicite e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nga ana e Serbisë. Dhe ky është gabimi dhe lëshimi i autoriteteve kosovare. Sepse shkuan për marrëveshje për njohje reciproke, degraduan në një deklaratë të njëanshme shtetërore.

Ato, në të njëjtën kohë janë zotuar për t’i çuar përpara pikat për të cilat janë pajtuar në mënyrë unilaterale. Atëherë, këto aranzhime mund të kenë efektin e obligimeve juridike ndërkombëtare. Përdorimi i foljes ”may” në këtë parim (Parimin nr. 1 të Komisionit) është indikativ duke qenë se sipas fjalorëve të gjuhës angleze kjo folje përdoret për të shprehur lejimin e një gjëje, veprimi apo akti. Prandaj, me gjithë interpretimin restriktiv që duhet bërë, mund të thuhet se aktet/deklaratat unilaterale shtetërore të bëra në relacion me një shtet tjetër, në të drejtën ndërkombëtare krijojnë obligime ligjore. Karakteri detyrues i tyre bazohet në parimin ”good faith”.

Këto obligime ligjore, janë të kushtëzuara nga respektimi i parimeve të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare ”good faith” dhe ”(p) acta sunt servanda”. Por, një gjë e tillë nuk nënkupton krijimin/shkaktimin e obligimeve për një shtet tjetër. Kjo mbështetet edhe në Parimin nr. 9 të Parimeve Udhërrëfyese të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, sipas së cilit nga deklarata unilaterale e një shteti nuk mund të rrjedhin obligime për shtetet tjera.

Por, shtetet tjera mund të marrin obligime në relacion me këto deklarata duke i pranuara ato. Prandaj, një shtet nuk mund të imponojë obligime për një shtet tjetër. Kjo është e sanksionuar edhe në nenin 34 të Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve dhe sipas komentimit të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, “nuk ka asnjë arsye që ky parim të mos aplikohet edhe tek deklaratat e njëanshme”. Në secilin rast, kjo deklaratë, duhet të trajtohet sipas parimit (p) acta sunt servanda. Pra, praktika juridike ndërkombëtare, por, edhe doktrina juridike, tregon për një evoluim të së drejtës ndërkombëtare tradicionale në të gjitha fushat e edhe në fushën e modaliteteve të krijimit të relacioneve ndërshtetërore.

Ky pikëvështrim mbështetet edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kjo e fundit përmes trajtimit të rastit të iniciuar nga Australia kundër Francës, në vitin 1974, përkitazi me testet e armëve nukleare në jug të Oqeanit Paqësor, nga kjo e fundit, ka trajtuar cilësimin juridik të deklaratave të njëanshme shtetërore në të drejtën ndërkombëtare. Sipas Gjykatës, deklaratat e njëanshme shtetërore të bëra në kapacitetin e organeve të autorizuara shtetërore mund të shkaktojnë obligime ligjore ndërkombëtare. Sipas paragrafit 43 të Vendimit të GJND- së, në këtë rast

 ”Është e njohur se deklaratat e bëra përmes akteve të njëanshme, të cilat kanë të bëjnë me çështjet ligjore apo faktike, mund të kenë efekt në krijimin e obligimeve ligjore… Deklarata e tillë e bërë publikisht dhe me qëllimin për të qenë i lidhur (to be bound) për të, pavarësisht nëse është bërë përmes procesit të negociatave ndërkombëtare, është detyruese”.

Kësisoj, deklaratat e përsëritura[1] të përfaqësuesve shtetëror të Francës, për ndalimin e testeve të armëve nukleare, nga Gjykata janë cilësuar si deklarata të cilat shkaktojnë obligime ligjore ndërkombëtare.

Ekzistojnë edhe raste tjera të krijimit/shkaktimit të obligimeve ligjore shtetërore përmes akteve/deklaratave të njëanshme të shteteve të cilat në korrelacion me shtetin gjegjës kanë krijuar/shkaktuar pasoja/rrjedhoja ligjore. Një e tillë është edhe deklarata e njëanshme e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Cyrus Vance, në kohën e Presidentit Karter, 23 shtator 1977, përmes së cilës zotohej se ShBA-ja nuk do të ndërmarr asnjë hap në kundërshtim me ”Marrëveshjen e Përkohshme” me Bashkimin Sovjetik, gjatë raundit të dytë të bisedimeve për SALT II. Tri ditë më pas edhe Bashkimi Sovjetik lëshoi një deklaratë të tillë të njëanshme.

E tillë është edhe e ashtuquajtura Deklarata e Ihlen-it, Ministrit të Jashtëm norvegjez, mbi heqjen dorë nga Grenlanda. Kjo deklaratë, sipas Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare e Drejtësisë, ishte ligjërisht obligative për Norvegjinë. Kësisoj, “Gjykata konsideron se është i padiskutueshëm fakti se deklarata e dhënë nga Ministri i Jashtëm norvegjez në emër të qeverisë së tij, është detyruese për vendin të cilit i takon ai”.

Deklarata e njëanshme e nënshkruar nga kryeministri Hoti, manifeston qëllimin, vullnetin dhe zotimin e këtij të fundit për të qenë i lidhur për këtë akt/deklaratë. Kjo vërehet përgjatë gjithë tekstit të dokumentit, të nënshkruar dhe gjithashtu nga intenca/qëllimi për t’i normalizuar raportet ekonomike përmes modaliteteve të caktuara, siç janë lidhja hekurudhore, rrugore, ajrore por edhe çështjet tjera. Përgjithësisht, deklaratat e njëanshme janë detyruese nëse plotësohen dy kushte të cilat janë përmendur nga GJND-ja në rastin e testeve nukleare.

  1. Kushti i parë ka të bëjë me natyrën publike të këtyre deklaratave
  2. Kushti i dytë lidhet me qëllimin e shtetit për të qenë i lidhur (to be bound) me atë deklaratë nëpërmjet parimit ”good faith”.

Pra, bëhet fjalë për qëllimin e shtetit për të krijuar/shkaktuar një relacion të ri në raport me shtetin tjetër dhe për të jetësuar atë relacion. Të dy këto kushte, janë plotësuar në rastin e nënshkrimit të akt/deklaratave të njëanshme të nënshkruar nga kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq. Ndërsa kushti i tretë, është kapaciteti i përfaqësuesve të shtetit për të bërë / arritur / nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare apo akt / deklarata të njëanshme. Këtë e konfirmon edhe Parimi nr.4 i Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare sipas së cilit “një deklaratë e njëanshme është detyruese nëse për shtetin në planin ndërkombëtar vetëm nëse është bërë nga autoritetet e autorizuara për një gjë të tillë”.[2]

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe të autorizuara për të udhëheq dhe zbatuar politikën e jashtme të shtetin janë: Presidenca dhe Qeveria. Sipas nenit 84, paragrafi 1, 7 dhe 10, të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti i Kosovë përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë; nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë; dhe udhëheq politikën e jashtme të vendit. Ndërkaq, sipas nenit 93, paragrafi 1, Qeveria e Kosovës propozon dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit. Ndërkohë që sipas nenit 94 (kompetencat e Kryeministrit), paragrafi 9, Kryeministri këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit. Këtë dilemë e heq edhe Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve Ndërmjet Shteteve e 23 majit 1969, dhe hyri në fuqi më 27 janar 1980, pas depozitimit të instrumenteve të ratifikimit në Kombet e Bashkuara. Sipas nenit 7, paragrafi 2, Kreu i Shtetit, Kreu i Qeverisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të një shteti janë të autorizuar për të negociuar dhe arritur marrëveshje në emër të shtetit. Gjithashtu, edhe neni 6, paragrafi 1, i Ligjit Nr.04/L- 052 Për Marrëveshjet Ndërkombëtare, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e sanksionon dispozitën e njëjtë. Natyrisht që marrëveshjet që kanë të bëjnë me paqen, territorin, çështjet politike dhe ushtarake, sipas nenin 10 të Ligjit Nr.04/L- 052, Për Marrëveshjet Ndërkombëtare, duhet të ratifikohen nga Kuvendi me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve.

Për më tepër, kapaciteti i secilit shtet për të bërë/nënshkruar deklarata të tilla, të cilat sjellin/shkaktojnë obligime dhe konsekuenca ligjore, është i pranuar gjerësisht (Parimet Udhërrëfyese të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, Parimi nr. 2). Kapaciteti i shteteve për të bërë marrëveshje ndërkombëtare dhe deklarata të njëanshme është i sanksionuar në bazë të Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve Ndërmjet Shteteve (neni 6), praktikën juridike të GJND-së si dhe doktrinën juridike të kodifikuar nga Komisioni i të Drejtës Ndërkombëtare. Sipas paragrafit 172, të Konkluzioneve të Raportuesit Special të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Aktet Unilaterale të Shteteve, Victor Rodriguez Cedeno, të vitit 2004, provizionet e Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve (paragrafi 6), në lidhje me kapacitetin e shteteve për të bërë marrëveshje, nënkuptojnë edhe kapacitetin e tyre për të nxjerrë deklarata/akte të njëanshme.

Përkitazi me karakterin specifik dhe strikt të deklaratave të njëanshme, si dhe rrethanat dhe kontekstin në të cilin është bërë një deklaratë e tillë, flet Parimi nr.7, i Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, sipas së cilit ”Një deklaratë unilaterale krijon/shkakton obligime për shtetin që ka hartuar atë, vetëm nëse është bërë në mënyrë të qartë dhe terma specifik. Në rast dyshimi në lidhje me obligimet që dalin nga një deklaratë e tillë, obligimet e tilla duhet të interpretohen në mënyrë restriktive. Në interpretimin e kontekstit të obligimeve të tilla, ka rëndësi para së gjithash teksti i deklaratës, së bashku me kontekstin dhe rrethanat në të cilat është formuluar”. Kësisoj, fakti se disa pika të dokumentit nuk janë hartuar në mënyrë të qartë dhe terma specifik, sfidon karakterin obligativ ndërkombëtar të tyre. Pika ku flitet për “zonën mini-Shengen”, kriminalizimin e homoseksualizmit, mandej pika ku thuhet se “Të dyja palët do të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë”, janë zotime politike të cilat nuk mund të prodhojnë efekte ligjore ndërkombëtare, duke qenë se këto pika nuk reflektojnë qartësi të normës, mekanizëm të implementimit, apo afatin kohor të zbatimit. Prandaj, akt/deklarata e nënshkruar në Uashington në pikat e lartpërmendura, nuk pasqyron kriteret të cilat duhet të plotësohen sipas Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, në mënyrë që të cilësohet në tërësi si një akt apo deklaratë e njëanshme e cila mund të prodhoj efekte ligjore ndërkombëtare. Prandaj, ajo duhet të trajtohet në secilën pikë të saj.

Ajo çfarë mund të thuhet përkitazi me deklaratën e nënshkruar nga kryeministri Hoti, ka të bëj me natyrën e veçantë të këtij dokumenti në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo për shkak se në praktikën ndërkombëtare është vështirë të gjendet një model i tillë. Sepse zakonisht shtetet përmes deklaratave/akteve të njëanshme shprehin vullnetin e tyre të njëanshëm për të krijuar/shkaktuar relacione të reja në korrelacion me një shtet tjetër apo një organizatë ndërkombëtare. Ajo çfarë ka nënshkruar kryeministri Hoti, është një tekst i cili shpreh pajtueshmërinë e dy palëve për përmbajtjen e tij, por që nuk është nënshkruar i njëjti dokument nga të dy palët, ashtu siç kërkon e drejta ndërkombëtare, respektivisht Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve.

Sidoqoftë, ashtu siç ka vërejtur edhe Raportuesit Special i Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Aktet Unilaterale të Shteteve, Victor Rodriguez Cedeno, në rastin e Kolumbisë në raport me Venezuelën, deklarata e njëanshme e kryeministrit Hoti mund të shihet si një akt i cili reflekton marrëdhënie bilaterale me Serbinë. Sepse, në mënyrë implicite rasti i shkëmbimit zyrtar diplomatik në mes të Kolumbisë dhe Venezuelës mbi kontestin kufitar, është e ngjashme dhe e përafërt, por jo edhe njëjtë, me deklaratën e nënshkruar nga Hoti e Vuçiq, veç e veç. Nota verbale e Ministrit të Jashtëm të Kolumbisë, drejtuar Ambasadorit të Venezuelës në Kolumbi, e datës 22 nëntor 1952, përmes së cilës Kolumbia njeh sovranitetin e Venezuelës mbi Arkipelagun Los Monjes, është pasuar nga një notë tjetër, nga Ambasadori i Venezuelës në Kolumbi, duke u pajtuar në tërësi me përmbajtjen e saj.

Përkitazi me mundësinë e revokimit të deklaratave të njëanshme në të drejtën ndërkombëtare, mund të thuhet se një gjë e tillë lejohet vetëm në raste të caktuara dhe specifike. Sipas Parimit nr. 10, të Udhërrëfyesit të Komisioni të së Drejtës Ndërkombëtare, deklarata unilaterale e bërë nga një shtet, nuk mund të revokohet në mënyrë arbitrare, përveç se në rastin kur një gjë e tillë parashihet në vet deklaratën në fjalë apo në rast të ndryshimit rrënjësor të rrethanave (rebus sic stantibus).

Pikat kontestuese të akt/deklaratës të cilat sfidojnë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit

Në aspektin përmbajtjesor, shqetësimet lidhen me pikën ku flitet për Ujmanin dhe suspendimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, në kuptimin e moratoriumit njëvjeçar për kërkimin e anëtarësimeve të reja në organizatat ndërkombëtare në një afat prej një viti.

Sipas versionit të përkthyer në gjuhën shqipe, të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, përkitazi me liqenin e Ujmanit, thuhet: “Të dyja palët pajtohen të punojnë me Departamentin e Energjisë të ShBA-së, si dhe me subjektet e tjera përkatëse të Qeverisë së ShBA-së në një studim të fizibilitetit për qëllim të shfrytëzimit të përbashkët (sharing) të liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si burim të qëndrueshëm të ujit dhe furnizimit me energji”.[3]

Shikuar nga efekti juridik ndërkombëtar i akteve të tilla, një pikë e tillë mund të reflektojë obligimin e palës kosovare për shfrytëzimin e përbashkët të liqenit të Ujmanit me Serbinë. Për më tepër që Komisioni i të Drejtës Ndërkombëtare ka etabluar qëndrimin se interpretimi i këtyre akteve duhet bërë në bazë të asaj çfarë kanë pasur qëllim ato. Në këtë kontekst, pavarësisht interpretimit restriktiv që vije në shprehje në rast të paqartësisë apo ambiguitetit, pika ku flitet për Ujmanin mund të jetë bazë legale për interesimin e Serbisë mbi shfrytëzimin e ujit të Kosovës dhe një gjë e tillë është në kundërshtim me nenin 2, paragrafi 2, të Kushtetutës së Kosovës. Sipas Kushtetutës, “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm…”.[4] Shfrytëzimi i përbashkët i liqenit shkelë këtë normë kushtetuese.

Përkitazi me moratoriumin njëvjeçar për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare, ajo çfarë mund të thuhet para së gjithash, është fakti se përmes marrjes së këtij obligimi në mënyrë të njëanshme është suspenduar sovraniteti i jashtëm i Republikës së Kosovës dhe është shkelë Kushtetuta e vendit. Saktësisht, është shkelë neni 17, paragrafi 1, i Kushtetutës sipas së cilit “Republika e Kosovës lidh marrëveshje ndërkombëtare dhe anëtarësohet në organizata ndërkombëtare”.[5] Gjithashtu është cenuar neni 93, paragrafi 1, i Kushtetutës sipas së cilit: “Qeveria propozon dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit”.[6]

Moratoriumi, gjithashtu, është në kundërshtim me nenin 3, paragrafi 2, të Ligjit Nr. 03/L- 044, Për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës”.[7]

Përtej kësaj, me ndryshimin, respektivisht evoluimin, e kritereve tradicionale të shtetësisë me ç’rast shtetësia faktike është shndërruar në shtetësi juridike, derisa sovraniteti vestfalian nuk është a condition sine qua non (kusht i domosdoshëm) për bërjen e shtetësisë, rëndësia e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare është rritur pakthyeshëm. Sepse, subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit tonë plotësohet pikërisht dhe para së gjithash përmes njohjeve dhe anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare, siç janë OKB, BE e NATO.

Organizatat e lartpërmendura janë të rëndësishme në kuptimin e çimentimit të shtetësisë së Kosovës. Elementi pozitiv i kësaj pike, respektivisht këtij moratoriumi, është fakti se Kosova nuk e ka të ndaluar të punoj për njohje të reja.

Fund, Mars 2021