A mund të përballojnë një krizë të re grupet më të varfra dhe më të cenueshme të Kosovës? - Gazeta Express
string(88) "a-mund-te-perballojne-nje-krize-te-re-grupet-me-te-varfra-dhe-me-te-cenueshme-te-kosoves"

OP/ED

Gazeta Express

22/09/2022 14:37

A mund të përballojnë një krizë të re grupet më të varfra dhe më të cenueshme të Kosovës?

OP/ED

Gazeta Express

22/09/2022 14:37

Muajve të fundit kam qenë dëshmitar i shqetësimit gjithnjë e më të madh të qytetarëve në Kosovë me rritjen e çmimeve të ushqimeve, energjisë elektrike, karburanteve dhe druve të zjarrit. Raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për çmimet e konsumit dhe analizat e tjera po përcillen me vëmendje nga mediat dhe analistët në vend, duke ofruar material të bollshëm për debate intensive në të gjitha nivelet.

Si kudo në botë, rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimit dhe energjisë është duke bërë trysni mbi shumë qytetarë në Kosovë pasi të ardhurat e tyre nuk mund t’i përballojnë ato. Gjendja është veçanërisht kritike për njerëzit që jetojnë në varfëri ose afër kufirit të varfërisë, sepse ata shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqim, fatura të energjisë dhe për të ngrohur shtëpitë e tyre gjatë dimrit, ku edhe rritjet më të vogla të çmimeve kanë implikime të mëdha në atë se sa mund të konsumojnë dhe si do të mbijetojnë edhe një ditë tjetër.

Lexo Edhe:

Në kohë krizash, është sistemi i mbrojtjes sociale të një vendi ai që është vendimtar për mbrojtjen e të varfërve dhe personave të cenueshëm. Programet e mbrojtjes sociale, që përfshijnë pensionet, ndihmën sociale dhe programet e tregut të punës, luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e grupeve më të varfra dhe më të cenueshme në shoqëri nga rënia në varfëri edhe më të madhe. Në të njëjtën kohë, ato promovojnë dhe mbrojnë investimet në arsim dhe shëndetësi dhe u ndihmojnë njerëzve të kenë vende pune më produktive, në mënyrë që të mund të jenë zot të së ardhmes së tyre dhe të dalin nga varfëria.

Investimi në sisteme funksionale të mbrojtjes sociale nuk është thjesht një imperativ moral, por është një ekonomi e mençur. Funksionimi i sistemeve të mbrojtjes sociale është po ashtu thelbësor për të promovuar fëmijë më të shëndetshëm dhe më të arsimuar dhe për të ndihmuar të rinjtë në gjetjen e vendeve të punës – krejt këto në dobi të vendit si tani ashtu edhe në të ardhmen. Kur mbështeten njerëzit e varfër dhe kur u jepen shanset për të përmirësuar jetën e tyre, ata kanë më pak gjasa të largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, një sfidë tjetër kjo që po ashtu është mjaft e pranishme në debatin aktual publik në Kosovë.

A është duke funksionuar mirë sistemi i mbrojtjes sociale në Kosovë dhe a është i përgatitur për të tejkaluar sfidat e panjohura të krizës së COVID19 dhe të ushqimit dhe energjisë? Unë do argumentoja se ende mbetet shumë për të bërë për të mbrojtur më mirë familjet e varfra, përfshirë edhe ato që punojnë shumë por që fitojnë vetëm pak sa për të pasur ushqim në tryezë, për të dërguar fëmijët në shkollë, për të paguar ilaçet dhe për t’u kujdesur për prindërit e moshuar. Ndonëse Kosova ndan një

pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj për programet e mbrojtjes sociale, efikasiteti dhe ndikimet e rishpërndarjes së këtyre programeve mund të përmirësohet. Mund të shfrytëzohet më mirë potenciali i këtyre skemave për të mbështetur individët, familjet dhe komunitetet gjatë kohërave të vështira. Por për ta bërë këtë në një mënyrë që ofron mbështetje domethënëse, duhet të ridizajnohen vetë programet.

Mangësitë në sistemin e mbrojtjes sociale në Kosovë janë më të dukshme kur e shikojmë Skemën e Ndihmës Sociale (SNS). Presioni mbi SNS është rritur përgjatë viteve, pasi shpenzimet për këtë Skemë u ulën për 8.4 për qind (pas përshtatjes për inflacionin) midis viteve 2009 dhe 2019. Numri i familjeve që marrin përfitime të SNS është zvogëluar nga mbi 40,000 në vitin 2005 në rreth 25,600 në vitin 2020. Përveç kësaj, shumë familje të varfra nuk i plotësojnë kriteret për SNS: vetëm një në katër persona në 20 përqindëshin më të varfër të popullsisë marrin përfitime të SNS-së. Kjo për shkak se kriteret e kualifikimit janë të rrepta dhe jo fleksibile, duke përjashtuar kështu shumë familje të varfra që punojnë dhe familje me fëmijë. Për t’u kualifikuar për SNS, familjet ose duhet të kenë të gjithë të rriturit të përcaktuar si ‘të varur’ (nuk kërkohet të punojnë) ose një i rritur duhet të jetë i regjistruar si i papunë dhe që përkujdeset për një fëmijë nën moshën pesë vjeç ose për një jetim nën moshën 15 vjeç. Familjet që bëjnë pjesë në këto kategori po ashtu duhet të kenë të ardhura të ulëta, shumë pak pasuri dhe kushte të këqija jetese. Kriteret e tilla kufizuese përjashtojnë të varfrit që punojnë dhe mund t’i inkurajojnë njerëzit të punojnë në sektorin joformal. Këto kritere po ashtu përjashtojnë shumë familje të varfra ku të gjithë fëmijët janë të moshës mbi pesë vjeç, edhe pse varfëria e familjeve është e prirë të rritet me rritjen a numrit të fëmijëve, pavarësisht nga mosha.

Sipas rregullimit aktual të saj, SNS nuk është një rrjet kuptimplotë i sigurisë për shumë njerëz të varfër në Kosovë, pavarësisht përpjekjeve të fundit të Qeverisë për të rritur shumën që u paguhet përfituesve çdo muaj. Kjo mangësi ishte më e dukshme gjatë pandemisë COVID-19 kur nuk ishte e mundur të zgjerohej SNS për të mbuluar familjet që kishin rënë në varfëri ose ishin bërë shumë të cenueshme pasi nuk mund të punonin më. Kjo e detyroi Qeverinë të fillojë me shpejtësi një program të ri (Masa 15) për të plotësuar këtë zbrazëti.

Gjatë angazhimit tonë me shoqërinë kosovare, politikëbërësit, përfaqësuesit e qeverisë dhe organizatat e shoqërisë civile, ne kemi dëgjuar një mesazh të qartë dhe të vazhdueshëm: Kosova nuk mund të lejojë që të jetë e papërgatitur për t’u përballur me një krizë të re ose thjesht, me një thellim të krizës aktuale. Reformimi i SNS për të mbuluar më mirë familjet shumë të varfra në Kosovë është një prioritet i menjëhershëm, që nuk mund të shtyhet më. Analiza jonë e SNS-së tregon se rishikimi i modelit të SNS-së, duke përzgjedhur familjet përfituese bazuar vetëm në statusin e tyre të varfërisë, duke marrë parasysh të ardhurat formale dhe joformale, do të rriste ndjeshëm barazinë e saj. Një reformë e tillë do t’i mundësonte SNS-së të pasqyronte më mirë profilin e varfërisë së vendit. Ajo po ashtu do të krijonte një bazë ligjore për të zgjeruar mbulueshmërinë e skemës kur të ndryshojë dinamika e varfërisë në vend, si në kohën e krizave, dhe të vihen në dispozicion më shumë mjete buxhetore për financimin e programeve të synuara për varfërinë. Përvoja e kohëve të fundit po ashtu ka treguar nevojën për të investuar në sistemet e shpërndarjes së SNS-së, përfshirë një sistem të integruar të menaxhimit të të dhënave për të kuptuar se kush çfarë përfitimesh merr. Në të njëjtën kohë, do të ishte e rëndësishme të bëhet modernizimi i sistemeve të pagesave për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në përdorimin e parave të tatimpaguesve. Këto reforma janë hapi i parë kritik drejt shqyrtimit të së

ardhmes së sistemit të mbrojtjes sociale në Kosovë, pasi ato do të ndihmonin që njerëzit më të varfër në vend të mbrohen si tani ashtu edhe në të ardhmen. Por koha për të vepruar është tani.

Shpresojmë që Kosova do të përshpejtojë reformat e saj të mbrojtjes sociale sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne jemi të gatshëm të mbështesim zbatimin e këtyre reformave, duke filluar nga forcimi i SNS-së përmes projektit për reformën e SNS-së të mbështetur nga Banka Botërore, që aktualisht është në pritje të ratifikimit nga parlamenti, i cili do të sigurojë financim për investime në sistemet e shpërndarjes së SNS-së, dhe për të rritur vlerën e përfitimeve të SNS-së dhe për zgjerimin e mbulueshmërisë së saj për të përfshirë më shumë njerëz shumë të varfër për të zbutur efektet ekonomike të krizave që po ndodhin. Reformimi i sistemeve të mbrojtjes sociale të Kosovës është thelbësor për të përmirësuar standardin e jetesës së njerëzve të varfër në vend dhe aftësinë e tyre për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Përvoja nga krizat e kaluara na tregon se kostoja e mosveprimit mund të jetë e madhe dhe me pasoja afatgjata në të ardhmen.

*Autori është Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Opinioni është shkruar ekskluzivisht për Gazetën Express.