Analistët kanë komentuar takimin e djeshëm të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të ndërmjetësuar nga emisari i ri i BE-së, Peter Sorensen.
Analisti politik Afrim Kasolli duke folur për përfshirjen e kryenegociatorit Besnik Bislimit në këtë proces, theksoi mungesën e bazës ligjore dhe politike për përfaqësim serioz nga pala kosovare.
Kasolli tutje tha se Bislimi duhej të thoshte se “unë nuk mundem të vijë në dialog pa u krijuar institucionet e Kosovës, sepse nuk kam legjitimitet”.
Ndërsa, analisti Blerim Canaj, tha se pavarësisht premtimeve të Vetëvendosjes dialogu doli të ”jetë prioritet i të gjitha prioriteteve”.
“Pamë një takim me zero rezultat, thjesht një mesazh se u takuam dhe do të vazhdojmë të takohemi”, tha Canaj, për RTV21.
Ai shtoi se ky takim i dërgon një mesazh të qartë Kosovës: dialogut nuk mund t’i iket.
Edhe LDK ka reaguar pas takimit trepalësh të mbajtur në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petar Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në reagimin e LDK-së thuhet se Bislimi nuk ka asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
“Mandati i ish-qeverisë, në të cilën z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti, ka përfunduar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në këtë proces”, thuhet në reagim.