Dëshironi vajzë? Sipas disa miteve të vjetra popullore, mjafton të vendosni një lugë druri apo rroba rozë poshtë shtratit – madje edhe të mbani një monedhë në gojë gjatë marrëdhënieve.
Këto besime janë përcjellë brez pas brezi, por së fundmi kanë marrë hov në rrjetet sociale me hashtag-un #GenderSwaying, që numëron dhjetëra milionë shikime. Në TikTok e Instagram, nëna të shumta tregojnë për “strategjitë” e tyre për të pasur vajzën apo djalin që dëshironin.
Një nga metodat më të përhapura është Metoda Shettles, e zhvilluar në vitet ’60 nga gjinekologu amerikan Landrum Brewer Shettles. Sipas kësaj teorie:
Sperma me kromozom Y (që prodhon djalë) është më e shpejtë, por jeton më pak.
Sperma me kromozom X (që prodhon vajzë) lëviz më ngadalë, por qëndron më gjatë gjallë.
Bazuar në këtë, Shettles sugjeron që çiftet që duan vajzë duhet të kryejnë marrëdhënie dy ditë para ovulacionit, ndërsa ata që duan djalë, pikërisht ditën e ovulacionit.
Metoda ka marrë forma të reja si Babydust Method, e promovuar nga mikrobiologia amerikane Dr Kathryn Taylor, e cila pretendon një sukses deri në 87% – megjithëse asnjë provë klinike nuk e mbështet këtë shifër. Madje edhe aplikacione për fertilitet përdorin logjikën e Shettles për të sugjeruar “ditët e duhura” për të konceptuar vajzë apo djalë.
Disa gra në TikTok thonë se kanë pasur sukses. Një nënë me tre fëmijë rrëfeu se pas dy djemve, arriti të mbetej shtatzënë me një vajzë duke ndjekur këtë metodë. Të tjera kanë ndryshuar edhe dietën – duke konsumuar më shumë kalcium dhe magnez, në bindjen se ndihmon për vajzë – apo ushqime më alkaline për djalë.
Një studim holandez i vitit 2010 kishte sugjeruar se një dietë e pasur me kalcium dhe e varfër në kripë mund të rrisë shanset për të pasur vajzë. Por as kjo nuk është provuar gjerësisht.
Çfarë thonë ekspertët?
Specialistët e fertilitetit janë të prerë: nuk ka asnjë provë shkencore që metoda të tilla funksionojnë.
Dr Bassel Wattar, gjinekolog endokrin dhe profesor i mjekësisë riprodhuese në Universitetin Anglia Ruskin, shpjegon:
“Metoda Shettles ka dekada që ekziston, por studimet tregojnë se nuk ka asnjë efekt statistikor mbi gjininë e fëmijës. Gjithçka varet nga cili spermë – me X apo Y – arrin i pari tek qeliza vezë.”
Sa i përket dietës dhe ndryshimeve në pH vaginal, Dr Wattar thekson:
“Një pH shumë acid mund të dëmtojë apo vrasë spermën, por kjo vetëm e bën më të vështirë mbetjen shtatzënë – jo zgjedhjen e gjinisë së bebes.”
A ekziston mënyrë e sigurtë për zgjedhjen e gjinisë?
Në disa vende ku lejohet ligjërisht, si SHBA, Meksikë, Tajlandë apo Qipro, klinikat IVF mund të bëjnë biopsi embrionesh për të përcaktuar gjininë përpara implantimit.
Po ashtu, një teknikë më e re, microsorting, mund të ndajë spermën me X dhe Y – por është e kufizuar dhe shumë e kushtueshme.
Dr Wattar shton:
“Përveç IVF-it jashtë vendit, nuk ka metodë tjetër të sigurtë për të zgjedhur gjininë. Dhe çiftet që kufizojnë marrëdhëniet gjatë dritares fertile, vetëm sa vonojnë shtatzëninë.”
Megjithatë, dëshira për të zgjedhur gjininë e fëmijës mbetet e fortë. Një sondazh i vitit 2017 tregoi se gati 1 në 4 nëna britanike ishin “shumë të zhgënjyera” kur fëmija nuk ishte gjinia që kishin shpresuar.
Në përfundim, ekspertët theksojnë: as dieta, as koha e marrëdhënieve, as ritualet popullore nuk mund të garantojnë gjininë e një fëmije. E vetmja gjë që ka rëndësi është shëndeti i nënës dhe i bebes. /GazetaExpress/