A ka numra për Glauk Konjufcën? – Flet Fitore Pacolli nga LVV - Gazeta Express
string(58) "a-ka-numra-per-glauk-konjufcen-flet-fitore-pacolli-nga-lvv"

Lajme

Gazeta Express

05/11/2025 7:20

A ka numra për Glauk Konjufcën? – Flet Fitore Pacolli nga LVV

Lajme

Gazeta Express

05/11/2025 7:20

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka folur për mandatimin e Glauk Konjufcës si kandidat për kryeministër, të propozuar dje nga partia e saj.

Pacolli tha se ky hap është ndërmarrë në përputhje me Kushtetutën dhe me të drejtën e grupit më të madh parlamentar për të propozuar mandatarin për formimin e qeverisë.

“Tani, në bazë të Kushtetutës dhe asaj që kërkohet si grupi më i madh parlamentar, kemi marrë një hap tjetër, që është mandatimi i një kandidati tjetër – në këtë rast, z. Glauk Konjufca. Qëllimi i këtij hapi është që të mos mbetet peng i inateve dhe sjelljeve të padrejta të opozitës në mënyrën se si po e trajton shtetin e Kosovës, sepse jemi në një gjendje të keqe me buxhetin dhe ai duhet të votohet,” tha Pacolli.

Ajo theksoi se qëllimi kryesor është formimi i qeverisë dhe miratimi i politikave të nevojshme për funksionimin e shtetit.

“Plani është që të kemi një kryeministër, të kemi një qeveri me kabinetin e tij qeveritar dhe të procedojmë me buxhetin dhe me politikat e tjera që i takojnë një qeverie. Ky është plani,” u shpreh Pacolli.

E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë me mandatarin e ri, Pacolli tha se presin mbështetje nga opozita.

“Glauk iu ka bërë thirrje partive opozitare që ta mbështesin, dhe ne po presim tash,” tha ajo.

Deputetja shtoi se pret reflektim nga partitë opozitare për të shmangur një krizë të re politike.

“Ne presim një reflektim nga LDK, PDK, AAK dhe Nisma, në mënyrë që të mos e çojmë shtetin në zgjedhje dhe në një krizë të re,” përfundoi Pacolli.