A konsiderohet çdo mos deklarim ose deklarimi i rremë i pasurisë i të ardhurave, dhuratave, i dobisë materiale ose i detyrimeve financiare vepër penale sipas Nenit 430 të KPK - Gazeta Express
string(172) "a-konsiderohet-cdo-mos-deklarim-ose-deklarimi-i-rreme-i-pasurise-i-te-ardhurave-dhuratave-i-dobise-materiale-ose-i-detyrimeve-financiare-veper-penale-sipas-nenit-430-te-kpk"

A konsiderohet çdo mos deklarim ose deklarimi i rremë i pasurisë i të ardhurave, dhuratave, i dobisë materiale ose i detyrimeve financiare vepër penale sipas Nenit 430 të KPK

OP/ED

Gazeta Express

03/01/2025 11:35

Një  vendim i Gjykatës Supreme i viti 2024 , ku ishte miratuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e një zyrtari të dënuar  për mos-deklarim të pasurisë, për një pasuri që vitet e mëparshme e kishte deklaruar, por vitin e fundit(2022) kishte harruar ta deklaroj, me rastin e plotësimi të formularit  dhe i pandehuri ishte liruar nga akuza, me arsyetim se mos deklarimi apo deklarimi i parregullt,  i pasurisë e përfituar ligjërisht nuk paraqet vepër penale sipas nenit 430 , u bë shkas i debateve në opinion, i iniciuar nga Agjencioni Anti Korrupsion, ku zyrtarët e këtij Agjencioni , publikisht ishin deklaruar: “se vendimi i Gjykatës Supreme është i paligjshëm” , ngase sipas opinionit të tyre,  çdo mos deklarim i pasurisë, pavarësisht si është fituar ajo,  paraqet vepër penale, për faktin se neni 17. i Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, ishte shfuqizuar në vitin 2014 .

Çfarë masa ndëshkimore parashihte Ligji i viti 2011, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë?

Lexo Edhe:

Në kapitullin VI. neni 17 , i këtij ligji, për mos përmbushje të detyrimeve nga ky Ligj , parashihen këto masa:

Kushdo që shkelë detyrimet e përcaktuara me këtë ligj, që nuk janë vepra penale, zyrtari i lartë publik bënë kundërvajtje dhe dënohet si:

1.1 me gjobë prej njëmijë (1000) deri dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohet për kundërvajtje zyrtari i lartë publik për mos deklarim të rregullt vjetor të pasurisë;

1.2 me gjobë prej njëmijë (1000) deri dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohet për kundërvajtje zyrtari i lartë publik për mos deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës;

1.3 me gjobë prej njëmijë e pesëqind (1500) deri dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohen për kundërvajtje zyrtarët e lartë publikë për mos deklarim të pasurisë me kërkesën e Agjencisë.

1.4 Me gjobë prej njëmijë (1000) deri në dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohen për kundërvajtje zyrtarët e lartë publikë për mos deklarim të pasurisë pas largimit nga funksioni;

1.5 Me gjobë prej njëmijë (1000) deri në dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohet për kundërvajtje subjekti që sipas kërkesës së Agjencisë nuk vepron në pajtim me paragrafin 3. të nenit 15 të këtij ligji.

Në nenin 17.pargrafi 5 shprehet: nëse shkelja e detyrimeve të përcaktuara nga ky ligj përbën vepër penale, Agjencia ushtron kallëzim penal.

Neni 18 .par.1.thuhet se nëse ka dyshim të bazuar për kundërvajtje Agjencia ushtron kërkesë për kundërvajtje.

Me ligjin nr. 04/l-228 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, neni 17 është riformuluar  kësisoj:

Neni 11 neni 17 i ligjit bazik riformulohet me tekstin si në vijim: neni 17 .1. agjencia paraqet kallëzim penal në prokurorinë kompetente ndaj zyrtarit të lartë publik i cili shkel detyrimet e parapara me këtë ligj, e që përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

                Dy vite më vonë , përkatësisht në vitin 2013 ( janar) ka filluar të zbatohet Kodi i ri Penal i Kosovës i miratuar në dhjetor të vitit 2012, ku për herë të parë e parasheh si vepër penale mos deklarimin apo deklarimin e parregullt të pasurisë.

Struktura e normës penale –neni 437 i KPK të vitit 2012

      Kjo normë i përmban dy forma të veprimin dhe një paragraf konfiskimi: Norma në aspektin strukturor duket si në vijim:

1. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.

2. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

3. Vlera e padeklaruar  ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, e cila është fituar në mënyrë jo ligjore konfiskohet

Kodi Penal i viti 2019 , këtë vepër penale e ka paraparë në nenin 430 , e cila normë dallon nga Kodi Penal i viti 2012,  vetëm sa i përket paragrafit 3 , ngase,  derisa neni 3. i KPK. të vitit 2012 shprehet “Vlera e padeklaruar  ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, e cila është fituar në mënyrë jo ligjore konfiskohet” paragrafi 3 i nenit 430 të KPK i viti 2019, shprehet: “Vlera e padeklaruar  ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore konfiskohet”.

Analiza e nenit 17 të  Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i vitit 2011.

Ligji i vitit 2011, në mënyrë eksplicite në nenin 17 paragrafi 1. për mos deklarim apo deklarim të parregullt të pasurisë të zyrtarit publik nëse nuk është vepër penale parashihte kundërvajtje dhe dënime për kundërvajtje që i shqiptonin gjykatat e atëhershme për kundërvajtje.

Meqenëse në kohën kur është aplikuar ky Ligj ( 2011), në Kodin Penal të Kosovës nuk ka pas vepër penale të veçantë për mos deklarim të pasurisë, ligjvënësi kur ka përdorë shprehjen: “nëse nuk përbën vepër penale “ ka menduar në pasurinë e pa deklaruar,  por të fituar në mënyrë të paligjshme, me keqpërdorim të detyrës zyrtare, ryshfet apo forma tjera kriminale, ndërsa për pasurinë e pa deklaruar apo të deklaruar në mënyrë të jo të rregullt, por të fituar në mënyrë të ligjshme, ka paraparë vetëm kundërvajtje dhe deri në vitin 2013,  kur ka filluar të zbatohet Kodi i ri Penal,  i cili në nenin 327 ka paraparë si vepër të veçantë mos deklarimin apo deklarimin e parregullt, nuk ka pas asnjë kallëzim penal, por vetëm kallëzime për kundërvajtje.

A ka efekte Ligji nr. 04/l-228 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/l-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, ku neni 17 i Ligjit të vitit 2011 është hequr dhe riformuluar, të cilin ndryshim zyrtarët nga Agjencioni Antikorrupsion po e marrin si argument, për ta goditur dhe kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës Supreme.

Me këto ndryshime, është hequr neni 17 i Ligjit të viti 2011, që për mos deklarim apo deklarim të parregullt të pasurisë, të përfituar në mënyrë të ligjshme  parashihte kundërvajtje , sigurisht duke menduar se  me hyrjen në fuqi të KPK të vitit 2012, çdo mos deklarim apo deklarim të parregullt, pavarësisht si është fituar sipas nenit 427 të KPK, paraqet vepër penale dhe kanë pushuar arsyet që për veprime të tilla të parashihet edhe kundërvajtje. Qasja e tillë e ligjdhënësit, ka qenë  gabim,  ngase ka de-kriminalizuar një veprim të paligjshëm, ka heqë bazën ligjore për shqiptimin e dënimit për kundërvajtje zyrtarit që nuk e deklaron apo e deklaron në mënyrë të parregullt pasurinë  që megjithatë e ka të fituar në mënyrë të ligjshme dhe se heqja e nenit 17. nuk ka asnjë efekt në nenin 427.të KP të viti 2012,  as në raport me nenin  430, i KPK i vitit 2019, për arsye si në vijim:

E para , nëse i referohemi nenit 427 të KPK të viti 2012 , ky nen ka sanksionuar  si vepër penale,si pasurinë e përfituar në mënyrë të ligjshme ashtu edhe atë të përfituar në mënyrë të paligjshme,  ngase ka përdorur shprehjen :” Vlera e padeklaruar  ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, e cila është fituar në mënyrë jo ligjore konfiskohet “, mirëpo , vetëm kur vepra penale mos deklarimi apo deklarimi i parregullt i pasurisë është kryer me dashje,  por jo edhe me pakujdesi , ngase sipas nenit 17.par.2.të KPK, kryesi përgjigjet për veprën penale të kryer me pakujdesi vetëm nëse këtë shprehimisht e përcakton ligji, ndërsa neni 427, nuk ka asnjë paragraf që e sanksionon pakujdesinë d.m.th. kur zyrtari publik nga neglizhenca, nonshalanca, gabimi,  nuk e deklaron apo e deklaron gabimisht pasurinë, e që ligjërisht e ka të fituar, ai nuk mund të procedohet  penalisht sipas nenit 427,  për faktin  se ligji nuk e sanksionon pakujdesinë,  por vetëm dashjen. Kur zyrtari nuk e deklaron apo e deklaron gabimisht pasurinë e përfituar në mënyrë të ligjshme, bëhet fjalë për pakujdesi ( formë e fajit ), ngase ai nuk ka asnjë arsye të mos e deklarojë pasurinë e fituar në mënyrë të ligjshme,  për faktin se është koshient se do i nënshtrohet procedurave që atij i shkaktojnë dëm të parikuperueshëm. 

E dyta, për çdo jurist që di juridikisht të lexoj normën, nuk është e mundur që për veprime të njëjta të parashihen kundërvajtje dhe vepër penale, e që t’i mundësojë ligj zbatuesi që ai të zgjedhë njërën nga këto, ndërsa Agjencioni Anti Korrupsion , që nga  vitit 2013 , për çdo mos deklarim apo deklarim të parregullt ka parashtruar vetëm kallëzime penale.

Kodi penal i viti 2019, për dallimi nga ai i vitit 2012,  në nenin  430 , si vepër penale ka sanksionuar vetëm po qe se pasuria e padeklaruar apo e deklaruar në mënyrë të parregullt është përfituar në mënyrë të paligjshme,  për arse si në vijim :

Shprehje eksplicite në paragrafin 3. të nenit 430 të KPK, se ”vlera e padeklaruar  ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë konfiskohet”  për dallim nga KP i vitit 2012,  se konfiskohet :”pasuri e përfituar në mënyrë të paligjshme” shpie në përfundim të padiskutueshëm se “ratio legi –qëllimi i ligjvënësit ”   ka qenë që të sanksionojë si vepër penale vetëm pasuri e padeklaruar apo e deklaruar rrejshëm , e që është fituar në mënyrë të paligjshme , ngase paragrafi 3. nuk i lë gjykatës diskrecion rreth konfiskimit, për faktin se nuk përdor shprehjen “ mund t’i konfiskohet”, por “i konfiskohet” dhe ky paragraf (3) derivon nga 92.par.1.i KPK, i cili shprehet “Konfiskohet  pasuria e përfituar me vepër penale”, nuk mund të konfiskohet pasuria e padeklaruar por që është legjitime në çdo aspekt.

Qasja e këtillë e ligj zbatuesve nga viti 2013, deri në vitin 2024, kur Gjykata Supreme me një aktgjykim sqaroi se çka konsiderohet vepër penale sipas nenit 430. të KPK dhe  ku të gjithë zyrtarët e lartë, që nga neglizhenca apo gabimet nuk e kanë deklaruar pasurinë sikundër obligon ligji, të cilën pasuri  e kanë pasur të ligjshme në çdo dimension, janë proceduar dhe dënuar për vepër penale, ka minuar  parimi fondamental në të drejtën penale “Nullum crimen, nullum poena sine lege “ duke ju shkaktuar dëm të parikuperueshëm zyrtarëve të tillë.

Si e ka rregulluar këtë çështje Ligji  për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i viti 2022.

Atë që u sqarua më sipër, se askush nuk ka mund të procedohet penalisht për mos deklarim apo deklarim të parregullt të pasurisë,  të cilën zyrtari  ligjërisht e ka  pas të përfituar, konfirmohet edhe nga mënyra se si e ka rregulluar këtë çështje Ligji i viti 2022, i cili në nenin  28 paragrafi 4.   shprehet : nëse subjekti deklarues, edhe pas shqiptimit të gjobës, por jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike nga dita kur është dashur të përmbush detyrimin sipas nën paragrafëve 1.1. deri 1.4. të këtij neni, nuk përmbush detyrimin, atëherë Agjencia bën kallëzim penal tek prokuroria përkatëse.

Sipas paragrafit 4 të nenit 28. rezulton se Zyrtari publik procedohet penalisht vetëm nëse pas kalimit të afatit prej 15 ditësh ai nuk e deklaron apo nuk i eviton parregullsitë që janë evidentuar në formularin e paraqitur?

Mënyra si është rregulluar tani me ligj, rezulton se neni 430. i KPK, kurrë më nuk do të zbatohet, për faktin se, secili zyrtar publik, pas vërejtjes, do i përmbush detyrimet siç e kërkon paragrafi 4,  ngase asnjë zyrtar nuk është naiv e të lejojë që të procedohet penalisht, duke i ditur pasojat e fillimit të procedurës penale ndaj tij, ndërsa këto vepra penale denoncohen vetëm nga Agjencioni.

Nëse zyrtari publik brenda afatit shtesë e deklaron pasurinë apo nuk e deklaron , Agjencioni me mekanizmat e vet,  zhvillon hetime administrative dhe nëse vërteton se pasuria e deklaruar më pas apo që nuk është deklaruar fare edhe pas kalimit të afatit shtesë,  ligjërisht nuk është e mbuluar,  në rrethana të tilla çështja procedohet në prokurori.

Fakti se dikush i përmbush detyrimet e deklarimit sipas Ligjit, nuk e dekriminalizon veprën penale, nëse veprimi apo mos veprim përmban tipare qenësore të veprës penale nga neni 430 i KPK, (  deklarimi i pasurisë është detyrim ligjor administrativ ) dhe pavarësisht çka thotë paragrafi 4.i nenit 28, i këtij Ligji, Agjencioni ka detyrim ligjor që nëse nga hetimet e brendshme rezulton se pasuria nuk është e mbuluar ligjërish,  rastin ta procedojë në prokurori.

Nëse dum që ta sanksionojmë si vepër penale edhe mos deklarimin apo deklarimin e parregullt të pasurisë së fituar në mënyrë të ligjshme, atëherë duhet riformuluar neni 430 i KPK, duke i shtuar edhe një paragraf,  kur ai nuk e deklaron pasurinë e ligjshme, ngase u sqarua më sipër, neni aktual 430, e sanksionon si vepër penale  vetëm për pasurinë e padeklaruar që  është e përfituar me veprime të paligjshme dhe nuk mund të kenë pozitë të njëjtë penalo juridike si ai që nuk e deklaron pasurinë e përfituar në mënyrë të ligjshme si ai që pasurinë e ka përfituar me veprime kriminale edhe pse,  nuk ka fare nevojë të ndryshohet as plotësohet neni aktual 430 i KPK-së, ngase  Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i viti 2022. ka paraparë dënime administrative ( jo të vogla) për ata që nuk e deklarojnë pasurinë e përfituar në mënyrë të ligjshme.

(Autori është ish – Kryetar i Gjykatës Supreme)