A e dini se sa të varfër ka në Shqipëri?! - Gazeta Express

Ballina

Gazeta Express

11/12/2019 17:40

A e dini se sa të varfër ka në Shqipëri?!

Ballina

Gazeta Express

11/12/2019 17:40

Indeksi i zhvillimit njerëzor (HDI), i publikuar çdo vit nga programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara ( UNDP ), veç renditjes së përgjithshme ofron edhe një gamë të gjerë indikatorësh.

Një ndër ta është edhe ai varfërisë shumëdimensionale. Ky indikator është që prej vitit 2010 ai kryesori për të matur varfërinë reale, pasi merr në konsideratë jo vetëm faktorë si konsumi apo paratë, por edhe indikatorë si shëndeti, arsimi dhe standardi i jetesës.

Indikatori fokusohet kryesisht te familjet dhe te niveli i deprivimit, pra sa të pamundur e ka që të marrë një mall apo shërbim, si edukimi, shëndetësia, apo ushqimet.

Rezulton se në vendin tonë, vetëm 0.7% e popullsisë, ose rreth 21 mijë individë klasifikohen si të varfër, sipas kësaj metodologjie të universitetit të Oxfordit dhe Kombeve të Bashkuara. Kjo është një ndër normat më të ulta mes vendeve në zhvillim, pasi ky indeks përllogaritet vetëm për këto vende, dhe jo për ekonomitë e zhvilluara.

Krahasuar me vendet e rajonit, në Serbi dhe Mal të Zi, norma e varfërisë rezulton më e ulët se në vendin tonë, ndërsa në Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut rezulton më e lartë. Mes këtyre individëve, norma e deprivimit në intensitet fiksohet në 39.1%. Të dhënat i referohen viteve 2017/2018. Ndërkohë, në raportin e vitit të kaluar, të dhënat e fundit në dispozicion ishin ato të viteve 2008/2009, kur norma e varfërisë shumëdimensionale fiksohej në 2%.

Sa i përket përqindjes së popullsisë në varfëri të egër, ajo fiksohet në 0.1%. Rreth 5% e popullsisë në vend ndërkohë është e kërcënuar nga varfëria, thotë raporti i UNDP për zhvillimi njerëzor. Sa i përket faktorëve që ndikojnë në normën e varfërisë shumëdimensionale mes shqiptarëve, është pikërisht edukimi ai që ka peshën më të madhe, me rreth 55%, më pas ndjek arsimi dhe vetëm në fund, standardi i jetesës me vetëm 16%.

Pra, rreth 0.7% e popullsisë në vend që konsiderohet e varfër, këtë lloj varfërie e ka kryesisht sepse nuk mund të përballojë dot financiarisht edukimin, diçka më pak shëndetësinë dhe shumë më pak për shkak të standardit të jetesës, ku klasifikohet edhe ushqyerja./scan