A e dini që një goran nga Kosova mund të luajë në NBA? - Gazeta Express

Gazeta Express

20/10/2020 16:12

A e dini që një goran nga Kosova mund të luajë në NBA?

Gazeta Express

20/10/2020 16:12

Për dallim nga vendet tjera të ish-Jugosllavisë, vetëm Kosova nuk ka ende përfaqësues të saj që luan në NBA.

Mirëpo, në një të ardhme të afërt, një basketbollist me prejardhje nga vendi ynë mund ta prek ligën më të fortë botërore të basketbollit, shkruan Gazeta Express.

Bëhet fjalë për lojtarin Deni Avdija, një goran nga Kosova, i cili shumë shpejt mund të përfundojë në NBA.

Në fakt, 19 vjeçari aktualisht po qëndron në Amerikën e Veriut dhe po përgatitet për NBA Draft 2020, ku pritet të jetë njëri nga 5 apo zgjedhjet e klubeve të NBA-së.

Për këtë arsye, basketbollisti me nënshtetësi izraelite, i cili aktualisht është pjesë e klubit Maccabi Tel Aviv, mund të përfundojë në klubin e njohur të NBA-së, Golden State Warriors.

Por, atë e pëlqejnë edhe dy klube të tjera të kampionatit amerikan të basketbollit.

Me Avdijën po lavdërohen dhe mburren edhe izraelitët.

Ata mendojnë se e kanë gjetur njërin prej basketbollistëve më të mirë që mund t’i përfaqësojë denjësisht në NBA.

Madje, Avdija është zgjedhur njëri prej 50 hebrenjve më me ndikim.

Ai është i biri i ish-basketbollistit dhe trajnerit aktual të basketbollit, Zufer Avdija, goran i lindur në Prishtinë, por që kishte migruar më pas në Izrael, duke e marrë edhe nënshtetësinë e këtij vendi.

E i biri i tij, Deni, i ndoqi hapat e tij dhe sot është njëri prej basketbollistëve më të mirë në Izrael.

Ai e ndihmoi Maccabi Tel Avivin ta fitojë titullin e 54-t të kampionit në Izrael dhe u zgjodh lojtari i ri më i vlefshëm (MVP) ndonjëherë në kampionatin izraelit.

Deni kishte vazhdimësi në sezonin e fundit me një mesatare prej 13,5 pikësh, 6.1 kërcimesh dhe 2,6 asistimesh për ndeshje, derisa e kishte një mesatare prej 27 minutash për lojë.

Ai shkëlqeu në kampionatin vendor dhe në Euroleague.

Avdija gjithashtu ishte pjesë e ekipit kombëtar U-20 të Izraelit, ku u zgjodh lojtari më i mirë i Kampionatit Evropian për këtë grupmoshë.

Gjatë pranverës, ai e kishte shprehur dëshirën dhe vullnetin e tij për të luajtur në NBA.

“Përkundër kohërave të vështira nëpër të cilat po kalojmë, ëndrrat dhe shpresat mund të mbeten gjallë. Është privilegj imi që po planifikoj ta arrij një prej ëndrrave të mia. I falënderoj të gjithë për mbështetjen. Pa përkrahje nuk do të mund të isha këtu ku jam sot”, kishte thënë Avdija muaj më parë.

Dhe, kjo ëndërr duket se do t’i realizohet tash pasi në sezonin 2020/2021 mund ta shohim duke luajtur përkrah ose kundër yjeve më të mëdhenj të basketbollit botëror. /Gazeta Express/