A kanë vërtet njerëzit një instinkt vrasës brenda vetes - Gazeta Express

Arte

Gazeta Express

17/09/2021 17:40

A kanë vërtet njerëzit një instinkt vrasës brenda vetes

Arte

Gazeta Express

17/09/2021 17:40

Në vitet 1960, krahas teorive dominuese psikologjike dhe neuroshkencore rreth agresionit njerëzor, u shfaq një pretendim i ri, sipas së cilit agresioni ishte një instinkt njerëzor. Duke u bazuar tek shkencat e evolucionit dhe sjelljes së kafshëve, kjo “teori e instiktit” pretendonte se agresioni njerëzor ishte një trashëgimi e së kaluarës sonë të gjatë stërgjyshore, dhe një prirje e integruar dhe e ndarë me shumë lloje të tjera kafshësh

Nga Nadine Weidman

Lexo Edhe:

Të tmerruar nga mizoritë e shekullit XX-të, një sërë shkencëtarësh janë përpjekur të shpjegojnë se pse qeniet njerëzore iu drejtuan dhunës. Themeluesi i psikanalizës Sigmund Frojd thoshte se “njeriu për njeriun është ujk”, i prirur për urrejtje, shkatërrim dhe vdekje. Neuroshkencëtari Pol Maklin pretendonte se prirjet e dhunshme të njerëzve, mund ta kenë origjinën tek truri i tyre primitiv. Ndërkohë psikologu social Albert Bandura e kundërshtonte idenë se agresioni ishte i lindur, pasi sipas tij ai ishte një imitim i sugjeruar nga mjedisi dhe rrethanat.

Pavarësisht polemikave që ndezën, teori të tilla arritën shpesh të kenë statusin e ideve të gjithë-pranuara nga shoqëritë. Po çfarë i bën të vërteta pretendimet mbi natyrën njerëzore? Si e fitojnë ato besueshmërinë? Ato mund të mbështeten në eksperimente, studime të rasteve ose vëzhgime, por vetëm provat nuk janë kurrë të mjaftueshme për të bindur.

Për shkak se ato synojnë të përfshijnë gjithë njerëzimin, teori të tilla duhet të shkojnë gjithmonë përtej provave të tyre. Ato arrijnë të na bindin duke i bërë thirrje përvojës së zakonshme, dhe duke shpjeguar ngjarjet e njohura, duke krijuar kësisoj tronditje në audiencën e tyre, një kuptim të papritur se “kjo duhet të jetë e vërtetë”.

Ata përdorin personazhe dhe një narracion të mirë, duke nxjerrë prej tyre mësime morale.

Në vitet 1960, krahas teorive dominuese psikologjike dhe neuroshkencore rreth agresionit njerëzor, u shfaq një pretendim i ri, sipas së cilit agresioni ishte një instinkt njerëzor.

Duke u bazuar tek shkencat e evolucionit dhe sjelljes së kafshëve, kjo “teori e instiktit” pretendonte se agresioni njerëzor ishte një trashëgimi e së kaluarës sonë të gjatë stërgjyshore, dhe një prirje e integruar dhe e ndarë me shumë lloje të tjera kafshësh.

Një risi domethënëse e kësaj teorie, ishte pohimi i saj se agresioni njerëzor nuk ishte tërësisht shkatërrues, por se kishte një anë pozitive, madje edhe konstruktive. Përkrahësit e tij ishin shkrimtarë të talentuar. Bestselleri i Robert Ardrej “Gjeneza afrikane” (1961) fitoi vëmendjen e shumë amerikanëve.

Një skenarist i Hollivudit i shndërruar në një shkrimtar të rrëfimeve mbi fanta-shkencën, Ardrej shkoi në Afrikën e Jugut, që në atë kohë ishte një nga vendet kryesore për gërmimin e mbetjeve njerëzore parahistorike. Në Johanesburg, ai takoi Rejmond Dartin, zbuluesin e një kafke të fosilizuar 2 milionë vjeçare, për të cilën Dart besonte se ishte paraardhësi më i lashtë njerëzor i zbuluar ndonjëherë.

Ndonëse kjo krijesë ecte drejt mbi 2 këmbë, trungu i saj ishte i vogël dhe dukshëm si majmun, ndaj Dart e quajti Australopithecus africanus, majmuni jugor nga Afrika. Ai zbuloi se mbetjet e Australopitekut ishin zakonisht të rrethuara nga kocka të kafshëve të fosilizuara në mënyrë të barabartë, sidomos kockat e gjata e të rënda të antilopave.

Por ato kocka ishin formuar dhe gdhendur me kujdes. Dart u trondit kur kuptoi se ato ishin armë. Skajet e tyre me doreza të dyfishta,përputheshin në mënyrë të përkryer me vrimat dhe gropat që Dart vuri re tek kafkat e tjera të Australopitekëve të fosilizuar.

Dy përfundime u dukën si pashmangshme. Së pari, ky paraardhës proto-njerëzor nuk ishte thjesht një gjahtar; por edhe një vrasës i llojit të tij. Së dyti, përdorimi i armëve prej kocke nuk ishte vetëm një akt shkatërrues. Përkundrazi, ai pati pasoja të mëdha për evolucionin njerëzor.

Të çliruar nga roli i tyre në lëvizje, pjesët e përparme të trupit u bënë të disponueshme për manipulime më të imta, të cilat më pas nxitën zgjerimin e trurit të njeriut. Dart teorizoi se pajisja me një armë, ishte elementi që nxiti përparimin njerëzor. Në ritregimin e kësaj historie nga Ardrej, hipoteza e Dart u bë edhe më dramatike.

Savana e lashtë afrikane ishte shtëpia e Australopithecus robustus, një kushëri itij vegjetarian dhe i paarmatosur, që ishte njëherazi viktima e tij. Në romanin e Ardrej, një Australopithecus africanus i shkathët dhe i pamëshirshëm, arriti të shfarosë me armët e tij prej kocke rivalin e tij.

Një konflikt i lashtë, të cilin Ardrej e krahasoi me vrasjen biblike të Abelit nga vëllai i tij Kaini. Arma nxiti Australopithecus africanus drejt shndërrimit në njeriun që njohim sot, ndërsa Australopithecus robustus shkoi drejt zhdukjes. Pra qeniet njerëzore ishin “fëmijët e Kainit”, të vrasësit.

Falë tregimit të Ardrej, teoria e Dart frymëzoi ndoshta skenën më të famshme në historinë e kinemasë. Në sekuencën fillestare të filmit të vitit 1986 “Viti 2001:Një udhëtim në hapësirë”, udhëheqësi i një grupi majmunësh thyen eshtrat e rivalëve të tij të mundur me një armë të krijuar nga kockat. Fituesit ishin mishngrënës dhe të armatosur; humbësit, të butë dhe të pambrojtur. Në fund të skenës, udhëheqësi e hedh në hapësirë armën e tij prej kocke, ku ajo shndërrohet në një anije kozmike që udhëton në heshtje nëpër errësirë. Artur Klark, skenaristi i filmit që pati për regjisor Stenli Kubrik, kishte lexuar librin e Ardrej, dhe ajo skenë i bënte jehonë pretendimit të Dart:zgjuarsia njerëzore fillon me dhunën e njeriut.

Vetë Ardrej u shqetësua nga imazhi që kishte krijuar. E çfarë mund të jetë më e frikshme se sa një njeri-majmun i inatosur, me një prirje për dhunë të trashëguar nga paraardhësit e tij dhe duke pasur tashmë në dorë një armë shumë më të fuqishme sesa kockat e antilopës dikur? E çfarë do ta parandalonte këtë Australopitek të evoluar nga shpërthimi i një bombe bërthamore?Në librin e tij “Gjeneza afrikane”, Ardrej e kërkon përgjigjen tek një degë tjetër e shkencës, etologjia, që merret me studimin e sjelljes së kafshëve të egra. Ornitologu austriak Konrad Lorenc ishte ai që hodhi bazat e etologjisë, duke bashkëjetuar në shtëpinë e tij me kafshë të egra, kryesisht zogj të llojeve të ndryshme.

Duke jetuar me kafshët, Lorenc zbuloi disa nga misteret e instiktit të kafshëve, përfshirë fenomenin e “stampimit”, në të cilin një zog i vogël ndjek prindin e parë që sheh pas lindjes. Në librat e famshëm të tij të viteve1950, Lorenc i magjepsi audiencat e lodhura nga lufta në të gjithë botën me historitë e jetës së tij me kafshët, duke u paraqitur si një Solomon shkencor, mbreti dhe heroi biblik, unaza magjike e të cilit i dha fuqinë të bisedonte me kafshët.

Gjatë viteve1960, Lorenc kishte nisur të vinte re një tipar shumë interesant të agresionit që kishin kafshët e tij ndaj specieve të tjera. Ndryshe nga marrëdhëniet grabitqar-pre, këto takime midis specieve përfunduan rrallë me vrasje. Përkundrazi, kafshët agresore i devijuan impulset e tyre të dhunshme në sjellje të padëmshme apo edhe produktive.

Dy zagarë rivalë, lehnin kërcënueshëm ndaj njëri -tjetrit, por nuk u përplasën asnjëherë fizikisht. Agresioni i tyre u shkarkua në disa rituale lojërash, dhe në fund secili u rikthye te shoku i tij si triumfator. Lorenc vuri në dukje se jo vetëm që u shmang dhuna, por lidhja shoqërore midis secilës nga kafshët dhe grupit të tyre u forcua në të vërtetë.

Etologjia e Lorenc tregoi se kur menaxhohej si duhej, agresioni kishte pasoja pozitive. Ardrej e kuptoi se përgjigja ndaj problemit të agresionit njerëzor, nuk ishte të përpiqesh ta eliminosh atë. Një mision gjithsesi i pamundur, pasi Dart kishte treguar se ai ishte i rrënjosur në natyrën tonë. Por ta pranonte agresionin si të lindur dhe të pashmangshëm, dhe më pas ta kanalizonte atë në një mënyrë produktive.

Shënim: Nadine Weidman, lektore mbi historinë e shkencës në Universitetin e Harvardit.

Marrë me shkurtime nga “Psyche” – Bota.al