A mund të ketë një teori të gjithçkasë? - Gazeta Express
string(38) "a-mund-te-kete-nje-teori-te-gjithckase"

A mund të ketë një teori të gjithçkasë?

Arte

Gazeta Express

22/06/2021 14:29

Michio Kaku është profesor i fizikës teorike në “City College” në Nju Jork, një ithtar i teorisë së vargjeve, por edhe një ekspert shumë popullor, me dalje të shpeshta televizive, dhe disa libra shumë të shitur që mbajnë emrin e tij. Libri i tij i fundit, “Ekuacioni i Zotit”, kombinon relativitetin e përgjithshëm të Ajnshtajnit me teorinë kuantike për të krijuar një “teori gjithëpërfshirëse të gjithçkaje”mbi natyrën e universit.

Sa besoni se shkenca është pranë arritjes së teorisë së gjithçkaje?

Lexo Edhe:

Unë mendoj se e kemi tashmë këtë teori, por jo në formën e saj përfundimtare. Ajo nuk është testuar ende, dhe fituesit e çmimeve Nobel kanë pikëpamje të kundërta në lidhje me atë që quhet teoria e vargjeve. Unë jam bashkëthemelues i teorisë së fushës së vargut, që është një nga degët kryesore të teorisë së vargut. Ndaj mundohem të jem i drejtë dhe i ekuilibruar. Besoj se jemi në prag të një epoke të re. Po zhvillohen eksperimente të reja për të zbuluar devijimet nga Modeli Standard. Për më tepër, kemi misterin mbi materien e errët. Secila prej këtyre zonave të pashkelura, mund të na japë një ide për teorinë e gjithçkaje.

Teoria e vargjeve përfshin një pjesë të madhe të fizikës teorike, një matematikë shumë të komplikuar një dhe abstraksion marramendës. Besoni se publiku i gjerë është në gjendje të kuptojë detajet e këtij debati?

Mendoj se publiku është kurioz se cilat mund të jenë pasojat e kësaj teorie. Në një farë kuptimi Universi është si një lojë shahu, dhe prej 2.000 vitesh ne jemi përpjekur që të kuptojmë se si funksionon ai. Dhe tani kemi filluar të kuptojmë se si lëviz “mbretëresha”, dhe si të bëjmë shah-mat.

Aktualisht ka pyetje të jashtëzakonshme për të cilat publiku dëshiron që të marrë përgjigje. Për shembull, udhëtimi në kohë, dimensionet e tjera, vrimat e zeza. Çfarë ndodhi para shpërthimit të madh? Çfarë ka në anën tjetër të një vrime të zezë? Asnjë nga këto pyetje nuk mund të marrë përgjigje brenda kornizës së teorisë së Ajnshtajnit. Ne duhet të shkojmë përtej Ajnshtajnit në teorinë kuantike.

Disa fizikanë e shohin si të gabuar kërkimin e një teorie gjithëpërfshirëse. Si është pritur puna juaj në këto qarqe?

E pranoj që ka një ndarje që nuk e kemi parë për shumë dekada. Më kujtohet Konferenca e Solveit kur Nils Bori dhe Albert Ajnshtajni patën pikëpamje të kundërta mbi teorinë kuantike,një nga debatet më të mëdha në historinë e shkencës. Edhe teoria e vargjeve, gjithashtu ka krijuar një interes të jashtëzakonshëm, por edhe një kundërshtim të fortë. Njerëzit thonë: Ok, po ku janë provat? Sinqerisht, ne nuk kemi prova, ashtu si Njutoni nuk kishte provën e ligjit të tij të kundërt katror në vitin 1666. Ndonjëherë, matematika dhe idetë janë përpara të dhënave konkrete eksperimentale. Këtu hyn në lojë Large Hadron Collider.

A do të ketë LHC ndikim në teorinë e gjithçkaje?

Modeli Standard është teoria e pothuajse gjithçkaje. Funksionon në mënyrë spektakolare mirë. Por është një nga teoritë më të shëmtuara të propozuara deri më tani. Vetëm me disa supozime ju merrni të gjithë modelin standard. Por ne kemi nevojë për prova eksperimentale dhe LHC mund të na japë sugjerime të një devijimi në Modelin Standard.

Ju besoni se brenda një shekulli ne do të komunikojmë me një civilizim të huaj. A shqetësoheni për pasojat që mund të sjellin alienët?

Së shpejti do të kemi teleskopin “Webb” në orbitë, nga ku do të shohim mijëra planete. Kjo është arsyeja pse mendoj që shanset janë mjaft të mëdha që të mund të kontaktojmë me një civilizim të huaj. Disa nga kolegët e mi besojnë se duhet t’u afrohemi. Por unë mendoj se kjo është një ide e tmerrshme.

Ne e dimë se çfarë ndodhi me Montezumën kur ai u takua me Kortezin në Meksikë qindra vjet më parë. Personalisht, unë mendoj se alienët do të ishin miqësorë, por ne nuk mund të rrezikojmë. Ndaj mendoj se do të kemi kontakte, por duhet të kemi shumë kujdes.

Ju e përshkruani veten si agnostik. A ju ka çuar kërkimi juaj më afër apo më larg idesësë një Zoti projektues?

Stefën Houking tha se ai nuk besonte në Zot, pasi shpërthimi i madh ndodhi menjëherë, dhe Zoti nuk kishte kohë që të krijonte një Univers, prandaj ai nuk mund të ekzistojë. Unë kam një këndvështrim tjetër. Prindërit e mi ishin budistë, dhe në budizëm ekziston Nirvana, përjetësia që nuk ka fillim dhe as fund.

Por prindërit e mi më futën në një kishë Presbiteriane, ndaj unë shkoja çdo të dielë në shkollën e Kishës dhe mësoja mbi Zanafillën dhe mënyrën se si u krijua universi në 7 ditë. Tani me idenë e multiverseve, ne mund t’i bashkojmë këto dy paradigma diametralisht të kundërta.

Sipas teorisë së vargjeve, shpërthimet e mëdha (Big Bangs) po ndodhin gjatë gjithë kohës. Madje edhe tani që flasim, Zanafilla është duke ndodhur diku në kozmos. Dhe në çfarë po zgjerohet universi? Nirvana. Hiperhapësira 11-dimensionale është Nirvana. Kështu mund të kemi Budizmin dhe filozofinë Judeo-Kristiane në një teori. / The Guardian – Bota.al