Zgjedhjet kudo kanë disa faza, ndër të cilat kryesoret janë, fushata, votimet dhe procedura e formimit të institucioneve, pra, të parlamentit dhe qeverisë, kur bëhet fjalë për zgjedhje të përgjithshme. Periudha e fushatës është e veçantë në kuptimin se aty, përmes partive politike, kemi ballafaqim të gjithë popullatës së moshës madhore. (Fëmijët, normalisht janë të përjashtuar, edhe pse thuhet se madje dhe foshnjat kur lozin me lodrat e tyre shfaqin më shumë seriozitet sesa vetë politikanët.)
Në vendet ende të papjekura demokratikisht, fushatat shpesh i ngjajnë një katrahure që s’ia gjen kush fijen. Në Kosovë, sidoqoftë, është krijuar një kulturë e votuesve me të cilën Kosova mund të krenohet.
Është bërë zakon që partitë fituese të zgjedhjeve të dalin e të festojnë edhe në pikë të natës.
Nga momenti kur një parti del fituese, prijësit e asaj partie duhet të marrin pozicion tjetër ndaj kundërshtarëve politikë.
Secili lider që ka minimumin e moralit politik dhe të sjelljes normale, i cili pritet të zërë postin e kryeministrit, në fjalinë e parë, kur i drejtohet masës, është e udhës t’i falenderojë kundërshtarët politikë për garën që ka zhvilluar me ta, t’i bëjë thirrje popullit të bashkohet, dhe t’i premtojë popullit se do të jetë përfaqësues i të gjithëve pa marrë parasysh përkatësitë politike.
Lideri i LVV-së, jo që nuk e bëri këtë, por zgjodhi ta shfrytëzojë rastin të ofendojë në mënyrë të pafalshme duke i karakterizuar kundërshtarët politikë si ‘hajvanë’ e ‘hajvanat’.
Kjo, jo vetëm që mund t’i kushtojë në formimin e një koalicioni me ndonjë prej partive të këtyre ‘hajvanëve’, apo ‘hajvanatit’ të tyre, por mund t’i kthehet në bumerang nëse njerëzit i rreken gjetjes së ‘hajvanit’ apo ‘hajvanatit’ të vërtetë në këtë situatë. Nuk jam i sigurt nëse ia vlen të bëhet kjo.
Megjithatë, cilado nga partitë opozitare që pranon të hyjë në koalicion me LVV-në, patjetër do ta ketë në ndërdije se janë quajtur ‘hajvanë’ e ‘hajvanat’, dhe se i duhet ta gëlltisë këtë karakterizim, pra, t’ia falë edhe pa iu kërkuar kjo, gjë që mund t’i kushtojë në zgjedhje të tjera sepse njerëzit nuk harrojnë. Edhe nëse lideri i LVV-së del e thotë se pendohet për gjestin që ka bërë dhe kërkon falje, gjë që vështirë se ia lejon karakteri i tij kryeneq, kjo sjellje e tij nuk do të fshihet nga kujtesa e publikut kosovar.
Në këto zgjedhje, asnjë parti politike nuk e ka fituar atë që ka synuar, megjithatë rënien më të madhe e ka pësuar vetë LVV-ja. Kësaj, si fituese e rreth 40% të votave, sigurisht se do t’i ofrohet mundësia e formimit të qeverisë. Përkundër makinacioneve të mundshme, vështirë se mund të tejkalohen problemet qeverisëse. E njëjta gjë vlen edhe nëse kjo mundësi u ofrohet partive opozitare, të cilat së bashku përbëjnë shumicën.
Kosova, me shumë gjasë, do të futet në një krizë politike. Kjo mund t’i prishë punë në këtë kohë përthyerjesh të mëdha kur duhen kërkuar mënyra që të mos anashkalohen nga aleatët problemet e saj si të papërfillshme.
Mbase Kurti mendon se lulëzon në situata krizash. Kjo mbetet për t’u parë.
Autori Isa Zymberi është ish- shef i Zyrës së Kosovës në Londër gjatë viteve 90’të