Agjenti i Xabi Alonsos, Inaki Ibanez, ka reaguar ndaj raportimeve që e lidhin klientin e tij me një kalim te Liverpooli.
Gjatë karrierës së tij si lojtar, Alonso luajti për Liverpoolin nga viti 2004 deri më 2009, duke zhvilluar 236 ndeshje dhe duke shënuar 6 gola.
Spanjolli ishte pjesë e skuadrës së famshme që fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2005 në Stamboll, ku shënoi golin e barazimit 3-3 kundër Milanit.
Pas pensionimit, Alonso iu fut trajnerllëkut dhe bëri përshtypje në rolin e tij të parë te Real Sociedad B, gjë që bëri që Bayer Leverkusen ta emëronte trajner.
Pas një sezoni ku fitoi Bundesligën me Leverkusenin, Alonso u bë një nga trajnerët më të kërkuar, duke u lidhur me klube si Real Madridi, Liverpooli dhe Manchester City.
Ai përfundimisht iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2025, por u shkarkua në janar të këtij viti pas një serie rezultatesh negative.
Me Liverpoolin që po has vështirësi nën drejtimin e Arne Slotit, Alonso është lidhur me një rikthim të mundshëm në “Anfield” gjatë verës.
Së fundmi, mediumi spanjoll “Okdiario” raportoi se Alonso kishte arritur marrëveshje për ta zëvendësuar Slotin në fund të sezonit 2025/26 nëse trajneri holandez nuk arrin të fitojë Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, agjenti i tij Ibanez i ka mohuar këto pretendime.
“Të gjitha këto biseda për një marrëveshje me Liverpoolin janë thjesht spekulime të mediave,” deklaroi ai për “WinWin”.
Ndërkohë, specialisti i transferimeve Fabrizio Romano tha se aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje mes palëve.
“Për momentin nuk ka asgjë të përfunduar, të rënë dakord apo në negociata të avancuara mes Xabi Alonsos dhe Liverpoolit. Mund ta garantoj që asgjë nuk është vendosur.
Në fund të sezonit, Liverpooli do të bëjë një analizë të brendshme që do të përfshijë lojtarët, trajnerin dhe drejtuesit e klubit.
Pra do të ketë një diskutim të brendshëm për të vlerësuar sezonin, por për momentin asgjë nuk është vendosur dhe nuk ka marrëveshje me Xabi Alonson.
Natyrisht ekziston vlerësim për të – është ish-lojtar i Liverpoolit dhe një trajner i shkëlqyer – prandaj ndjenjat mes tij dhe klubit janë pozitive. Por deri tani nuk ka asnjë marrëveshje”./GazetaExpress/