A mund ta ndalin Alzheimerin Viagrat, vaksina kundër herpes zoster dhe një ilaç për sëmundjen e neuroneve motorike? - Gazeta Express
string(113) "a-mund-ta-ndalin-alzheimerin-viagrat-vaksina-kunder-herpes-zoster-dhe-nje-ilac-per-semundjen-e-neuroneve-motorike"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

21/11/2025 19:39

A mund ta ndalin Alzheimerin Viagrat, vaksina kundër herpes zoster dhe një ilaç për sëmundjen e neuroneve motorike?

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

21/11/2025 19:39

Studime të reja sugjerojnë se Viagra, vaksina kundër herpes zoster dhe një ilaç i përdorur për sëmundjen e neuroneve motorike (MND) mund të luajnë rol të rëndësishëm në luftën kundër Alzheimerit.

Nëse efektiviteti i tyre konfirmohet, këto barna mund të futen shpejt në përdorim nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Britani (NHS), duke ndryshuar jetën e rreth një milion qytetarëve që jetojnë me demencë – e cila është tashmë shkaku kryesor i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Zhvillimi i barnave të reja nga fillimi kërkon nga 10 deri në 15 vjet, kosto marramendëse miliardëshe dhe nuk garanton sukses. Por ripërdorimi i medikamenteve që tashmë janë aprovuar për sëmundje të tjera ofron një rrugë më të shpejtë, më të sigurt dhe më të leverdishme drejt trajtimeve potenciale për demencën.

Një panel akademikësh, mjekësh dhe pacientësh analizoi 80 barna ekzistuese për të identifikuar ato që mund të kenë efekt më të madh kundër Alzheimerit — sëmundje për të cilën aktualisht nuk ekziston një kurë. Rezultatet e studimit, të publikuara në revistën Alzheimer’s Research, treguan se tre medikamente kishin potencial të lartë pas disa raundeve vlerësimi.

Zgjedhja u bë mbi bazën e efektit të tyre në mekanizmat kyç të sëmundjes, rezultateve të mira në studimet laboratorike dhe sigurisë së provuar tek të moshuarit.

Vaksina kundër herpes zoster (Zostavax) u përzgjodh pasi hulumtimet tregojnë një lidhje të mundshme midis virusit dhe demencës, sidomos sa i përket ndryshimeve në sistemin imunitar.

Sildenafil, i njohur gjerësisht si Viagra, ndihmon në mbrojtjen e qelizave nervore dhe zvogëlon grumbullimin e proteinës toksike tau në tru. Tek minjtë, sildenafil ka përmirësuar gjithashtu funksionin kognitiv — efekt që besohet të vijë nga rritja e qarkullimit të gjakut në tru.

Riluzole, ilaçi i përdorur për MND, po ashtu tregoi rezultate premtuese në uljen e niveleve të proteinës tau në studimet me kafshë.

Ekipi i udhëhequr nga profesorët Clive Ballard dhe Anne Corbett nga Universiteti i Exeterit rekomandon që këto barna të testohen në prova klinike për të kuptuar përfitimet e tyre për njerëzit që kanë ose janë në rrezik të zhvillimit të Alzheimerit. Sipas tyre, vaksina kundër herpes zoster paraqet potencialin më të madh — veçanërisht sepse kërkon maksimumi dy doza dhe ka një rekord të fortë sigurie.

Dr. Corbett theksoi:

“Fitimi i betejës ndaj demencës kërkon çdo rrugë të mundshme — nga përdorimi i asaj që tashmë dimë, te zbulimi i barnave të reja për ta trajtuar dhe parandaluar. Ripërdorimi i barnave është një pjesë thelbësore e këtij procesi, duke e kthyer ilaçin e sotëm për një sëmundje në trajtimin e nesërm për një tjetër.”

Megjithatë, ajo paralajmëroi se nevojiten studime të mëtejshme klinike përpara se këto barna të konsiderohen trajtime potenciale për Alzheimerin.

Studiuesit shpresojnë të nisin së shpejti një provë të madhe klinike të vaksinës kundër herpes zoster në Mbretërinë e Bashkuar.

Profesorja Fiona Carragher, drejtuese e politikave dhe kërkimeve në Alzheimer’s Society — që bashkëfinancoi studimin — deklaroi:

“Demenca shkatërron jetë, por ne besojmë se hulumtimi do ta mposhtë atë. Zbulimi i barnave të reja nga e para është proces i gjatë dhe i kushtueshëm, dhe shumë trajtime të reja dështojnë në fazat e testimit. Ripërdorimi i barnave ekzistuese mund të jetë çelësi i përparimit, ashtu si dikur aspirina u kthye nga qetësues dhimbjesh në ilaç që redukton rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru.”

Ajo shtoi se kombinimi i kësaj qasjeje me trajtimet e reja të këtij viti, si lecanemab dhe donanemab, ofron më shumë arsye shprese se kurrë më parë për pacientët dhe familjet e tyre. /GazetaExpress/