UEFA nuk e ka marrë asnjë vendim për ta shtyrë për një datë tjetër ndeshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e planifikuar për t’u zhvilluar më 26 mars në shtetin fqinj të prekur nga koronavirusi. UEFA ka deklaruar për Gazetën Express se është duke e monitoruar me vëmendje situatën e krijuar nga COVID-2019 dhe se në kohë sa më të shpejt që është e mundur do të marrë vendime.
Ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e planifikuar për t’u zhvilluar më 26 mars në Shkup, sigurt do të luhet pa shikues. Por, tani për tani nuk përjashtohet mundësia e shtyrjes së këtij takimi të “Play-Off-it” të Ligës së Kombeve, i vlefshëm për kualifikim në “Euro 2020”.
Është vet UEFA ajo e cila përmes një deklarate dhënë Gazetës Express as nuk e ka pohuar e as mohuar mundësinë e shtyrjes së kësaj përballje, e cila është “mjegulluar” shkaku i koronavirusit, i cili e ka prekur edhe Maqedoninë e Veriut si shumë vende tjera të botës.
Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim që ndeshja e 26 marsit në mes maqedonasve dhe kosovarëve të zhvillohet pa praninë e publikut, si masë parandaluese të përhapjes së mëtejme të koronavirusit që e ka prekur shtetin fqinj.
Por, Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut dhe trajnerë e futbollistë të kombëtares së saj kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga UEFA që kjo ndeshje të mos zhvillohet as pa praninë e publikut, por të shtyhet për një datë tjetër derisa të qetësohet vendi nga koronavirusi.
Maqedonasit druajnë se disa lojtarë të tyre bëjnë karrierë në Itali, ku koronavirusi ka shkaktuar edhe numër të madh viktimash. Ndërsa, qeveria maqedonase ka vendosur që të gjithë njerëzit që shkojnë në Maqedoni nga Italia fillimisht të futen në karantinë për dy javë si masë parandaluese e përhapjes së “Covid-2019”.
E njëjta vlen edhe për lojtarët maqedonas të cilët pritet të vijnë nga Italia në Shkup për ndeshjen e kombëtares së tyre ndaj Kosovës. Edhe Kosova ka lojtarë që bëjnë karrierë në Itali si Amir Rrahmanin apo Samir Ujkanin, me të cilët nuk dihet se si do të veprojnë maqedonasit kur shkojnë në Shkup nga Prishtina me ekipin e “Dardanëve”.
Gazeta Express e ka pyetur UEFA-n nëse do të marrë apo jo vendim për shtyrje të ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Shtëpia e futbollit evropian nuk ishte në gjendje të jap përgjigje definitive, por nuk e ka përjashtuar asnjë mundësi. UEFA tha se po e përcjell me vëmendje situatën në Maqedoni në prag të ndeshjes së 26 marsit.
“UEFA është duke i monitoruar vendimet e autoriteteve lokale që mund të kenë ndikim në ndeshje në kompeticionet e tyre. Për momentin nuk kemi përditësim apo komente sa u përket ndeshjeve që do të luhen në atë fazë (më 26 mars). Të gjitha përditësimet sa u përket ndeshjeve që organizohen nga UEFA do të publikohen në uefa.com sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka deklaruar UEFA për Gazetën Express.
Në Maqedoni ndeshjet kampionale po zhvillohen pa praninë e publikut. Koronavirusi ka shkaktuar kaos në të gjitha garat futbollistike në Evropë dhe në shumë vende të botës. “UEFA është duke e marrë me seriozitet të madh situatën që lidhet me koronavirusin. Ne jemi duke e monitoruar nga afër situatën dhe jemi në kontakt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe autoritetet kombëtare rreth COVID-19 dhe zhvillimit të tij”, theksoi UEFA.
Sipas kalendarit, fituesi i ndeshjes Maqedoni V. – Kosovë në finale të “Play-Off-it” takon fituesin e gjysmëfinales tjetër Gjeorgji – Bjellorusi më 31 mars. Fituesi i këtij “Play-Off-i” kualifikohet në Kampionatin Evropian të verës që po vjen. /GzetaExpress/