Dritan Dragusha
Tingëllon edhe si pyetje naive, por gati edhe absurde. Të thuash se a na duhet shkolla, perceptohet sikur një tendencë për shkatërrimin e vet shoqërisë. Në bindjen e idealistëve kjo dilemë ka një bisht. E vërteta është se të gjithë kemi vërejtje për të, por askush nuk ka guxim. Për gjithçka që ndodh rreth nesh për të keq, fajin e gjejmë te shkolla, ndërsa për të mirën eventuale, meritën e kanë të gjithë, por jo shkolla. Shkolla na është bërë burgu ynë, kurse të burgosurit jemi ne, është mendja jonë. Burg, sepse shkollën nuk mund ta perceptojmë ndryshe vetëm ashtu siç ajo është tani. E ajo sot është një vend ku fëmiju nuk shkon me dëshirë. Gjithçka ka ndryshuar rreth nesh, vetëm ajo nuk ka ndryshuar. Shkolla na del sikur një esencë që është e pavarur prej nesh, që nuk mund ta ndryshojmë. Ajo trajtohet nga ne sikur një e dhënë a priori, që ekziston jashtë kohës dhe jashtë hapësirës. Aq i fortë është idealizimi i shkollës saqë ndryshimi i saj duket mision i pamundur. Mungesa e saj dikur edhe, sidomos, për shkak të rrethanave historike, kishte krijuar një rrëfim dhe lidhje shpirtërore aq të fuqishme, që i ngjan lidhjes së besimtarit me hyjninë. Thoshim se pa shkollë nuk kemi gjuhë, pa gjuhë nuk kemi identitet, dhe si rrjedhim qenia jonë shpërbëhet sikur gjethet në eter. Dikur edhe mund të ishte kështu, por sot jo. Duke qenë kështu, shkolla ka kohë që është venitur, zbehur e zhubrosur. Shkolla jonë është shumë anemike. Prandaj, kjo anemi e sja ka filluar të krijojë marramendje në shoqëri. Të krijohet përshtypja se edhe shkolla, edhe shoqëria janë mbështetur për muri: shkolla nuk mund ta ushqejë më shoqërinë, mirëpo as shoqëria nuk ka kapacitete më ta forcojë atë si “dikur”. Shkolla dhe shoqëria janë bërë si dy të sëmurë me demencë, barrë e njëri-tjetrit.
Shoqëria insiston që shkollës t’ia rikthejë namin siç e kishte dikur, kurse realiteti insiston që atë ta rimendojmë në tërësinë e saj. Shkolla e së kaluarës është bërë ngërçi i së tashmes, pamundësi për të ardhmen. Ajo edhe sot e kësaj dite i bartë reminishencat e shkollës së dikurshme të kampit komunist, shkolla si kazermë. Projekti i saj dikur ishte që të aftësojë breza të cilët pastaj do ta mbajnë shtetin dhe shoqërinë. Prodhon në seri kuadro intelektuale ideologjike e me shtyllë kurrizore nacionaliste. Ne dikur kishim nevojë për të dyja këto modele, por sot duket se jemi bërë rob të tyre. Mësuesi dikur na u bë babai intelektual që nuk e patëm, që na e projektonte udhëheqësin ideologjik për të ardhmen. Ai ishte udhërrëfyesi (shpesh i vetmi) për brezat. Dijet e tij ishin të pakontestueshme. Ai nuk gabonte, sepse shkolla dikur ishte e pagabueshme në vetvete dhe ky vazhdon të mbetet gabimi i saj edhe sot. Ky model i pagabueshmërisë insistonte në nxënësin ideal, në nxënësin që nuk duhet të gaboj. Edhe sot shkolla insiston në nxënësin që din gjithçka, por që nuk është i aftë për asgjë. Kjo mendësi idealiste e shkollës duke ndërtuar brezat e ardhshëm të nxënësve që nuk gabojnë, ka krijuar një shoqëri memece. Ky është edhe gabimi i një shkolle të tillë.
Ndryshimet po ndodhnin vazhdimisht ndodhin, shoqëria po transformohej me hapa të shpejtë dhe bashkë me të edhe kërkesat dhe nevojat e saj. Ajo që dje konsiderohej e rëndësisë ekzistenciale për individin dhe pë shoqërinë, me kohën ka humbur relevancën, mirëpo shkolla jonë e kërkon atë me ngulm. Krijimi dhe hovi i shkollës sonë ishin në kohën e një shteti që tanimë nuk ekziston. Gjithashtu, shkolla jonë e përjetoi dhe i mbijetoi një aparteidi dhe një lufte, por që doli shumë e lënduar. Paslufta shkollën e kishte bërë vendin më atraktiv. Shoqëria po i recitonte, po i thurte lavde, kurse asaj, si një i sëmurë asmatik kronik, gradualisht po i zihej fryma. Sot, shkolla i ngjan atij mjekut i cili është prekur nga një sëmundje ngjitëse vdekjeprurëse, por për hir të detyrës mundohet t’i shërojë të tjerët edhe me rrezikun se do t’i infektojë edhe ata. Prandaj, shkolla jonë ka nevojë për një ndërhyrje të thellë dhe të gjithanshme. Ajo ka nevojë për një kurë serioze profesionale. Ka nevojë që të dyshojë në vetvete, në aftësitë e saj. Pra, shkolla sot ka nevojë që dyshimi dhe ndryshimi të bëhen përhershmëria e saj.
…vazhdon
Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky...