A mund t’i mbijetojë bota një “dimri bërthamor”? - Gazeta Express

A mund t’i mbijetojë bota një “dimri bërthamor”?

Mistere

Gazeta Express

27/07/2020 23:52

Nga Alex Gatopoulos

Stuhi zjarri të shkaktuara nga qytetet në flakë, krijojnë një shtëllungë të madhe tymi, bloze dhe hiri. Ajo ngrihet mbi re, në atmosferën e sipërme të planetit tonë, ku do të rrethojë globin, duke e privuar Tokën nga drita e Diellit, dhe për pasojë duke e ftohur planetin tonë.

Ky është skenari që mund të presim pas një lufte bërthamore midis vendeve. Termi “dimër bërthamor” u krijua në vitet 1980, kur shkencëtarët filluan të kuptojnë se tmerret e një lufte bërthamore nuk do të kufizohen vetëm tek shpërthimi i madh, dhe rrezatimi radioaktiv që ai lë pas.

Ndërsa modelet e parashikimit të klimës po bëhen më të sakta dhe më të sofistikuara, shkencëtarët janë tashmë në gjendje të ekzaminojnë më nga afër, se çfarë do të ndodhte në rastin e një konflikti bërthamor midis dy fuqive kundërshtare.

Në të kaluarën, shumica e skenarëve fokusoheshin tek konfliktet e mundshme apokaliptike midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Por modelet e reja, parashikojnë që edhe një luftë bërthamore shumë e kufizuar, do të kishte efekte shkatërrimtare mbi bujqësinë në mbarë botën, dhe pasoja të tjera rënda për jetën në Tokë.

Anatomia e një shpërthimi bërthamor

Një shpërthim nga një armë bërthamore, do të prodhonte një sasi të madhe energjie. Efektet do të ishin shkatërruese. Në fillim një dritë e fortë verbuese, dhe rrezatim në formën e nxehtësisë nga shpërthimi fillestar, do të prodhonte temperatura po aq të larta sa ato në Diell. Druri, plastika, pëlhurat dhe lëngjet e ndezshme, do të merrnin flakë.

Kjo do të pasohej gati menjëherë nga vala e shpërthimit, që do lëvizte me një shpejtësi disa herë më të lartë se shpejtësia e zërit. Vala goditëse me ajër të ngjeshur dhe super të nxehtë, do të shndërronte në rrënoja gjithçka, duke rrafshuar të gjitha ndërtesat brenda zonës së shpërthimit, dhe duke vrarë të gjithë njerëzit në një rreze prej disa kilometrash.

Brenda 20-30 minutash, do të binte në tokë një hi shumë radioaktiv, duke e mbuluar si vendin e shpërthimit ashtu edhe përreth tij, në një rreze prej dhjetëra kilometrash, duke vrarë cilindo që kishte arritur në një farë mënyre t’i mbijetonte shpërthimit fillestar.

Edhe për njerëzit jashtë zonës së shpërthimit, situata do të ishte gjithashtu dramatike. Të gjitha pajisjet elektronike do të pushonin së funksionuari, pasi pulsi elektromagnetik do të kishte djegur çdo qark elektronik. Asnjë telefon, internet, kompjuter apo makinë nuk do të funksiononte.

Spitalet do të binin shumë shpejt në kolaps, për shkak të shumicës së popullsisë që do kishte  nevojë për një lloj kujdesi mjekësor. Ushqimi do të mbaronte, pasi linjat e furnizimit logjistik do të pushonin së funksionuari. Ai pak ushqim që do të ekzistonte, do të ndotej nga rrezatimi radioaktiv, së bashku çdo lloj burimi ujor.

Çfarë do të ndodhte më pas?

Këto do të ishin efektet fillestare dhe lokale të një konflikti bërthamor mbi një popullatë.

Por “dimri bërthamor”, do ta çonte atë në një nivel krejt të ri. Pjesë të mëdha bloze që hynë në atmosferën e sipërme të tokës, do të përhapen jo vetëm në atë rajon, por në të gjithë planetin brenda disa muajsh.

Errësimi i qiellit dhe pengimi i dritës së diellit do të ndikonte negativisht tek të korrat, madje edhe në zona që janë shumë larg konfliktit. Në një simulim të kohëve të fundit, të korrat globale do të binin midis 20-40 për qind për të paktën një dekadë.

Temperaturat do të binin shumë, duke shkaktuar një thatësirë ​​të përhapur ngado, një uri në mbarë botën, dhe në vdekjen e dhjetëra miliona njerëzve të tjerë. Nëse këto skenarë duken si imagjinarë, atëherë po ju kujtojmë se shpërthimi vullkanik i vitit 1815 i vullkanit Tambora në Indonezi, shkatërroi të korrat në Evropë dhe SHBA.

Viti 1816, hyri në histori si ”Viti pa Verë”, pasi temperaturat ranë ndjeshëm, dhe të korrat e dobëta shkaktuan zi të mëdha buke në të gjithë Evropën. Shpërthimi i Tamborës e uli temperaturën globale me 0.7 gradë Celsius. Ndërkohë rënia e vlerësuar e temperaturës nga një luftë bërthamore “e kufizuar”, vlerësohet të jetë diku midis 2-5 gradë Celsius.

Skenari i një lufte bërthamore Indi-Pakistan

Studimet e fundit, tregojnë se nuk ka nevojë të ketë një luftë bërthamore në shkallë të gjerë që të ketë efekte globale. Një konflikt i mundshëm bërthamor midis Indisë dhe Pakistanit, është skenari që kanë marrë si shembullin e tyre kryesor shumica studimeve.

Por pse India dhe Pakistani? Ato janë armiq tradicionalë mes tyre, me mosmarrëveshje territoriale të vjetra dhe ende të pazgjidhura. Janë të pajisura me armë bërthamore, dhe që të dyja i përmbahen doktrinave ushtarake, të cilat mund të shkaktojnë një konflikt.

Ka disa skenarë sesi këta armiq historikë mund të përdorin armët bërthamore ndaj njëri-tjetrit. Por një luftë e tillë ka më shumë të ngjarë të fillojë me një sulm konvencional nga India, ushtria e të cilës është 3 herë më e madhe në numër se sa ajo e kundërshtarit të saj.

Gjeografikisht, Pakistani ka një shtrirje gjatësore dhe të hollë, çka e bën relativisht të lehtë për t’u prerë më dysh përmes një sulmi me divizione të blinduara, me shumë gjasa përmes shkretëtirës Tar në Rajasthan, afër pjesës më të ngushtë të Pakistanit.

Përballë rrezikut, Pakistani mund të kompensojë forcat e tij më të vogla në numër, me përdorimin e armëve bërthamore më të vogla të natyrës taktike. Ato janë krijuar për të shkatërruar dislokimet e ushtrisë armike, duke shkaktuar dëme minimale në zonën përreth.

Por tabuja mbi përdorimin e këtyre armëve do të binte, dhe pragu për përdorimin e tyre të mëtejshëm nga të dyja palët të armëve bërthamore, do të ishte shumë më i ulët.

Qendrat e komandimit dhe kontrollit, pikat kyçe të furnizimit dhe zonat industriale, do të konsideroheshin objektiva legjitime. Sipas një studimi më të fundit, një konflikt bërthamor midis dy vendeve, do të shkaktonte deri në 125 milionë të vdekur. Sa për të bërë një krahasim, çdo vit në botë vdesin 56 milionë njerëz nga të gjitha shkaqet.

Në një konflikt të tillë, këto viktima do të shkaktoheshin brenda disa ditësh. Sado i tmerrshëm si bilanc, dëmi më i madh për mjedisin do të vinte nga sasia e madhe e hirit dhe blozës së mbinxehur, që do të ngrihej në qiell nga këto qytete të shkatërruara.

Errësirë dhe uri

Ndikimi i një konflikti bërthamor të tillë “të kufizuar”, do të ishte shkatërrues për Tokën në tërësi. Me ardhjen e errësirës, të korrat në mbarë botën do të shkatërroheshin. Prodhimi i grurit në Kinë, do të përgjysmohej që në vitin e parë pas konfliktit, teksa prodhimi i orizit do të binte me 21 për qind.

Edhe prodhimi i misrit në SHBA, do të binte deri në 20 për qind. Zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit do të prisheshin, ndërsa ushqimi do bëhej gjithnjë e më i pakët. Blerjet nga paniku dhe rritja galopante e çmimeve do të bëheshin të zakonshme, duke çuar në mungesa të mëtejshme dhe margjinalizimin e të varfërve në botë, të cilët do ta kishin shumë të vështirë të mbijetonin.

Në vitin 2016, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, FAO, vlerësoi se 815 milionë njerëz nuk e kanë ushqimin e sigurt. Të gjithë ata do të rrezikoheshin shumë më tepër, kur furnizimet ushqimore të zvogëloheshin me shpejtësi pas një konflikti të tillë bërthamor.

Një tjetër efekt i madh kaskadë i një “dimri bërthamor”, do të ishte shterimi i shtresës së ozonit, duke lejuar degradimin e mëtejshëm të të korrave nga rrezatimi diellor ultravjollcë, tashmë i vështirë për t’u filtruar. Ozoni do të shkatërrohej nga ngrohja e atmosferës së sipërme, pasi shtresa e errët dhe e ndotur me blozë e ajrit, do të thithte më shumë energji diellore.

Efekti do të zgjaste për më shumë se 5 vjet, me 20 për qind të ozonit të humbur në të gjithë planetin ,dhe në disa vende deri në 70 për qind, duke çuar në shkatërrimin domethënës të jetës bimore, detare dhe shtazore në Tokë, dhe shkaktuar tumore në lëkurë, mutacione të ADN-së dhe dëmtime të syve tek njerëzit dhe kafshët.

Kjo, e shoqëruar me garën e egër për burimet e pakta, trazirat e mundshme civile për shkak të urisë masive, ndryshimin e shpejtë të modeleve të motit dhe kolapsit financiar, do të prishte të gjithë jetën njerëzore, ku asnjë pjesë e planetit nuk do të mbetej e jetueshme si më parë.

Ndërsa efektet fizike të një “dimri bërthamor” do të fillonin të zhdukeshin pas një dekade, kur qielli të niste te pastrohej, pasojat katastrofike madje edhe të një konflikti bërthamor të lokalizuar, do të kishin pasoja më të gjata në kohë.

Ky skenar apokaliptik, është i bazuar në një konflikt relativisht të vogël bërthamor midis dy fuqive të vogla bërthamore, që së bashku zotërojnë 230 armë bërthamore. Ndërkohë, SHBA-ja dhe Rusia kanë së bashku 12.678 armë bërthamore. Por nuk janë të vetmet. Kina, Franca, Britania, Izraeli dhe Koreja e Veriut, kanë gjithashtu nga këto armë vdekjeprurëse, të gjitha në gjendje t’i shkaktojnë planetit tonë dëme katastrofike. / “Al Jazeera” – Bota.al