Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj.
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt po dëshmon në gjykatë, ku edhe Naim Murseli, i akuzuari kryesor, po i bën pyetje atij.
“Gjatë 12 viteve martesë, a i është ankuar ndonjëherë motra e tij për mua apo për raportin tonë?”, është njëra nga pyetjet që Murseli ia bëri vëllait të Liridonës.
Leonard Ademaj tha se “jo, nuk është ankuar”, por përmendi një “aferë tradhtie”.
“Para disa mujave, para se të ndodhte ngjarja, e kishte prekur shumë një aferë tradhtie e Naimit me një të afërm të vet, por që ajo vetë e kishte zgjidhur atë dhe ne nuk i kemi kundërshtuar veprimet e saj”.
“Ju thatë më herët që kinse unë paskam qenë në morg Kushtrim Kokallën. Në sa ora ka qenë kjo vizitë e panjohur për mua?”, ishte pyetja tjetër e Naim Murselit.
“Orën nuk e di”, ia ktheu Leonard Ademaj, por shtoi se këtë mund ta konfirmojë “edhe punonjësi aty”.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhej fjalë për një grabitje, e më pas Prokuroria kishte gjetur se kjo ishte inskenim.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Prokuroria thotë se ai e kishte planifikuar vrasjen së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua kishte premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.