Presidentja Vjosa Osmani në një deklarim për media në Kopenhagë ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian pati disa kritika e sugjerime për Bashkimin Europian dhe qasjen që ka ndaj Serbisë, e cila s’po i fsheh marrëdhëniet e mira me Rusinë.
“Për Bashkimin Europian do të doja të thosha: historia na tregon se zbutja e diktatorëve dhe autokratëve nuk çon kurrë në paqe të qëndrueshme. Përkundrazi, vetëm i inkurajon ata të përshkallëzojnë dhunën”, tha ajo derisa po fliste për luftën në Ukrainë, raporton Gazeta Express.
Osmani tha se thirrja e saj për BE-në është që të ketë kujdes se si i trajton satelitët e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe të mos i përkëdhelë ata.
Ajo kujtoi sulmin terrorist të Banjskës dhe tha se përkundër që BE ka kërkuar llogaridhënie, kjo gjë s’ka ndodhur.
“Sapo shënuam dy vjet nga agresioni aktiv i Serbisë në veri të vendit tim. BE-ja ka kërkuar vazhdimisht llogaridhënie, por nuk ka pasur asnjë. Është koha që ata të kalojnë nga fjalët në vepra”.
Këtu Osmani u pyet nëse mendon që udhëheqësit e BE-së janë hipokritë.
“Jo. Nuk po them që janë hipokritë. Besoj se synimet e tyre janë të mira. Por historia duhet të merret si mësim. Dhe sidomos historia se si është trajtuar Putini na tregon se përkëdhelja e njerëzve si Putini nuk çoi kurrë në paqe të qëndrueshme. Vuçiqi është përpjekur ta kopjojë Putinin duke përdorur agresion dhe taktika destabilizimi kundër fqinjëve. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që shtetet anëtare ta kuptojnë që të shpërblejnë Serbinë që po qëndron me Rusinë nuk është rruga e duhur përpara. Vendet që janë 100% në linjë me BE-në duhet të shpërblehen – jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugë përpara”.
“Sot, Europa përballet me dy kërcënime kryesore të sigurisë. Njëri është Rusia, qartësisht. Tjetri, veçanërisht në rajonin tonë, është përfaqësuesi dhe zgjatimi i Rusisë – Serbia. BE-ja nuk mund ta trajtojë njërin si agresor dhe diktator dhe tjetrin si partner për paqe. Konsistenca është thelbësore”.
“Cili është problemi më i madh për ju, Serbia apo Rusia?”, u pyet Osmani.
“Në të vërtetë, është një kombinim i të dyjave. Serbia prej kohësh i ka trajtuar fqinjët e saj si shtete të përkohshme apo joekzistente, duke vepruar me agresion kundër tyre. Ky është një “copy-paste” i manualit të Rusisë. Fatkeqësisht Rusia e përkrah Serbinë në këtë çështje. Për shekuj kanë përdorur konceptin e njëjtë. Rusia flet për “Rusinë e madhe” dhe “botën ruse.” Serbia flet për “Serbinë e madhe” dhe “botën serbe”. Për ne, të dyja janë kërcënime”, tha Osmani.
Ajo shtoi se duhet pasur parasysh që në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk ekziston kurrë vakum ndikimi.
“Nëse mungon prania pozitive perëndimore, boshllëkun gjithmonë e mbushin aktorët e këqij – Rusia, Kina dhe Irani. Ata nuk vijnë me bamirësi, por me interesa strategjike të dëmshme. Kjo është arsyeja pse është shumë i rëndësishëm që procesi i zgjerimit duhet të ecë përpara. Vendet e Ballkanit Perëndimor që i plotësojnë kriteret dhe që mbështesin vlerat e BE-së duhet të avancohen në këtë proces”.
Osmani tha se Kosova do të jetë kontribuuese në BE dhe jo barrë për të.
“Në mesin e të gjithë anëtarëve – jo vetëm brenda Bashkimit Europian, por edhe atyre prej nesh që jemi jashtë BE-së, por që aspirojmë të anëtarësohemi dhe të kontribuojmë në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përgjithshëm të Evropës – duhet të theksoj se uniteti i vetëm nuk mjafton. Na duhet edhe konsistencë në përballjen me agresorët dhe diktatorët”.
Osmani u pyet edhe për mosecjen para të aplikimit për anëtarësim në BE dhe nëse vazhdon të besojë se ende ka një rrugë për Kosovën drejt BE-së dhe cili është afati kohor për këtë.
Ajo tha se BE-ja për Kosovën është e vetmja rrugë derisa tregoi edhe shifrat e larta prej 97% të qytetarëve të Kosovës që e duan anëtarësimin në BE.
Osmani tha se për shkak të disa shteteve anëtare, aplikimi i Kosovës s’është marrë në trajtim ende dhe shtoi se durimi nuk i ka përfunduar meqë Kosova s’do të flirtojë kurrë me fuqi të tjera me qëllime dashakeqe.
“Kosova është një vend i cili, sipas Gallup International para vetëm disa ditësh, është i pari në Europë për siguri, mbrojtje dhe sundim të ligjit, dhe i treti në botë. Jemi shumë krenarë që jemi një vend që po përafrohet me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe një vend që po kontribuon në ato çfarë janë vlerat e BE-së. Për këtë arsye, unë nuk mund të jap një afat kohor sepse nuk varet nga ne. Çdo gjë që është varur nga ne tashmë është përmbushur, por nëse kërkohet më shumë nga ne, ne do të bëjmë më shumë. Pjesa tjetër varet nga shtetet anëtare dhe ne shpresojmë që ju si media, do të ushtroni presion pozitiv ndaj tyre për të mbështetur një vend që vërtet ka kontribuar në këto vlera të BE-së”.