Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për 11 herë, duke theksuar krizën politike në vazhdim. Pas letrës së kryeministrit në detyrë për liderin e LDK-së, Abdixhiku refuzoi hyrjen në koalicion, dhe propozoi qeveri të tranzicionit. Krijimi i një qeverie teknike ka ngjallur diskutime, por pa shumë shpresa për një marrëveshje të shpejtë. Këto tema u diskutuan nga analistët në RTK Prime, të cilët theksuan situatën e vështirë politike dhe mundësinë e një zgjidhjeje të mundshme.
Analistët janë të mendimit se situata aktuale kërkon përgjegjshmëri politike dhe gatishmëri për të kaluar përtej pozicioneve të ngurtësuara dhe për të gjetur një zgjidhje që do të sigurojë stabilitetin dhe avancimin e vendit.
Xhavit Drenori komentoi këtë zhvillim, duke thënë se përgjigjja e Abdixhikut ishte e pritshme, duke pasur parasysh komunikimin jo të mirë dhe akuzat e papërfunduara brenda LDK-së. Ai shtoi se këto janë zhvillime normale në një proces demokratik.
“Ne jemi të vetëdijshëm se LDK-ja nuk ka dalë mirë nga zgjedhjet, jo vetëm për shkak të rezultateve, por edhe për shkak të reformave të papërfunduara dhe për shkak të problemeve me akuza dhe kundërakuza për vjedhje të votave. Prandaj, ka pasur disa çështje që LDK-në e kanë gjetur të papërshtatshme në këtë situatë”, theksoi Drenori.
Nga ana tjetër, analistja Besa Luzha e vlerësoi si hap pozitiv dërgimin e letrës nga Kurti dhe përgjigjen e Abdixhikut, duke theksuar se është e rëndësishme të gjejnë forcë dhe përgjegjësi politike për të kaluar përtej dallimeve dhe për të parë interesin e vendit.
“Pavarësisht se çka ka ndodhur, duhet të gjejmë forcë, vullnet, përgjegjësi politike, për t’i tejkaluar të gjitha dhe për të parë interesin e vendit. Nga kjo perspektivë më është dukur një vendim shumë i mirë i Kurtit që megjithatë ka reflektuar dhe ka parë se nuk shkohet kështu përpara”, tha Luzha.
“Mua më është dukur shumë e sinqertë përgjigjja e Lumir Abdixhikut, edhe ai ka bërë një hap përpara, prej një pozicionimi të betonuar që ‘ne fare nuk duam të bisedojmë, duam të rrimë në opozitë’. Më është dukur që shumë qartë e ka treguar pozicionin e LDK-së, duke qenë se gjatë gjithë kohës e ka kundërshtuar, e ka kritikuar Vetëvendosjen për shumë nga ato që i ka përmendur. Ata kanë gjetur si të pamundur që, me gjithë ato vërejtje, të shkojnë vetëm ata për të bërë koalicion”, shtoi ajo.
Politikologu Melazim Koci theksoi se krijimi i një qeverie teknike ose të tranzicionit është i mundur vetëm nëse ekziston vullnet politik. Ai shprehu dyshime për disponimin e Vetëvendosjes për një marrëveshje të tillë dhe theksoi se zgjedhjet e reja mund të jenë një alternativë, por ato gjithashtu mund të përkeqësojnë situatën.
“Kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por është më pak e dhimbshme. Në rrethanat në të cilat ne jemi, ndodhemi në situatën: ose të shkohet në këtë variant të qeverisjes së tranzicionit, ose të shkohet në zgjedhje të reja, që janë zgjidhje edhe më e keqe, sepse zgjedhjet e reja nuk mund të prodhojnë rezultat tjetër nga ky”, deklaroi Koci.
Ai gjithashtu përmendi polarizimin e thellë politik dhe përjashtimin e votave të komunitetit serb, si faktorë që pengojnë formimin e një qeverie funksionale.
“Dy probleme janë paraqitur në Kosovë gjatë kësaj periudhe: polarizimi shumë i madh që nuk mund të shkrihet brenda natyrës, dhe e dyta që ka penguar formimin e qeverisë. Kemi një situatë të re, në të cilën ose disa vota të komunitetit pakicë serb janë të përjashtuara me arsyetim, sepse minimuni ka dashur të distancohet nga ajo që ka ndodhur në Banjskë”, theksoi Koci.
Gazetari Muhamet Hajrullahu theksoi se situata aktuale në Kosovë ka arritur në këtë pikë për shkak të një diskursi të thellë mosbesimi mes partive politike. Ai u shpreh se, në vend që të ulen dhe të diskutojnë, partitë janë më të gatshme të akuzojnë dhe të kritikojnë njëra-tjetrën.
Hajrullahu argumentoi se ky mosbesim ka vazhduar gjatë gjithë fushatave parazgjedhore dhe zgjedhore, duke krijuar një atmosferë të tensionuar që vazhdon edhe sot.
Ai shtoi se nëse palët nuk janë të gatshme të besojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë mundësi për dialog, mundësia e një zgjidhjeje të qëndrueshme është shumë e vështirë. Sipas tij, një mundësi mund të ishte shkuarja në zgjedhje të reja, të cilat mund të zbusin tensionet dhe të hapin rrugën për një zgjidhje të mundshme.
“Më mirë të shkojmë në zgjedhje dhe ndoshta zgjedhjet do të zbusin pak situatën e këtij ngërçi dhe mosbesimi, dhe ndoshta do të zgjidhet situata, sepse kështu nuk po shoh që ka zgjidhje”, tha Hajrullahu.