A ka diktaturë në zgjedhjet e 5 shkurtit në FFK? Analistët e “Favoritit” me mendime të ndryshme për “hasretin” Agim Ademi - Gazeta Express
string(116) "a-ka-diktature-ne-zgjedhjet-e-5-shkurtit-ne-ffk-analistet-e-favoritit-me-mendime-te-ndryshme-per-hasretin-agim-ademi"

Futboll

Moral Pozhegu

23/01/2026 22:29

A ka diktaturë në zgjedhjet e 5 shkurtit në FFK? Analistët e “Favoritit” me mendime të ndryshme për “hasretin” Agim Ademi

Futboll

Moral Pozhegu

23/01/2026 22:29

Kanë mbetur më pak se dy javë para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjërat tashmë janë të qarta: Agim Ademi më 5 shkurt pritet të jetë kandidati i vetëm për postin e kryetarit të FFK-së, post të cilin e mban edhe sot.

Kriteri i 15 nënshkrimeve ka qenë fatal për kandidatët tjerë potencialë, të cilët nuk do të mundë të kandidojnë, duke bërë që të mos ketë fare garë, me Ademin që pritet ta marrë një tjetër mandat katërvjeçar, përkundër “zgjuarjes së vonuar” nga gjumi të Ministrisë së Sportit, e cila tek në ditët e fundit “goditi” me disa gjetje të shkeljeve, parregullsive, keqpërdorimeve, mosharmonizimit të statutit, që konsideron se janë bërë në vitet e fundit në shtëpinë e futbollit kosovar.

A mund të konsiderohet kjo si një diktaturë dhe bllokim i procesit zgjedhor?

Apo gjithçka është në rregull rreth kandidimit të Ademit si i vetëm për kreun e institucionit më të lartë të futbollit kosovar.

Alban Lumi, analist i emisionit sportiv “Favorit” në T7, thotë se janë anëtarët e Kuvendit, përkatësisht klubet dhe shoqatat që ia besojnë nënshkrimet Agim Ademit, prandaj e sheh si krejt normale kandidimin e kryetarit aktual si i vetëm.

“Derisa praktikohet nominimi i kandidatëve me nënshkrim duke e respektuar statutin, nuk mundet assesi të konsiderohet diktaturë. Kryetari aktual mund ta marrë mbështetjen e më shumë se 15 nënshkrimeve falë vullnetit te anëtarëve të Kuvendit, përkatësisht klubeve e Shoqatave. Asnjë kandidat nuk besoj se i refuzon nënshkrimet për nominim, në të kundërtën do të dukej si injorim ndaj atyre që e mendojnë për Kryetar. Nuk ka kuptim Kryetari apo kandidati për kryetar të thotë nuk më duhet firma apo përkrahja e ndonjërit prej atyre që e dëshirojnë për Kryetar”, deklaroi Lumi për “Express”.

Ndërkohë, analisti tjetër i “Favoritit”, Taulant Dajaku insiston se kandidimin i vetëm ia mundëson kryetarit aktual ta mbajë “të kapur” Federatën pasi, sipas tij, Ademi frikësohet se do ta mundte një kandidat tjetër me ide dhe vizion.

“E vetmja formë për ta mbajtur të kapur Federatën është kjo, pasi Agim Ademi e di fare mirë se kushdo që do të kandidonte me ide dhe vizion për kryetar Federate do ta mundte atë pasi Agim Ademi ka treguar gjithë këto vite se krejt çka di të bëjë me paratë e dedikuara për futbollin është që t’ju blejë makina private sejmenëve të vet dhe t’ua kalojë paratë e futbollit puthadorëve të tij dhe një pjese të politikanëve të korruptuar. Këtë që po e them është fakt: shih vendimin e Prokurorisë kur Agim Ademi e pranon fajësinë e keqpërdorimit të parave të FFK-së dhe arrin marrëveshje me Prokurorinë për ta konvertuar dënimin e tij nga vepër penale në dënim alternativ”, shprehet Dajaku për “Express”.

Kryetari aktual, Agim Ademi pritet të jetë kandidati i vetëm për kryetar të FFK-së pasi asnjë kandidat tjetër nuk ka arritur t’i sigurojë 15 nënshkrime, të domosdoshme për ta siguruar kandidaturën për kryetar të Federatës, në zgjedhjet e 5 shkurtit. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement