A është ligjshmëria gjithmonë një e mirë - Gazeta Express
string(40) "a-eshte-ligjshmeria-gjithmone-nje-e-mire"

OP/ED

Gazeta Express

22/09/2021 15:11

A është ligjshmëria gjithmonë një e mirë

OP/ED

Gazeta Express

22/09/2021 15:11

Ligjshmëria, më e mira e mundshme, sot është të bëhet çmos që qytetarët serbë të kthehen ta duan vendin tonë të përbashkët

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Kohë më parë, do të thotë fare pak kohë më parë – që do të thotë as edhe një vit më parë – Kurti shprehej dhe ishte kundër dialogut me Serbinë. Jo në parim, por e përjashtonte si nevoje imediate. Kjo mund të shihej edhe si arrogancë, edhe si papjekuri politike. Për votuesin e tij, edhe si forcë, krenari, shtetësi. Por, nuk është çështja kjo. Kur ishte kundër dialogut, përdorte një arsyetim që nuk mund të të linte indiferent: “Ne do të ulemi së pari të bisedojmë me banorët serbë të Kosovës”; “Ne do të bëjmë dialog me serbët e Kosovës”, etj.

Natyrisht, do të ishte një e mirë e madhe. Që një politikan ballkanas të shtrohet në tavolinë, me banorët e një komuniteti pakicë dhe të bashkëbisedojë me ta, njëjtë siç shtrohet me banorët e përkatësisë së vet etnike, duke bashkëndier me ta, po, kjo do të ishte një mrekulli.

Duke qenë se mrekullitë nuk ndodhin veçse në fantazimet tona të dëshpëruara, as ai shtrim nuk ndodhi. Jo vetëm pse në të vërtetë nuk deshi e nuk do Kurti, në të vërtetë po aq nuk e duan as vetë bashkëqytetarët tonë serbë, të ngujuar në kurthin e të qenit askund, mes Prishtinës e Beogradit.

A mund të fajësohen lehtësisht dhe krejtësisht për këtë?

Nuk ma ha mendja. Mund të jetë se e urrejnë shtetin tonë dhe edhe të tyrin tash, por kjo, në fund të fundit, nuk është as më shumë as pak se urrejtja që kishim ne për shtetin e tyre dhe të tonin dje.

Nëse ne duam (dhe duhet) që urrejtja e tyre të shuhet dhe të kthehen ta duan vendin tonë, që është edhe i tyre, po aq sa i yni, atëherë nuk na mbetet veçse të tregojmë durim më shumë se sa që ata po tregojnë për momentin për neve. Sepse kjo është pjekuria. Dhe në këtë rast, kjo është diplomacia. Ose, thënë më ndryshe, duhet të përpiqemi të bëjmë për bashkëqytetarët tonë serbë një të mirë që nuk po ua bën Serbia: t’i bindim se ky është vendi edhe i tyre.

Fatkeqësia, në këtë mes, është se si Serbia si Kosova janë duke i përdorur banorët serbë të Kosovës si llogore në fushëbetejën e tyre të mjerë të krekosjes, urrejtjes, mosdurimit, përçmimit. Që të dyja flasin në emër të tyre, për të mirën e tyre; që të dyja nuk bëjnë tjetër veçse kundër tyre.

Meqenëse Kosova është në një pozicion të palakmueshëm, i nevojitet një sforcim i dyfishtë: ta përballojë diplomacinë provokuese dhe torturuese serbe dhe njëkohësisht t’ua dëshmojë qytetarëve serbë se ky është vendi i tyre.

Por, çka nënkupton për një banor serb të Kosovës nxjerrja pa paralajmërim e targave dhe dërgimi i njësive speciale policore në zonën e tyre për ta zbatuar vendimin?

A është ky bashkëbisedimi me banorët serbë të Kosovës, si kundërpeshë ndaj dialogut të panevojshëm?

Në këtë mënyrë do të bashkëbisedojmë me bashkëqytetarët tonë, me njësi speciale, injorim të tyre, nxjerrje të vendimeve të papritura?

Pra, për rrjedhojë, vjen pyetja fondamentale: A është çdo ligjshmëri e mirë në secilin moment?

Në këtë rast, nuk duket të jetë. Kjo ligjshmëri nuk ka shërbyer për asgjë tjetër veçse për t’ia treguar muskujt iluzorë një fuqie përballë, e cila dje na i tregonte muskujt e vërtetë, por pastaj e pagoi rëndë.

Ligjshmëria, më duket mua, në këtë rast, është të bëhet me kryeneçësi gjithë ajo që është e mundur që qytetarët serbë të kthehen ta duan vendin tonë të përbashkët.