A kemi nevojë për një Teori të re të Evolucionit? - Gazeta Express
string(48) "a-kemi-nevoje-per-nje-teori-te-re-te-evolucionit"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

18/07/2022 13:47

A kemi nevojë për një Teori të re të Evolucionit?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

18/07/2022 13:47

Darvini kishte vënë re se me kalimin e kohës, gjallesat dukej se ndryshonin për t’iu përshtatur më mirë mjedisit të tyre. Por ai nuk e kuptoi se si këto ndryshime kalonin nga një brez tek tjetri

Nga Stephen Buranyi

Lexo Edhe:

Sado e çuditshme që mund të tingëllojë, shkencëtarët nuk i dinë ende përgjigjet e disa prej pyetjeve më themelore se si evoluoi jeta në Tokë. Për shembull marrim rastin e syve. Nga vijnë saktësisht ato? Shpjegimi i zakonshëm se si i kemi marrë këto organe tejet komplekse mbështetet në teorinë e përzgjedhjes natyrore.

Ju mund ta mbani mend thelbin nga leksionet e biologjisë në shkollë. Nëse një krijesë me shikim të dobët ndodh që të prodhojë pasardhës me shikim pak më të mirë, falë mutacioneve të rastësishme, atëherë ky shikim pak më i mirë u jep atyre më shumë mundësi për të mbijetuar.

Sa më gjatë të mbijetojnë, aq më shumë shanse kanë për t’u riprodhuar, dhe për t’ua përcjellë brezave të tjerë gjenet që i pajisën me një shikim pak më të mirë. Nga ana tjetër disa nga pasardhësit e tyre, mund të kenë shikim më të mirë se prindërit e tyre, duke e bërë më të mundshëm riprodhimin e tyre. E kështu me radhë.

Brez pas brezi, gjatë periudhave kohore shumë të gjata, shtohen avantazhe të vogla. Në fund, pas disa qindra milionë vitesh, kemi krijesa që mund të shohin po aq mirë sa njerëzit, macet ose bufat. Kjo është historia bazë e evolucionit, siç tregohet në shumë libra shkollorë dhe libra shkencorë bestseller.

Por sipas një numri gjithnjë e më të madh shkencëtarësh, kjo teori është shumë përgjithësuese dhe për pasojë e pasaktë në shumicën e rasteve. Së pari, në rastin e syve historia nis në mes, duke marrë të mirëqenë ekzistencën e qelizave të ndjeshme ndaj dritës, lenteve dhe irisit, pa shpjeguar fillimisht se nga erdhën ato.

Dhe nuk janë vetëm sytë. “Syri i parë, krahu i parë, placenta e parë. Si janë krijuar ato? Shpjegimi i tyre është motivimi themelor i biologjisë evolucionare. Por ne nuk kemi ende një përgjigje të mirë. Ideja klasike e ndryshimit gradual, ka rënë tashmë”- thotë Armin Mozek, biolog në Universitetin e Indianës, SHBA.

Sigurisht, ka ende disa parime thelbësore evolucionare, të cilat nuk vihen në dyshim nga asnjë shkencëtar. Kështu të gjithë pajtohen se përzgjedhja natyrore luan një rol tek evolucioni, ashtu si mutacioni dhe rastësia. Por se si bashkëveprojnë saktësisht këto procese, dhe nëse kanë rol edhe forca të tjera, kjo mbetet objekt i debateve të forta.

“Në rast se nuk mundemi që t’i shpjegojmë dot gjërat me mjetet që kemi tani, ne duhet të gjejmë mënyra të reja”- më tha biologu i Universitetit të Jeilit në SHBA, Gynter Vagner. Në vitin 2014, 8 shkencëtarë vendosën që të përballen me këtë sfidë. Ata botuan një artikull në revistën “Nature” me pyetjen “A ka nevojë për rishikim Teoria e Evolucionit”.

Përgjigja e tyre ishte: “Po, dhe urgjentisht madje”. Secili prej autorëve vinte nga disiplina shkencore të dekadave të fundit, nga studimi i mënyrës se si organizmat e ndryshojnë mjedisin e tyre, që të reduktojnë presionin normal të përzgjedhjes natyrore – mendoni pak për kastorët që ndërtojnë diga – deri te kërkimet e reja, të cilat tregojnë se modifikimet kimike të shtuara në ADN gjatë jetëve tona mund t’u kalojnë pasardhësve tanë.

Autorët kërkuan një kuptim të ri të evolucionit, që mund të krijonte hapësirë për zbulime të tilla. Emri që ata i dhanë këtij kuadri të ri ishte Sinteza e Zgjeruar Evolucioniste (EES). Por për shumë kolegë propozimet e tyre ishin të diskutueshme. Pas debatit aktual mbi evolucionin qëndron një ëndërr e thyer.

Në fillimin e shekullit XX-të, shumë biologë kërkuan për një teori unifikuese, që do të mundësonte bashkimin e fushës së tyre me fizikën dhe kiminë. Nga këndvështrimi i sotëm, është qartë se Teoria e Evolucionit e Darvinit – një teori e thjeshtë, elegante që shpjegon se si një forcë, apo përzgjedhja natyrore, i dha formë të gjithë zhvillimit të jetës në Tokë – dhe do të luante rolin e unifikuesit të madh.

Por në fillim të shekullit të kaluar, 4 dekada pas botimit të librit “Mbi origjinën e specieve”, dhe 2 dekada pas vdekjes së tij, idetë e Darvinit ishin në rënie. Shkencëtarët nuk e kishin humbur interesin për evolucionin, por shumë prej tyre e cilësuan si të pamjaftueshëm rrëfimin e Darvinit për të.

Një problem i madh ishte se i mungonte shpjegimi i trashëgimisë. Darvini kishte vënë re se me kalimin e kohës, gjallesat dukej se ndryshonin për t’iu përshtatur më mirë mjedisit të tyre. Por ai nuk e kuptoi se si këto ndryshime kalonin nga një brez tek tjetri. Në fillim të shekullit XX-të, rizbulimi i punës së priftit të shekullit XIX-të dhe babait të gjenetikës, Gregor Mendel, filloi që të japë përgjigjet. Shkencëtarët që punojnë në fushën e re të gjenetikës, zbuluan rregulla që rregullonin veçoritë e trashëgimisë. Por në vend se ta konfirmonin teorinë e Darvinit, ata e ndërlikuan atë. Riprodhimi dukej se i ripërziente gjenet – njësitë misterioze që programojnë tiparet fizike – në mënyra të habitshme. Mendoni pak se si flokët e kuq të gjyshit, mungojnë tek djali i tij, por mund të rishfaqen tek mbesa e tij.

Një zhvillim edhe më shqetësues për darvinistët ishte shfaqja e “mutacionistëve” në vitet 1910, një shkollë gjenetistësh, ku figura kryesore e saj, Tomas Morgan, tregoi se duke mbarështuar miliona miza frutash – dhe duke e spërkatur nganjëherë ushqimin e tyre me elementin radioaktiv radium – ai mund të prodhojë tipare të ndryshuara si ngjyra të reja të syve apo gjymtyrë shtesë.

Këto nuk ishin variacionet e vogla të rastësishme mbi të cilat u ndërtua teoria e Darvinit, por ndryshime të papritura, dramatike. Dhe rezultoi se këto mutacione ishin të trashëgueshme. Mutacionistët besonin se kishin identifikuar forcën e vërtetë krijuese të jetës. Sigurisht, përzgjedhja natyrore ndihmoi për të zhdukur ndryshimet e papërshtatshme.

Por ajo ishte thjesht një redaktuese e zhurmshëm e poezisë së mrekullueshme të mutacionit. “Natura non facit saltum”, kishte shkruar një herë Darvini: “Natyra nuk bën kërcime”. Mutacionistët u lutën që gjërat të ndryshonin. Në vitet 1920-1930, duke punuar veçmas, britaniku Ronald Fisher dhe blegtori amerikan Siuoll Rajt, propozuan një teori të rishikuar të evolucionit, që përmblidhte përparimet shkencore që nga vdekja e Darvinit, por që premtoi ende të shpjegonte të gjitha misteret e jetës me disa rregulla të thjeshta.

Në vitin 1942, biologu anglez Xhulian Haksli shpiku emrin për këtë teori: sinteza moderne. Tetëdhjetë vjet më vonë, ajo ofron ende kuadrin bazë për biologjinë evolucionare, pasi u mësohet çdo vit miliona nxënësve dhe studentëve. Duke ndërtuar modele statistikore të popullatave të kafshëve që bazoheshin tek ligjet e gjenetikës dhe mutacioneve, sintetistët modernë treguan se gjatë periudhave të gjata kohore, përzgjedhja natyrore funksiononte ende siç kishte parashikuar Darvini.

Në tërësinë e kohës, mutacionet ishin shumë të rralla për të qenë të rëndësishme, dhe rregullat e trashëgimisë nuk ndikuan në fuqinë e përgjithshme të seleksionimit natyror. Përmes një procesi gradual, gjenet me avantazhe u ruajtën me kalimin e kohës, ndërsa të tjerët që nuk jepnin përparësi u zhdukën.

Por shumë shpejt, edhe sinteza moderne do të kritikohej nga shkencëtarët brenda departamenteve që kishin ndihmuar në hartimin e kësaj teorie. Në vitin 1959, biologu C.H. Uadington tha se sinteza moderne kishte anashkaluar teoritë e vlefshme, në favor të “thjeshtimeve drastike që mund të na çojnë në një pamje të rreme se si funksionon procesi evolucionar”.

Pastaj nga fundi i viteve 1960 erdhën disa zbulime të reja, që vunë në pikëpyetje themelet e teorisë. Ndërsa sintetistët modernë e shikonin jetën sikur përmes një teleskopi, duke studiuar zhvillimin e popullsive të mëdha në periudha kohore të pafundme, biologët molekularë e panë atë përmes një mikroskopi, duke u fokusuar tek molekulat individuale.

Ata zbuluan se përzgjedhja natyrore nuk ishte forca e gjithëfuqishme që kishte supozuar shumëkush, dhe zbuluan se molekulat në qelizat tona – dhe kësisoj edhe sekuencat e gjeneve pas tyre – po ndryshonin me një shpejtësi shumë të lartë.

Biologu Eugjen Kunin, mendon se njerëzit duhet të mësohen me teoritë që nuk përshtaten së bashku. “Për mendimit tim nuk ka – nuk mund të ketë – një teori të vetme të evolucionit. Nuk mund të ketë një teori të vetme për gjithçka. Edhe fizikantët nuk kanë një teori për gjithçka”-thotë ai.

Marrë me shkurtime nga “The Guardian” – Bota.al