A jemi çka citojmë - Gazeta Express
string(18) "a-jemi-cka-citojme"

A jemi çka citojmë

OP/ED

Gazeta Express

27/10/2021 12:41

Nëse ne e citojmë estradën, për t’i bërë ballë një akuze serioze, atëherë duket të mos jemi asgjë më shumë se ajo estradë. Botëkuptimet tona, idealet dhe parimet tona nuk shkojnë më larg se ato të asaj estrade. Njohjet tona nuk shkojnë më larg se ato të një autori teksti estrade dhe e ardhmja jonë nuk na premton dhe siguron asgjë më shumë se ajo/atë batutë banale idiotësh

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

A jemi çka citojmë? A e vetëreferojmë atë së cilës i referohemi?

Jo gjithmonë, dhe mbi të gjitha jo kur bëhemi ngrehalucë, kur pretendojmë të fshihemi pas murit të tejdukshëm. Ngase, nëse unë i referohem nga ngrehalucësia një autori të cilin as që e kuptoj mirë, nuk do të thotë se po arrij të jem ai, të jem ai që e citova, të jem ajo që bart referenca, të përcjell atë që përmban ajo. Kujt nga ne, tekembramja, nuk ia ka pasur ënda herë pas here ta citojë – në kuvendimet tona të rëndomta, në reagimet tona të përditshme, përtej zonës akademike – Platonin, Kantin, Shekspirin a Borhesin? E megjithatë, kur e bëjmë këtë, edhe pa qenë në lartësinë e duhur, a nuk e bëjmë që të tregojmë një minimum të respektit për kuvendin dhe të pranishmit? Ngase edhe në atë vogëlsi, edhe në atë mjeri, ne duam që të ruajmë atë lloj ngrohtësie, dashurie dhe përgjegjësie ndaj një vlere që na përket, në të cilën, të paktën, bëjmë çmos të gjejmë strehë. Kemi përgjegjësi të jemi të përgjegjshëm ndaj vetvetes, rolit dhe aurës.

Po nëse na ndodh e kundërta? Nëse na bën vaki t’i referohemi, me vetëdije të plotë  – e tash jo në një kuvendim të rëndomtë, intim, por në përgjigje ndaj një pyetjeje me peshë, nga një pozitë tepër e rëndësishme dhe me përgjegjësi të plota – një personi, një krijimtarie a fushe dijeje që në të vërtetë nuk e konsiderojmë me peshë, që është në kundërtshtim me vlerat dhe parimet tona shkencore, artistike, intelektuale e morale? Sigurisht, nuk mund të na bëjë vaki. Mund të na bëjë vaki vetëm atëherë kur ne në të vërtetë jemi ajo “poshtë nesh” që e citojmë. Nëse ne e citojmë estradën, për t’i bërë ballë një akuze serioze, atëherë duket të mos jemi asgjë më shumë se ajo estradë. Botëkuptimet tona, idealet dhe parimet tona nuk shkojnë më larg se ato të asaj estrade. Njohjet tona nuk shkojnë më larg se ato të një autori teksti estrade dhe e ardhmja jonë nuk na premton dhe siguron asgjë më shumë se ajo/atë batutë banale idiotësh.