A i keni ditur këto 8 karakteristika të Vushtrrisë - Gazeta Express
string(50) "a-i-keni-ditur-keto-8-karakteristika-te-vushtrrise"

Lajme

Gazeta Express

05/06/2021 15:18

A i keni ditur këto 8 karakteristika të Vushtrrisë

Lajme

Gazeta Express

05/06/2021 15:18

Vushtrria ose Vicianumi, siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton nga koha e dardanëve. Është cilësuar si “qyteti i çajit të zi”, pasi pothuajse secili banorë i këtij qyteti e konsumon atë. Vushtrria ka edhe shumë karakteristika të tjera, që e bëjnë një qytet të lezetshëm. Lexoni disa prej tyre.

Gazeta Express

Vushtrria ose Vicianumi, siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e dardanëve. Gjatë periudhës së pushtimit romak (I–V) Viciana kishte arritur një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik dhe kulturor. Pas ndarjes së krishterimit më 1054 në katolicizëm dhe ortodoksizëm, pjesa më e madhe e popullatës së Vicianës ishte katolike.

Ndërtimet e bëra mbas luftës, e bëjnë Vushtrrinë tepër tërheqëse, si për t’u vizituar, ashtu edhe për të investuar në këtë qytet, që për disa shekuj ka qenë qyteti më i madh i Kosovës, por edhe ndër qytetet më të mëdha të Ballkanit dhe fatmirësisht, pas luftës, ky qytet antik me vlera të jashtëzakonshme e ka marrë prapë shkëlqimin e dikurshëm. Faktin që Vushtrria është qytet kulturor e vërtetojnë edhe disa monumente që ndodhen në këtë qytet.

Ndër qytetet më të mëdha në Ballkan

Gjatë shekujve XV-XVIII, Vushtrria ishte ndër qytetet më të mëdha në Ballkan dhe në Perandorinë Osmane dhe qendër e sanxhakut më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane.

Në nëntor të vitit 1944, në Vushtrri u vendos administrata komuniste jugosllave deri në luftën e armatosur të popullit të Kosovës, e organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe ndërhyrja e forcave të NATO-s (mars – qershor 1999) ku përfundimisht më 17 qershor 1999 u çlirua nga Serbia.

Harta e Vushtrrisë
Vushtrri, Kosovë

Ura e gurit

Ura e Vjetër e Gurit gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit e cila sipas hulumtimeve të fundit llogaritet të jetë ndër urat më të vjetra të llojit të vetë në Kosovë. Ajo lidhte fshatrat e rrëzë Çyçavicës me qytetin e Vushtrrisë dhe nëpërmes Grykës së Klysyrës e lidhte Rrafshin e Kosovës me rajonin e Drenicës. Po nëpër këtë urë kalonte edhe rruga e cila e lidhte qytetin e Vushtrrisë me stacionin e trenit në fshatin Shtruerë.

Në lidhje me vjetërsinë e urës ka versione të ndryshme por dominojnë mendimet sipas të cilave ajo është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake. Në vetëqytetin e Vushtrrisë ajo njihet me emrin Ura e Vjetër e Gurit.

Sot, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Sitnicë, uji i të cilit për shkak të përbërjes pedologjike të tokës e ndërroi rrjedhën për afër një kilometër në perëndim.

Ura e Gurit

Lumi Silnica

Qytetin e Vushtrrisë e përshkojnë lumi Silnica, si lumi më i madh që përshkon tejpërtej territorin e Komunës, ndërsa dy lumenj më të vegjël, Tërstena dhe Studimja, kalojnë nëpër qytetin e Vushtrrisë.

Lumi Silnica

Hamami i qytetit

Hamami i Vjetër në Vushtrri, i njohur edhe si Hamami i Gazi Ali Beut është njëri ndër monumentet më të vjetra të trashëgimisë kulturore jo vetëm në komunën e Vushtrrisë por edhe më gjerë. Hamami i Gazi Ali Beut gjendet në bërthamën e qendrës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Hamami i Vushtrrisë është ndërtuar nga Gazi Ali Beut në fund të shek.XIV dhe fillim të shek.XV.

Nga vitet ’70 objekti është jashtë funksionit. Në gusht të vitit 2013 ka filluar restaurimi dhe konzervimi i fasades dhe kupolave te Hamamit, punime te cilat kane përfunduar ne muajin maj 2014.

Kalaja e Vushtrrisë

Kalaja ndodhet në qendër të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Kalaja në burimet historike përmendet si Kala e Vjetër. Kjo nënkupton se Kalaja vërtetë është e lashtë. Gjatë historisë Kalaja përmendet nga kronikët dhe gjeografët e ndryshëm. Evlia Çelebiu në shekullin e XVII e përmend Vushtrrinë dhe thotë së më 1389 Sulltan Murati I, pas pushtimit e shkatërroi Kalanë. E rindërtuar disa herë, ajo ka arritur të mbijetojë deri më sot, sipas historianëve thonë se kalaja u ndërtua gjatë periudhës së hershme Iliro-Dardane.

Sistemi fortifikues i Kalasë ka planimetri drejtkëndëshi. Përbehet nga dy pjesë, kullës dykatëshe ne lindje dhe mureve rrethuese ne perëndim. Muret rrethuese te Kalasë mbështeten ne skajet e mureve anësore te Kullës duke e lëne pjesën më të madhe të Kullës jashtë mureve rrethuese.

Thuhet se në brendësi të Kalasë gjendej një farë ‘zgafelle’, që sipas legjendës shërbente në rast rreziku të dilej te lumi Sitnica. Hulumtimet arkeologjike ende nuk e kanë vërtetuar këtë legjendë.

Rrugët me kalldrëm

Kalldrëmi të përcjell në disa pjesë të qytetit të Vushtrrisë, që dikur ishte i mbushur me ta. Rruga që të përcjell nga Ura e Gurit e deri në drejtim të Komunës së Vjetër është e shtruar me kalldrëm.

Por, jo të gjitha që i kanë rezistuar kohës. Pllakat moderne kanë zënë vendin e kalldrëmit edhe në një vend shumë të lashtë.

Pranë Kalasë së Vushtrrisë vetëm një shirit është i shtruar me kalldrëm me gjerësi prej një metër e gjysmë.

Ecje në histori

Komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit ka bërë një projekt të quajtur “Ecje në histori” nga pjesa mbrapa Hamamit deri te Sheshi “Adem Jashari”.

“Do të jetë një model se si duam ta dizajnojmë zonën historike të Vushtrrisë për të ardhmen”, tha kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, teksa e kishte prezantuar projektin.     

Pija e preferuar e vushtrriasve

Në qytetin e vjetër antik të Vushtrrisë, shumë vite më parë çaji është konsumuar nga orët e hershme të mëngjesit.

Qytetarët janë zgjuar në orën 6:00 të mëngjesit dhe kanë filluar ditën me çaj, ndërsa në ditët e sotme nuk është i njëjtë konsum, mirëpo ka edhe disa prej tyre që konsumojnë deri në 70 çaja në ditë.

Një qytetar nga Vushtrria pati bërë bujë në rrjetet sociale, pasi në një lidhje direkte në një emision ka thënë se ai i pinë deri në 70 çaja në ditë.

Por, disa muaj më parë, një qytetar tjetër nga Vushtrria i kërkoi sfidë qytetarit që tha se pinë deri në 70 çaja në ditë. Ai e sfidoi atë përmes një emisioni në T7, duke i thënë se i pinë deri në 100 çaja gjatë ditës.

Por kjo sfidë mes dy vushtrriasve nuk është realizuar ende./Express/

Advertisement
Advertisement
Advertisement