A do të ketë vëzhgues ndërkombëtarë në zgjedhjet e 28 dhjetorit? Ky është qëndrimi i BE-së - Gazeta Express
string(89) "a-do-te-kete-vezhgues-nderkombetare-ne-zgjedhjet-e-28-dhjetorit-ky-eshte-qendrimi-i-be-se"

Lajme

Gazeta Express

23/11/2025 15:26

A do të ketë vëzhgues ndërkombëtarë në zgjedhjet e 28 dhjetorit? Ky është qëndrimi i BE-së

Lajme

Gazeta Express

23/11/2025 15:26

Bashkimi Evropian ka kërkuar që zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor të jenë të administruara mirë dhe konkurruese, përfshirë siç thonë pjesëmarrjen dhe certifikimin e partive politike dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.

Në Unionin Evropian thonë për KosovaPress, se misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve do ta konfirmojnë sapo të merret një vendim, pasi njoftimi për zgjedhje nga autoritetet në Kosovë u bë së fundmi.

Ndërkaq, monitorues të proceseve zgjedhore ngrenë shqetësimin se zgjedhjet me datën 28 dhjetor, në periudhën e festave të fundvitit, mund të paraqesin probleme në administrimin e brendshëm të procesit dhe funksionimin e monitorimit ndërkombëtar. Megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor konsiderohet edhe si e imponuar nga pamundësia ligjore për t’u mbajtur më vonë pas shpërndarjes së Kuvendit, si dhe pamundësia teknike nga KQZ për t’u mbajtur më herët.

Zgjedhjet më 28 dhjetor u caktuan nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 20 nëntor, pasi shpërndau legjislaturën e nëntë, ku përgjatë tetë muajve nuk u funksionalizua puna e Kuvendit, si dhe dështoi dy herë të zgjidhej Qeveria e Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

LVV-ja tentoi dy herë të formojë qeverinë e re, me mandatar fillimisht liderin partiak Albin Kurti dhe më pas nënkryetarin e saj, Glauk Konjufca, mirëpo të njëjtit morën vetëm 56 vota të deputetëve në Kuvend nga 61 të nevojshme.

Në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehën keqardhje që partitë politike nuk e kapërcyen ngërçin e tejzgjatur politik.

“Ne e marrim parasysh njoftimin e zgjedhjeve të reja parlamentare më 28 dhjetor 2025. BE-ja nënvizon rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues, përfshirë pjesëmarrjen, certifikimin e partive politike dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet… Sa i përket misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe meqenëse njoftimi u bë vetëm kohët e fundit, ne do ta konfirmojmë sapo të merret një vendim”, thuhet në përgjigjen e tyre për KosovaPress.

Më tej, të njëjtit thonë se BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së. Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e duhur për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, theksohet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë për KosovaPress, se caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor, mund të jetë problematik në dy rrafshe. Sipas tij, në atë të brendshëm do të jetë sfidë përzgjedhja e komisionerëve dhe vëzhguesve nga ana e KQZ-së, kurse në rrafshin e jashtëm personeli ndërkombëtar në Kosovë nuk do të jetë i pranishëm në periudhën e festave të fundvitit.

Por ndryshe mendon analisti politik Dorajet Imeri. Ai thotë për KosovaPress, se mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor, është e imponuar nga pamundësia ligjore për t’u mbajtur më vonë pas shpërndarjes së Kuvendit, si dhe pamundësia teknike nga KQZ-ja për t’u mbajtur më herët.

Sipas tij, partitë politike këtë datë duhet ta shohin si mundësi të mirë, pasi edhe mërgata shqiptare është në Kosovë për festat e fundvitit.

Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët, Guxo dhe Alternativa, e kanë mirëpritur mbajtjen e zgjedhjeve më 28 dhjetor.

Ndërkaq, partitë e ish-opozitës, PDK, LDK, AAK dhe Nisma, kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor./KP