A e cënojnë bllokimet domosdoshmërisht lirinë e njerëzve - Gazeta Express
string(56) "a-e-cenojne-bllokimet-domosdoshmerisht-lirine-e-njerezve"

A e cënojnë bllokimet domosdoshmërisht lirinë e njerëzve

Gazeta Express

19/11/2020 11:04

Mendimtarët politikë perëndimorë, duke filluar nga Herodoti tek Algernon Sidney nuk menduan se një shoqëri e lirë, është një shoqëri pa rregulla. Por këto të fundit duhet të vendosen kolektivisht. Sipas këndvështrimit të tyre, liria ishte më tepër një e mirë publike, sesa një gjendje thjesht individuale

Nga Annelien de Dijn

Lexo Edhe:

Evropa po përballet me “valën e saj të dytë” të Covid-19. Dhe qeveritë duken të pafuqishme për të ndalur rrjedhën e infektimeve të reja masive. Udhëheqësit politikë holandezë e kanë të vështirë t’i bindin qytetarët e tyre që të mbajnë maska n​ë fytyrë.

Një shumicë e madhe e votuesve francezë, mendojnë se qeveria e Emmanuel Macron e ka menaxhuar keq pandeminë. Edhe kryeministri britanik Boris Johnson, po përballet me zemërim nga të gjitha anët mbi rrethanat që çuan në një bllokim të ri të vendit.

Sipas këtyre drejtuesve, ardhja e një vale të dytë nuk ka asnjë lidhje me dështimet e politikave të tyre apo komunikimin e dobët me publikun. Jo, shifrat e të infektuarve po rriten sepse evropianët janë njerëz liridashës dhe është e vështirë t’i detyrosh ata të ndjekin rregullat kufizuese. “Është shumë e vështirë t’u kërkosh britanikë që t’u bindet udhëzimeve në mënyrën që është e nevojshme”- deklaroi Johnson, në përgjigje të kritikave ndaj politikës së qeverisë së tij mbi testimet. Ky shpjegim përdoret sa herë tentohet të shpjegohet arsyeja se pse Evropa po ecën më keq sesa vendet në Azinë Lindore, ku sëmundja duket më e kontrolluar.

Sipas disa analistëve, kultura politike autoritare nga lart-poshtë e vendeve si Kina dhe Singapori, e bën shumë më të lehtë zbatimin e masave të rrepta sesa në Evropën liberale.

Për shembull “menaxhimi efektiv i krizës”nga Singapori, u bë i mundur nga fakti se qeveria atje ka pasur “gjithnjë një kontroll absolut mbi shtetin”.

Anasjelltas, shumë analistë mendojnë se përkushtimi ndaj “lirisë individuale” e dënoi Perëndimin me një krizë të vazhdueshme nga Covid-19. A është vërtet kështu? A është vërtet një qeveri me funksionim të dobët,“çmimi” që duhet paguar për lirinë?

Nëse është kështu, atëherë ndoshta do të bënim mirë të hiqnim dorë nga liria. Tek e fundit, ai që vdes ose sëmuret rëndë, nuk përfiton shumë nga të qenit i lirë. Por fatmirësisht, ky është një përfundim tek i cili nuk kemi pse të mbërrijmë. Siç na e tregon historia, liria është shumë në përputhje me një qeverisje efektive.

Mendimtarët politikë perëndimorë, duke filluar nga Herodoti tek Algernon Sidney nuk menduan se një shoqëri e lirë, është një shoqëri pa rregulla. Por këto të fundit duhet të vendosen kolektivisht. Sipas këndvështrimit të tyre, liria ishte më tepër një e mirë publike, sesa një gjendje thjesht individuale.

Për shembull, Sidney shkroi:”Një popull i lirë, ishte një popull që jetonte nën ligjet e krijuara prej atij vetë”. Vlen të përmendet, që edhe filozofë të tillë si John Locke, ishin dakord me këtë pikëpamje. Locke portretizohet shpesh si një mendimtar që besonte se liria përkonte me të drejtat individuale, të drejta që duhen mbrojtur me çdo kusht kundër ndërhyrjeve të shtetit. Por Locke e mohonte qartazi se liria dëmtohej nga rregulloret qeveritare, për sa kohë që ato rregulla ishin miratuar me “me pëlqimin e shoqërisë”.

“Liria nuk është një liri ku secili mund të bëjë atë që do, të jetojë ashtu siç dëshiron dhe të mos respektojë asnjë ligj. Por liri e njerëzve nën një qeverisje, do të thotë të kesh një rregull të qëndrueshëm sipas të cilit të jetosh, dhe që të jetë i përbashkët për secilin prej individëve të asaj shoqërie, dhe të hartuar nga pushteti legjislativ i ngritur në të”- shkroi ai në “Traktatin e Dytë”.

Vetëm në fillim të shekullit XIX-të, disa nisën t`a refuzonin këtë ideal kolektiv, në favor të një konceptimi më individualist të lirisë. Pas Revolucionit Francez, demokracia u zgjerua dalëngadalë në gjithë Evropën. Por ajo nuk u mirëprit në gjithë botën.

Shumë udhëheqës frikësoheshin se zgjerimi i të drejtës për të votuar, do t’u jepte pushtet politik të varfërve dhe të paarsimuarve, të cilët pa dyshim do ta përdornin atë për të marrë vendime të gabuara, apo për ta rishpërndarë pasurinë.

Prandaj, elitat liberale filluan një fushatë kundër demokracisë, dhe këtë e bënë këtë në emër të lirisë. Demokracia, mendonin mendimtarët liberalë, duke filluar nga Benjamin Constant deri tek Herbert Spencer, nuk ishte shtylla kryesore e lirisë, por një kërcënim i mundshëm i lirisë i kuptuar siç duhet – kënaqësia private e jetës dhe të mirave të dikujt.

Gjatë gjithë shekullit XIX-të, ky konceptim liberal dhe individualist i lirisë, vazhdoi të kontestohej nga demokratët radikalë dhe socialistët. Mbështetëse të zgjerimit të së drejtës së botës si Emmeline Pankhurst, nuk u pajtuan me pikëpamjen e Spencer se mënyra më e mirë për të mbrojtur lirinë, ishte kufizimi sa më shumë që të ishte e munduri sferës së qeverisë.

Në të njëjtën kohë, politikanët socialistë si Jean Jaurès pohuan se ata, dhe jo liberalët, ishin partia e lirisë, pasi qëllimi i socializmit ishte “të organizonte sovranitetin e të gjithëve si në sferën ekonomike ashtu edhe atë politike”.Vetëm pas vitit 1945, koncepti liberal i lirisë dominoi mbi konceptimin e vjetër, kolektiv të lirisë.

Në kontekstin e rivalitetit të Luftës së Ftohtë, midis “Perëndimit të lirë” dhe Bashkimit Sovjetik, u rrit mosbesimi ndaj pushtetit shtetëror, madje edhe ndaj fuqisë së shtetit demokratik. Në vitin 1958, filozofi liberal Isaiah Berlin, në një lexim të njëanshëm të historisë së mendimit politik evropian, tha se se liria “perëndimore” ishte një koncept thjesht “negativ”.

Çdo ligj, deklaroi hapur Berlin, duhej parë si një shkelje e lirisë. Natyrisht, Lufta e Ftohtë ka mbaruar prej kohësh. Tani që po hyjmë në dekadën e tretë të shekullit XXI, ne mund të dëshirojmë të shplurosim konceptin e vjetër kolektiv të lirisë.

Nëse kriza e koronavirusit ka bërë të qartë një gjë, ai është fakti se kërcënimet kolektive, sikurse është një pandemi, kërkojnë një veprim vendimtar dhe efektiv nga qeveria. Kjo nuk do të thotë të heqim dorë nga liria jonë, në këmbim të mbrojtjes nga një shtet “dado”.

Siç na kujtojnë Sidney dhe Locke, për sa kohë që edhe bllokimi më i rreptë mund të mbështetet në mbështetjen e gjerë demokratike dhe rregullat e vendosura bashkarisht,

dhe mbeten objekt shqyrtimi nga përfaqësuesit tanë politikë dhe media, ato nuk e cënojnë lirinë tonë.

Shënim: Annelien de Dijn, është profesoreshë e historisë në Universitetin e Utrehtit, Holandë. / “The Conversation” – Bota.al