Konsiderohet si një nga hapat më vendimtarë në evolucionin e njeriut: kalimi nga ecja me katër gjymtyrë në qëndrimin dhe lëvizjen në dy këmbë.
Tani, shkencëtarët besojnë se kanë përcaktuar momentin kur paraardhësit tanë bënë këtë tranzicion historik. Sipas tyre, një krijesë e ngjashme me majmunin, që jetoi në Afrikë rreth shtatë milionë vjet më parë, është kandidati më i fortë për paraardhësin më të hershëm të njerëzimit, pasi analiza të reja tregojnë se kockat e saj ishin të përshtatura për ecje vertikale.
Mbetjet fosile të kësaj specieje, të quajtur Sahelanthropus tchadensis, u zbuluan për herë të parë më shumë se dy dekada më parë në zonat shkretinore të Çadit, në Afrikën veriore-qendrore. Anatomia e kafkës sugjeronte se ajo vendosej drejtpërdrejt mbi shtyllën kurrizore – një shenjë e hershme se kjo krijesë mund të ecte drejt.


Por analizat e reja të gjymtyrëve e përforcojnë këtë ide: kockat përmbajnë një veçori që gjendet vetëm te grupet dykëmbëshe.
Studimi u drejtua nga Scott Williams, profesor i asociuar në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Nju Jorkut.
“Analiza jonë e këtyre fosileve ofron prova të drejtpërdrejta se Sahelanthropus mund të ecte në dy këmbë, duke treguar se dykëmbësia u zhvillua shumë herët në linjën tonë evolutive dhe nga një paraardhës që, në pamje të parë, i ngjante më së shumti shimpanzeve dhe bonobove të sotëm,” shprehet ai.
Në studimin e ri, shkencëtarët identifikuan praninë e një strukture të quajtur tuberkuli femoral – një element kyç për ecjen vertikale. Ky është vendi ku lidhet ligamenti më i madh dhe më i fuqishëm në trupin e njeriut, ligamenti iliofemoral, i cili lidh legenin me femurin dhe pengon trupin të përkulet tepër mbrapa gjatë qëndrimit në këmbë dhe ecjes.
Studime të mëparshme kishin zbuluar gjithashtu një “rrotullim natyror” në femur (kockën e kofshës), që ndihmon këmbët të orientohen përpara. Ndërkohë, analizat 3D tregojnë muskuj glutealë – të vitheve – të ngjashëm me ata të paraardhësve tanë të hershëm, të cilët stabilizojnë ijet dhe ndihmojnë në qëndrim, ecje dhe vrapim.
Sipas ekipit shkencor, këto gjetje të reja, së bashku me provat ekzistuese, tregojnë qartë se kjo specie kishte aftësinë të ecte në dy këmbë.
“Sahelanthropus ishte në thelb një majmun dykëmbësh, me tru sa ai i një shimpanzeje, dhe me shumë gjasë kalonte një pjesë të madhe të kohës në pemë, duke kërkuar ushqim dhe siguri,” thotë Dr. Williams.
“Megjithatë, pavarësisht pamjes së jashtme, ai ishte i përshtatur për qëndrim dhe lëvizje dykëmbëshe në tokë.”
Ky zbulim e bën Sahelanthropus anëtarin më të vjetër të njohur të linjës njerëzore, që nga ndarja evolucionare mes njeriut dhe shimpanzesë. Duke qenë se njerëzit dhe majmunët u ndanë rreth 8–19 milionë vjet më parë, gjetjet sugjerojnë se dykëmbësia u shfaq shumë shpejt pas kësaj ndarjeje.
Si pjesë e studimit, mbetjet fosile u krahasuan me ato të paraardhësve të tjerë të hershëm të njeriut, si edhe me majmunë që jetojnë sot. U zbulua se Sahelanthropus kishte një kockë kofshe relativisht të gjatë në krahasim me një kockë të parakrahut – një tjetër tregues i ecjes dykëmbëshe.



Studiuesit theksojnë se majmunët zakonisht kanë krahë të gjatë dhe këmbë të shkurtra, ndërsa njerëzit dhe paraardhësit e tyre kanë këmbë relativisht më të gjata.
Duke shkruar në revistën Science Advances, ata shpjegojnë se dykëmbësia është një “përshtatje kyçe” që dallon homininët – njerëzit dhe të afërmit tanë të zhdukur – nga majmunët e gjallë dhe ata fosilë.
“Sahelanthropus interpretohet këtu si një hominin i hershëm afrikan, i ngjashëm me majmunin, që tregon disa nga përshtatjet më të hershme ndaj dykëmbësisë,” shkruajnë autorët.
Ata shtojnë se evolucioni i ecjes në dy këmbë ishte më shumë një proces gradual sesa një ngjarje e vetme. Kjo nënkupton se specia mund të ecte në dy këmbë në tokë, por edhe të lëkundej nëpër pemë, si majmunët.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë të bindur se Sahelanthropus është paraardhës i drejtpërdrejtë i njeriut. Që në zbulimin e parë të species në vitin 2001, disa shkencëtarë kanë shprehur dyshime.
Milford Wolpoff, profesor i antropologjisë në Universitetin e Miçiganit, argumentoi në një letër drejtuar revistës Nature se Sahelanthropus “nuk ndodhet në linjën që çon drejtpërdrejt te njeriu”.
Ai u bazua te shenjat në kafkë të lëna nga muskujt e qafës, duke pretenduar se ato tregonin se kjo krijesë ecte me katër gjymtyrë, me kokën të orientuar horizontalisht në raport me shtyllën kurrizore. /GazetaExpress/