Për shumëkënd, këto pamje ishin përcaktuese të rezultatit të revolucionit të vitit 1989 në Rumani: Fëmijë thatanikë të veshur me lecka, duke e shikuar me sy të dëshpëruar aparatin fotografik në dhomat e ndyra të jetimoreve rumune.
Përktheu: Nasuf Abdyli
Në ditën e Krishtlindjeve shënohet 30-vjetori i dënimit dhe ekzekutimit të diktatorit famëkeq rumun, Nikolai Çaushesku. Ekzekutimi i tij i dha fund më shumë se dy dekadave të një pushteti që kishte sjellë varfëri dhe mjerim për popullsinë e vendit të Evropës Lindore.
Tash, tri dekada pas rënies së tij, vetëm disa persona janë përballur me dënime ligjore për rolin e tyre në regjimin shtypës të Çausheskut dhe organet nuk kanë hapur raste për dhjetëra mijëra fëmijët e keqtrajtuar nga rrjeti çnjerëzor i regjimit të atëhershëm përmes institucioneve për internimin e fëmijëve. Megjithatë, ky fakt mund të ndryshojë së shpejti.
Prokurorët rumunë i kanë filluar hetimet ndaj dhjetëra personave që kanë qenë drejtpërdrejt apo tërthorazi përgjegjës për vdekjet e asaj kohe. Këto masa u morën pas kërkesës së Institutit për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, organ shtetëror i krijuar për hulumtimin e periudhës komuniste.
Florin Soare, hetues i këtij instituti, i cili i ka kaluar disa vjet duke mbledhur dëshmi, vlerëson se nga viti 1966 deri në vitin 1989, rreth 15 deri 20 mijë fëmijë rumunë kanë vdekur për shkak të trajtimit jot ë duhur të rrjetit të regjimit.
Bukureshti nuk ka muze të komunizmit, ndërsa faktet më të reja në muzeun e qytetit janë ato të vitit 1918.
Më 25 dhjetor 1989, diktatori Nikolai Çaushesku dhe bashkëshortja e tij, Elena, u shpallën fajtorë për disa akuza nga një gjykatë ushtarake dhe u dënuan me ekzekutim me pushkatim. Ekzekutimi i tyre u bë menjëherë pas mbylljes së seancës gjyqësore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.