‘‘Gjithçka duhet të përfundojë më 4 mars sipas interpretimeve’’ sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri. Kështu ka thënë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas takimit që ajo pati me kryetarët e komisioneve parlamentare, përcjell Gazeta Express.
‘’Sipas interpretimeve, më 4 mars gjithçka do të përfundojë, por unë nuk mund të veproj pa i pasur nënshkrimet e kandidatëve”, ka thënë ajo.
E pyetur nga gazetarët se a po zhvillohen bisedime për çështjen e presidentit nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhiu ka thënë se për çështjen në fjalë gazetarët duhet të diskutojnë me përfaqësuesit nga VV’ja.
“Për këtë çështje ju lutem të diskutoni me përfaqësuesit e LVV-së. Natyrisht, si Kuvend ne duhet t’i kryejmë përgjegjësitë që kemi. Unë, sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me këtë. Para së gjithash, duhet të ketë takime me të gjitha partitë politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të adresohen përgjegjësitë’’, ka thënë ajo për media. /Express