Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një paralajmërim të qartë Kremlinit, javën e kaluar, duke e njoftuar për planet për dërgimin e furnizimeve me armë për Kievin përmes Evropës dhe duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin “tarifa shumë të rënda” ndaj Rusisë nëse nuk arrin marrëveshje për luftën në Ukrainë brenda 50 ditësh.
Trump nuk ka specifikuar nëse do të arrihet një armëpushim apo vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes. Sidoqoftë, shumë analistë thonë se kjo ka pak gjasa të ndodhë. Ja përse:
Synimet territoriale
Qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, qartësisht shkojnë përtej pushtimit të një pjese të Ukrainës: Ai e ka bërë të qartë se synon të nënshtrojë vendin dhe ta dobësojë NATO-n dhe Perëndimin, duke kërkuar që të rikthejë një pjesë të ndikimit që Moska kishte gjatë epokës sovjetike mbi një pjesë të Evropës.
Por, një synim më afatshkurtër lidhet drejtpërdrejt me territorin. Rusia aktualisht kontrollon pothuajse 20 për qind të territorit të Ukrainës. Përveç Gadishullit të Krimesë, që Rusia e ka nën kontroll që nga viti 2014, Putini zyrtarisht – dhe në mënyrë të rreme – pretendon se rajonet ukrainase sikurse Donjecku, Luhansku, Zaporizhja dhe Hersoni janë tashmë pjesë e Rusisë – përfshirë edhe zona të mëdha që Rusia ende nuk i ka pushtuar.
Rusia ka thënë se tërheqja e plotë e Ukrainës nga këto katër rajone është parakusht për ndonjë marrëveshje të paqes – një kërkesë që Kievi thotë se është e papranueshme. Dhe përderisa analistët thonë se Putini mund t’i bëjë ballë çdo kundërshtie brenda vendit nëse do të pranonte një marrëveshje që do ta kufizonte praninë ruse vetëm në territoret që kontrollon aktualisht, ai nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të bëjë diçka të tillë.
Përkundrazi, Rusia ka këmbëngulur në këtë kërkesë. Në terren, ajo ka synuar që ta bëjë realitet këtë pretendim, duke shtyrë përpara veçanërisht në rajonin e Donjeckut dhe duke bërë përparim drejt qytetit të shkatërruar të Pokrovskut.
Në një nga reagimet e para ruse lidhur me deklaratat e Trumpit, ligjvënësi i afërt me Kremlinin, Konstantin Kosachyov, tha në Telegram “oh, aq shumë gjëra mund të ndryshojnë në fushëbetejë brenda 50 ditësh”.
Rusia mund të synojë që të intensifikojë ofensivën e saj në javët në vijim, duke u përpjekur që të bëjë përparim jo vetëm në provincat që pretendon se i kontrollon, por edhe në rajone të tjera, sikurse në Harkiv dhe Sumi, në veri të Donjeckut. Në qershor, Putin bëri një kërcënim të tërthortë lidhur me përpjekjen për të marrë nën kontroll qytetin e Sumit.
Megjithatë, ekziston një kufi se çfarë mund të ndryshojë në gjashtë javë në fushëbetejë, ku përfitimet graduale ruse kanë ardhur me një çmim të lartë sa i përket viktimave, që vlerësohet se kanë arritur afër shifrës 1 milion të vrarë apo të plagosur nga ana ruse.
Por, përderisa nuk ka mundësi që Rusia të pushtojë pjesët e mbetura, që janë nën kontrollin e Qeverisë ukrainase, në katër rajonet e përmendura deri në shtator – përfshirë kryeqytetet e Zaporizhjës dhe Hersonit – ky fakt vetëm mund të rrisë dëshirën e Putinit që të sigurojë kontroll të plotë, të paktën në letër, para ndonjë marrëveshje të mundshme.
“Sipas mendimit tim është e qartë që Putini nuk dëshiron armëpushim, të paktën jo derisa të marrë kontrollin e të gjitha rajoneve që janë të përcaktuara si ruse në versionin e tij të Kushtetutës”, tha Dmitry Gudkov, ish-ligjvënës opozitar në Parlamentin rus për Current Time më 16 korrik. “Në thelb, kjo do të nënkuptonte kapitullimin e Ukrainës”.
“Ultimatumet janë të papranueshme”
Trump ka synuar që të ndërmjetësojë përfundimin e luftës në Ukrainë që kur mori detyrën gjashtë muaj më parë, pas një fushate zgjedhore në të cilën ai deklaroi se luftës do t’i jepte fund “brenda një ose dy ditësh”. Përballë rezistencës së Putinit, më së shumti përmes refuzimit të tij të kujdesshëm të kërkesës amerikane për një armëpushim 30-ditor, Trump ka përdorur retorikë të ashpër ndaj Putinit në javët e fundit.
Por, paralajmërimi 50-ditor përbën herën e parë që Trumpi i dha Kremlinit një ultimatum – një formë presioni që Putini, i cili ka kërkuar që Rusia të trajtohet e barabartë me vendet e tjera të politikës së tij të jashtme, duket se nuk e pëlqen. Kështu, teksa shumë në Perëndim kanë kërkuar që Trump të bëjë kërkesa specifike ndaj Putinit, ende nuk është e qartë nëse një ultimatum e rrit apo e ul mundësinë për një marrëveshje.
Putini nuk ka folur publikisht për deklaratat e Trumpit dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk ka thënë asgjë specifike për këto deklarata. Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, që mbikëqyr raportet me SHBA-në, më 15 korrik tha se “çdo përpjekje për të bërë kërkesa, veçanërisht ultimatume, është e papranueshme për ne”.
“Nëse ne nuk mund të arrijmë qëllimet tona përmes diplomacisë, atëherë [lufta kundër Ukrainës] do të vazhdojë”, tha Ryabkov, duke dhënë, deri tani, refuzimin e vetëm zyrtar të thirrjes së Trumpit për marrëveshje brenda 50 ditësh – deri më 1 ose 2 shtator. “Ky është një qëndrim i palëkundur”./REL