A do të luajë Muriqi ndaj Maqedonisë së Veriut? Përgjigjet menaxheri i Kombëtares - Gazeta Express

Futboll

Moral Pozhegu

30/09/2020 11:45

A do të luajë Muriqi ndaj Maqedonisë së Veriut? Përgjigjet menaxheri i Kombëtares

Futboll

Moral Pozhegu

30/09/2020 11:45

“Dardanët” po shpresojnë që ta kenë në dispozicion yllin e tyre për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut. Bajram Shala, menaxher i ekipit kombëtar të Kosovës, flet për “Gazeta Express” rreth situatës aktuale

Vedat Muriqi së fundmi rezultoi negativ në testin për COVID-19 dhe ky lajm, krahas tifozëve të Lazios, i ka gëzuar tej mase edhe ata kosovarë, shkruan Gazeta Express.

Në fakt, Përfaqësueses së Kosovës i janë rritur shpresat që ta ketë në dispozicion yllin e saj për ndeshjet e tetorit.

26 vjeçari nuk ka stërvitur qe gjashtë javë, fillimisht për shkak të një lëndimi muskulor, e më pas shkaku i koronavirusit.

Prizrenasi shumë shpejt do ta marrë rrugën drejt Italisë për t’iu bashkuar ekipit të Lazio pasi qëndroi për disa ditë i vetëizoluar në Turqi.

Trajneri Simone Inzaghi synon të punojë me të gjatë kohës kur luajnë Kombëtaret, për ta pasur të gatshëm për ndeshjen me Atalantan, në pjesën e dytë të tetorit.

Sidoqoftë, “Dardanët” po ashtu shpresojnë ta kenë në dispozicion gjigantin e sulmit për ndeshjet e tetorit.

Sidomos, për duelin jetik me Maqedoninë e Veriut, në gjysmëfinale të “play-offit” të Ligës së Kombeve.

Siç dihet, Verdhekaltrit janë vetëm 180 minuta larg Evropianit 2020, i cili do të mbahet vitin tjetër.

Menaxheri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bajram Shala zbulon se “Dardanët” po e vëzhgojnë me kujdes situatën e Muriqit.

“Ne presim që Vedati të vijë. Por, akoma nuk ka asgjë definitive dhe duhet t’i shohim zhvillimet në ditët në vijim”, ka thënë Shala për “Gazeta Express”.

Muriqi mungoi në ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve, ku Kosova pati paraqitje të zbehta ndaj Moldavisë dhe Greqisë. /Gazeta Express/