A është pirja e duhanit vetëvrasje? - Gazeta Express
string(34) "a-eshte-pirja-e-duhanit-vetevrasje"

A është pirja e duhanit vetëvrasje?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

02/06/2022 14:53

A është pirja e duhanit vetëvrasje? Shumica do të thoshin jo, por si mund ta bëni dallimin e një personi që var veten dhe një personi që vret veten në mënyrë graduale, duke pirë duhan?


Kushtrim Gashi

Qe nga viti 1987 çdo 31 maj shënohet dita botërore kundër duhanit. Kjo ditë është shpallur nga vendet anëtare të organizatës botërore të shëndetësisë dhe i kushtohet luftës kundër duhanit. Çdo vend në ditën botërore kundër duhanit mundohet të bëjë sensibilizimin e qytetarëve mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit si dhe inkurajimin për reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit.

Një hapë tjetër i rëndësishëm nga organizata botërore e shëndetësisë ishte edhe miratimi i konventës kornizë për kontrollin e duhanit, e cila u miratua me 21 maj 2003. Ndryshe në vendin tonë, ligji për kontrollin e duhanit është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2013 dhe ka hyrë në fuqi në maj të po këtij viti. Por ky ligj nuk është duke u zbatuar ashtu si do të duhej sepse në shumë vende publike pihet duhani. Duke qenë se duhani është i vetmi produkt legal që konsumohet dhe i cili vret, është bërë një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik me të cilat përballen sot trevat shqiptare.

Sipas të dhënave të OBSH-së në të gjithë botën konsumator të duhanit janë rreth 1 miliardë. Përderisa në shtetin amë, në Shqipëri konsumues të rregullt të duhanit janë afër 1 milion persona, në Kosovë nuk është aspak më mirë sepse mbi 500 mijë njerëz konsumojnë duhan. Më shqetësues është fakti se si në Kosovë dhe në Shqipëri kemi tendencë të rritjes së tymosjes së cigares nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Sipas të dhënave doganore, produkti i cili shkakton vdekjen në Shqipëri blihet në masën e mbi 550 milion eurove, ndërsa në Kosovë mbi 200 milion eurove.

Aktualisht duhanpirja është shkaku i dytë i vdekjeve në botë, pas tensionit të lartë. Çdo vit në botë shkaktohen rreth 8 milion vdekje, pra më shumë se vdekjet vjetore si pasoj e COVID-19. Ndërkohë 7 milionë prej këtyre vdekjeve shkaktohen nga përdorimi i drejtpërdrejtë i duhanit, ndërsa 1.2 milionë janë persona që nuk e përdorin duhanin, por për shkak se janë përdorues pasiv të tij.
Sipas OBSH-së, çdo vit rreth 65.000 fëmijë në mbarë botën humbin jetën nga shqetësimet në rrugët e frymëmarrjes si pasojë e pirjes së duhanit në familje dhe të cilët përballen me pirjen pasive. Shifra prej 8 milion vdekjeve në vit, pritet te dyfishohet gjatë 20 viteve të ardhshme.

Në një raport të paraqitur nga Instituti i shëndetit publik në Shqipëri thuhet se \” më shumë se 3.300 njerëz vdesin çdo vit nga pasojat që shkakton pirja e duhanit\”, ndërsa në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave gjatë periudhës 2006-2011 kanë “vdekur rreth 17 mijë persona nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani”. Mendohet se duhani vret më shumë njerëz se sa po ti marrim bashkë: aksidentet në trafik, AIDS-i, vetëvrasjet, vrasjet, narkomania dhe alkooli. Hulumtimet tregojnë se pirja e duhanit është më e lartë në vendet e varfra se sa në ato të zhvilluara dhe në ketë mënyrë të varfëritë e përkeqësojnë me tej gjendjen e tyre ekonomike. Rreth 80% e vdekjeve të parakohshme nga duhani ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.
Përdorimi i duhanit i kushton jashtëzakonisht shumë ekonomive kombëtare, nëpërmjet rritjes së shpenzimeve të kujdesit shëndetësor dhe zvogëlimit të produktivitetit. Nëse e marrim shembull që mesatarja e shpenzimeve të një personi qe pi duhan brenda ditës është 1.80 euro, atëherë brenda muajit shpenzon 54 euro, kurse brenda vitit mbi 648 euro. Një vlerë e tillë është shumë për xhepin e varfër te qytetarëve shqiptar. Duke marrë parasysh të dhënat dhe gjendjen alarmante të duhan pirjes në Kosovë dhe në Shqipëri, do të ishte e udhës që Ministritë përkatëse të të dyja vendeve të bashkëpunonin, duke sensibilizuar qytetarët në mënyra dhe forma të ndryshme për rrezikun e madh që shkakton duhani.

Me të drejtë mund të pyes se a është pirja e duhanit vetëvrasje? Shumica do të thoshin jo, gjë që edhe unë pajtohem, por si mund ta bëni dallimin e një personi që var veten dhe një personi që vret veten në mënyrë graduale, duke pirë duhan? Gjithsesi që ka dallim ndërmjet personit që ka për qëllim të marrë jetën e vet dhe personit që nuk e ka ketë qëllim. Në ketë rast duhanpirësi, ama konsumuesi i cigares, me plotë vetëdije po e dëmton jo vetëm pasurinë, por edhe shëndetin, gjë qe rezulton me vdekje. Megjithatë nuk themi se duhanpirësi është vetëvrasës vetëm për një arsye, sepse ai nuk ka për qëllim të vrasë veten.