A mund ta shpëtojë Joe Biden botën - Gazeta Express
string(34) "a-mund-ta-shpetoje-joe-biden-boten"

Gazeta Express

09/10/2020 14:40

A mund ta shpëtojë Joe Biden botën

Gazeta Express

09/10/2020 14:40

Një administratë e udhëhequr nga demokrati Joe Biden mund të ndjekë një përpjekje të bashkërenduar të SHBA-së për të rinovuar multilateralizmin dhe të ndryshojë prirjen drejt një bote të ndarë rivalitetesh të mëdha. Në një kohë sfidash globale, një rezultat i tillë do të ishte në dobi të të gjithëve, përfshirë edhe të Kinës.

Nga: Kemal Derviş

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane më 3 nëntor do të ketë pasoja të rëndësishme për Amerikën përsa i takon politikës ekonomike, drejtësisë racore, gjyqësorit, kujdesit shëndetësor dhe cilësisë së përgjithshme të demokracisë së saj. Por efektet ndërkombëtare të zgjedhjeve mund të jenë po aq të gjera dhe të qëndrueshme. Në veçanti, a mundet një fitore e kandidatit demokrat Joe Biden të parandalojë një përballje të rrezikshme të fuqisë së madhe dhe të fillojë një epokë të re bashkëpunimi global?

Lexo Edhe:

Nëse presidenti Donald Trump rizgjidhet, ai nuk do të kërkonte domosdoshmërish më shumë konfrontime jashtë vendit gjatë mandatit të tij të dytë. Përkundrazi, ai mund të bëhet më pak agresiv, veçanërisht ndaj Kinës, dhe të ndjekë “marrëveshje ekonomike” sa herë që është e mundur.

Në fakt, qëndrimi i administratës Trump për “vlerat” dhe të drejtat e njeriut mund të pushojë krejtësisht. Në fund të fundit, presidenti është krejtësisht i kënaqur me autokratët dhe kritikat e ashpra të kohëve të fundit të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo për Kinën për abuzimet e të drejtave të njeriut ishin më shumë teatër elektoral sesa prova të një bindjeje morale.

Një administratë e mandatit të dytë të Trump – ashtu si e para – nuk do të përpiqej të projektonte nocione sistematike të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Në vend të kësaj, ajo do të ndiqte një qasje thjesht transaksionare ndaj diplomacisë me aleatët dhe rivalët, duke llogaritur se tregu i madh i brendshëm i Amerikës dhe aftësia ushtarako-industriale, së bashku me shtrirjen e jashtme të dollarit, do të forcojnë fuqinë e saj negociuese bilaterale, madje edhe karshi Kinës dhe Bashkimi Europian. Por,edhe marrëveshjet bilaterale mund të jenë efektive në raste specifike, neglizhenca e aleancave nga ana e Trump dhe mosrespektimi i multilateralizmit – një burim kryesor i forcës së SHBA-së për dekada – ka zvogëluar pushtetin dhe ndikimin e Amerikës.

Në fakt, pavarësisht përpjekjeve malinje të Donald Trump, Shtetet e Bashkuara mbajnë një sasi të konsiderueshme pushteti të butë, sepse shumica e botës e konsideron presidencën e tij si një devijim që nuk pasqyron karakterin “e vërtetë” të Amerikës. Por nëse Trump rizgjidhet, ai pushtet i butë do të binte në mënyrë të shpejtë. Një qasje thjesht transaksionare do të gërryente më tej sistemin multilateral tashmë të dobësuar. Nevoja për rregulla dhe standarde gjithsesi do të rritet.

Një botë multilateralizmi shumë të zbehur ka të ngjarë të kristalizohet në tre sfera rivale ndikimi – të udhëhequra nga SHBA-ja, Kina dhe Bashkimi Europian – secili me rregullat dhe standardet e veta. BE-ja mund të ketë peshë të mjaftueshme për të formuar një pol të tretë të saj, veçanërisht nëse mund të tërheqë disa vende mesatare që kanë të njëjtin mendim në sferën e saj. Nëse BE-së do t’i mungonte kohezioni për ta bërë këtë, bota do të bëhej bipolare, sepse pesha dhe tërheqja gravitacionale e SHBA-së dhe Kinës janë rende me madhësi shumë më të mëdha sesa ato të çdo rivali tjetër të mundshëm.

Një botë e tillë do të ishte joefikase, me rregulla dhe standarde të ndryshme që segmentojnë tregjet. Për më tepër, arritja e marrëveshjeve për ndarjen e barrës për të siguruar të mira publike globale siç është zbutja e klimës do të ishte shumë e vështirë. Do të ishte gjithashtu një botë e rrezikshme: pavarësisht ndërvarësisë së tyre ende të konsiderueshme, Kina dhe SHBA-ja mund të shkojnë drejt një lufte të ftohtë teknologjike që mund të nxehet, për shkak të llogaritjeve të gabuara nga të dy palët – përfshirë në lidhje me armët e reja kibernetike.

Si mund të ndryshojë e ardhmja, nëse fiton Biden-i?

Lidhur me marrëdhëniet SHBA-Kinë, jo shumë gjëra do të ndryshonin në një periudhë të afërt. Madje, fërkimet bilaterale mund të rriten, sepse një administratë Biden do ta ngrinte çështjen e të drejtave të njeriut në një mënyrë më të qëndrueshme. Tensionet aktuale mbi tregtinë, politikat industriale dhe teknologjinë do të vazhdonin dhe një rivalitet i fortë kino-amerikan do të mbetej një tipar i sistemit ndërkombëtar.

Por një administratë Biden mund të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet aktuale të Amerikës me aleatët e saj tradicionalë – veçanërisht Europën – si dhe qasjen e saj ndaj multilateralizmit. Ndjekja me forcë e një strategjie të tillë mund të parandalojë fragmentizimin joefikas dhe të rrezikshëm të rendit ndërkombëtar.

Me Biden në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja, Europa dhe shumë vende afrikane, amerikano latine dhe aziatike mund të punojnë së bashku për të vendosur rregulla dhe standarde të përbashkëta që pasqyrojnë vlera thelbësisht të ngjashme, megjithëse kompromise të vështira do të ishin të nevojshme në fusha të tilla si menaxhimi i të dhënave dhe taksimi digjital. SHBA-ja padyshim që do të angazhohej përsëri me Organizatën Botërore të Tregtisë dhe do të mbështete një sistem tregtar global të bazuar në rregulla, ndërsa kërkon gjithashtu reformat institucionale aq të nevojshme.

Amerika nën drejtimin e Biden-it gjithashtu do të mbetej anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe do të punonte për parandalimin e pandemisë në një kuadër shumëpalësh. Po kështu, ajo do t’i bashkohej përsëri marrëveshjes së klimës të Parisit 2015 dhe do të angazhohej për qëllime serioze përsa i takon zbutjes së efekteve klimatike.

Nuk është e sigurt nëse një administratë Biden do të ndiqte një axhendë të tillë për të sjellë një multilateralizëm të ri në të cilin SHBA-ja ishte një forcë udhëheqëse dhe vendimtare, por jo më një hegjemon. Megjithëse interesat e ndryshme kombëtare do të vazhdonin dhe puna për kompromise do të ishte e vështirë, vlerat themelore të ndara dhe interesi i tyre do të mund të çonin në zgjidhje të dakorduara.

Në mënyrë thelbësore, një ringjallje e suksesshme e multilateralizmit mund ta bëjë Kinën të dëshirojë të jetë pjesë e sistemit të rinovuar ndërkombëtar. Megjithëse lidershipi kinez ka deklaruar publikisht angazhimin e tij ndaj multilateralizmit global, në praktikë ai ka ndjekur një strategji të pafrenuar pushteti të fortë, i cili mund të jetë opsioni më i mirë i Kinës nëse Trump fiton përsëri.

Por, pavarësisht nga madhësia e saj, Kina nuk mund të përballojë të qëndrojë e vetme në kundërshtim me pjesën më të madhe të botës, nëse BE-ja dhe një SHBA e udhëhequr nga Biden ndjekin rregullat dhe standardet e dakorduara në bashkëpunim me shumë vende të tjera. As Kina nuk mund të bindte shumë vende të Azisë Lindore që të rreshtohen pranë saj në një skenar të tillë.

Një përpjekje e përbashkët e SHBA-së për të rinovuar multilateralizmin mund të ndryshojë prirjen drejt një bote të ndarërivalitesh të fuqive të mëdha. Në një kohë të paprecedentë sfidash globale, një rezultat i tillë do të ishte në dobi të të gjithë, përfshirë të Kinës. Kjo mund të jetë po aq e rëndësishme sa çdo ndryshim i brendshëm midis një fitoreje Trump dhe Biden.

Edhe pse ideja kryesore është se një botë e ndarë në mënyrë të rrezikshme është e pashmangshme, një angazhim vendimtar amerikan ndaj multilateralizmit mund të çojë gjithsesi në një të ardhme shumë më të mirë dhe më të sigurt. Nëse Biden fiton më 3 nëntor, demokratët me mendje ndërkombëtare në të gjitha degët e qeverisë do të duhet të mendohen mirë dhe të kenë guxim për bindet e tyre.

/ Project Syndicate