Senati i Shteteve të Bashkuara ka përshpejtuar shqyrtimin e një projektligji dypartiak që parasheh shpalljen e Rusisë “shtet që sponsorizon terrorizmin” nëse ajo nuk i kthen mijëra fëmijë ukrainas që, siç thuhet, i ka “rrëmbyer, dëbuar ose larguar me forcë” gjatë luftës kundër Ukrainës.
Kjo është hera e dytë që ligjvënësit amerikanë propozojnë një projektligj të tillë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Aktualisht, vetëm katër shtete – Irani, Koreja e Veriut, Siria dhe Kuba – janë përfshirë në listën e sponsorëve shtetërorë të terrorizmit nga Uashingtoni. Futja në këtë listë i sjell një shteti pasoja financiare, por vendimi ka edhe peshë simbolike.
Shqyrtimi i këtij projektligji po bëhet në kohën kur ka zhgënjim në rritje në mesin e ligjvënësve amerikanë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës muajt e fundit dhe, sipas shumë zyrtarëve perëndimorë, ka refuzuar të negociojë seriozisht për arritjen e paqes. Rusia më herët gjatë këtij muaji lëshoi dronë që hynë në hapësirën ajrore të Polonisë – disa nga dronët u rrëzuan nga forcat polake – duke shënuar herën e parë që NATO-ja përfshihet drejtpërdrejt në rrëzimin e armëve ruse që nga fillimi i luftës.
Çfarë parasheh projektligji?
Nëse miratohet, Projektligji për shpalljen e federatës ruse si shtet që sponsorizon terrorizmin do t’i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit që, brenda 60 ditëve, t’i raportojë Kongresit se fëmijët “e rrëmbyer, dëbuar ose larguar me forcë nga territori i Ukrainës” – përfshirë zonat e pushtuara nga Rusia – janë ribashkuar në mënyrë të sigurt me familjet ose kujdestarët e tyre dhe se procesi i riintegrimit të tyre në shoqërinë ukrainase ka nisur.
Kievi vlerëson se më shumë se 19.500 fëmijë ukrainas po mbahen nga Rusia. Nëse sekretari i Shtetit nuk mund të konfirmojë se fëmijët janë kthyer në Ukrainë, atëherë Rusia menjëherë “duhet të shpallet shtet që sponsorizon terrorizmin”.
Cili do të ishte ndikimi i mundshëm?
Shpallja e shtetit si sponsor i terrorizmit do ta bënte “shumë të vështirë për këdo të bëjë biznes të ligjshëm me Rusinë”, tha senatori republikan Lindsey Graham, një nga katër sponsorët e projektligjit, kur e prezantuan atë më 11 shtator.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vendosur sanksione të gjera ndaj Moskës, përfshirë kufizime mbi eksportet e teknologjisë amerikane dhe mijëra masa ndëshkuese kundër industrive kryesore, kompanive dhe individëve rusë.
Kjo nënkupton se miratimi i projektligjit do ta bënte më të vështirë heqjen e sanksioneve – diçka që presidenti amerikan, Donald Trump, e ka bërë të qartë se do të donte ta bënte nëse arrihet një marrëveshje paqeje – por, ndikimi i drejtpërdrejtë mbi ekonominë ruse do të ishte i kufizuar, përveç nëse Trump do të vendoste sanksione dytësore si instrument shtesë për të kufizuar aftësinë e Kremlinit për të zhvilluar luftën.
Sanksionet dytësore ndëshkojnë shtetet, kompanitë dhe individët e huaj që shkelin sanksionet amerikane, në këtë rast nëse bëjnë biznes me Rusinë. Kina ka luajtur një rol kyç në shmangien e sanksioneve amerikane nga Rusia: ajo vazhdon ta furnizojë Moskës me teknologji të ndaluar dhe mallra me përdorim të dyfishtë, ndërsa blen gjithashtu burime natyrore ruse, duke e ushqyer ekonominë ruse.
Trump mund të synojë që t’iu vendosë sanksione kompanive kineze sipas legjislacionit për sponsorët e terrorizmit, por kjo do të rrezikonte një nga synimet kryesore të administratës së tij: arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Pekinin. Ai pritet të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping, në tetor me synimin që të finalizojë një marrëveshje.
Megjithatë, Trump nuk ka nevojë për këtë projektligj për të vendosur sanksione dytësore ndaj atyre që tregtojnë me Rusinë. Presidenti amerikan mund të vendosë sanksione të tilla edhe pa miratimin e Kongresit.
Megjithatë, shtyrja përpara e projektligjit shihet si një sinjal për Putinin se presioni ndaj tij po rritet.
“Ky do të ishte një mesazh për rusët se kjo është një përparësi e të dy partive në SHBA”, tha për Radion Evropa e Lirë Rachel Ziemba, eksperte e sanksioneve në Qendrën për Siguri të Re Amerikane, një institut me seli në Uashington.
Pse tani?
Ligjvënësit amerikanë, që mbështesin Kievin prej kohësh, kanë shprehur indinjatë për transferimin e fëmijëve ukrainas nga territoret e kontrolluara nga Moska në Rusi, duke akuzuar Kremlinin se po përpiqet të shkatërrojë identitetin ukrainas. “Rrëmbimi” i fëmijëve është “pjesë e përpjekjes së Putinit për ta zhdukur Ukrainën nga faqja e dheut”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal, një nga bashkësponsorët e projektligjit.
Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi në mars 2023 një fletarrestim për Putinin për “transferimin e paligjshëm” të fëmijëve nga pjesët e pushtuara të Ukrainës për në Rusi, gjë që përbën krim lufte, sipas së drejtës ndërkombëtare.
Arsyeja pse projektligji po shtyhet përpara tani – më shumë se 42 muaj pas nisjes së luftës – lidhet me shqetësimet në rritje në Kongres, teksa përpjekjet e Donald Trump për të ndërmjetësuar përfundimin e konfliktit po përballen me refuzimin e Rusisë për të pranuar një armëpushim ose për të bërë lëshime.
Rusia vazhdimisht lëshon qindra dronë dhe raketa mbi Ukrainë në sulmet që kryen gjatë natës, shpesh duke vrarë e plagosur civilë, ndërsa forcat e saj avancojnë në vijat e frontit. Shkelja e hapësirës ajrore polake më 10 shtator u pa gjerësisht si një test i vendosmërisë së NATO-s, ndërsa një tjetër provokim u shënua më 19 shtator.
“Po e bëjnë tani sepse lufta është duke u përshkallëzuar dhe jo duke u qetësuar. Njerëzit në Kongres dhe në administratë po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar e të zemëruar me Rusinë”, tha përkrahësja e projektligjit Rachel Ziemba, eksperte e sanksioneve në Qendrën për Siguri të Re Amerikane.
A do të miratohet?
Mbështetja e fortë e dy partive nënkupton se projektligji mund të miratohet lehtësisht nëse hidhet në votim.
Por, kjo nuk do të thotë se ai është i destinuar të bëhet ligj. Fati i tij lidhet me një pyetje që është ngritur që kur Trump mori detyrën në janar: A do të vendosë ai sanksione shtesë ndaj Rusisë si pjesë e përpjekjes për t’i dhënë fund luftës së saj kundër Ukrainës?
Edhe vetë Trump ka shprehur gjithnjë e më shumë zemërim me qëndrimin kokëfortë të Putinit, dhe ai ka thënë vazhdimisht se mund ta godasë Moskën me sanksione të reja. Por, përveç rritjes së tarifave ndaj importeve indiane për shkak të blerjeve të naftës ruse, ai është përmbajtur nga ky vendim gjatë nëntë muajve të mandatit të tij. Në disa raste, ai ka shprehur shqetësimin se vendosja e sanksioneve të reja do të pengonte përpjekjet e tij për ta sjellë Putinin në tryezë.
Ndërsa projektligji paraqet një armë shtesë në arsenalin amerikan për t’u përdorur kundër Rusisë, mbetet e paqartë nëse ligjvënësit do ta hedhin në votim pa pasur siguri se Trump mendon se ka ardhur koha që të veprohet.
“Nëse do të kishte një përpjekje serioze për ta kaluar [projektligjin], nuk kam asnjë dyshim se mund të arrihej një shumicë e mjaftueshme për të përmbysur veton, nëse republikanët do të ishin të gatshëm të sfidonin presidentin”, tha për Radion Evropa e Lirë, John Herbst, analist në Këshillin e Atlantikut. Herbst ka qenë ambasador i SHBA në Ukrainë nga viti 2003 deri më 2006.
Ligjvënësit mund të përmbysin veton e presidentit mbi një projektligj nëse sigurojnë dy të tretat e votave në të dy dhomat e Kongresit, por nuk ka sinjale se liderët republikanë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve janë të gatshëm për një gjë të tillë.
Një projektligj për vendosjen e sanksioneve të ashpra të reja ndaj Rusisë u paraqit në pranverë dhe u bashkësponsorizua nga më shumë se 80 nga 100 senatorët amerikanë, që ishte një shfaqje e mbështetjes së madhe nga dy partitë, por ky projektligj ende nuk është hedhur në votim.
“Asgjë nuk ka ndodhur, sepse të gjithë po presin që Trump të japë miratimin”, tha Herbst.
Nëse projektligji kalon dhe nënshkruhet nga presidenti Trump, fuqia e tij do të varet pjesërisht nga ajo se në çfarë mase dhe deri në çfarë shkalle ai vendos sanksione dytësore ndaj vendeve dhe kompanive që ndihmojnë Rusinë, thanë analistët. /rel
FTESE PËR PJESEMARRJE Ne procedurën e tenderit/gares për dhënien/perzgjedhjen e shërbimit të qirasë për automjete të pablinduara, pa shoferë,...