Sot është edhe dita e fundit e afatit për dorëzimin e listave për kandidatë për kryetarë të komunave në KQZ.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Express ka pyetur KQZ-në se ka mundësi që ky afat të shtyhet.
Për këtë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se ky afat nuk mund të shtyhet, pasi që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, aplikimet për certifikim duhet të dorëzohen deri në 60 ditë para zgjedhjeve.
‘‘Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, aplikimet për certifikim të dorëzohen deri në 60 ditë para zgjedhjeve. Pra, afati i fundit i vendosur nga KQZ, data 13 gusht 2025, ora 23:59, është në përputhje me këtë ligj dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet”, ka thënë Elezi për Express.
Tutje, i njëjti ka deklaruar edhe se partitë përcaktojnë vetë nëse do të garojnë vetëm në Zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar.
“Subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje. Po ashtu, ato përcaktojnë vetë nëse do të garojnë vetëm në Zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar”, ka thënë ai. /GazetaExpress