A do ta anulojnë negociatat në Shtëpinë e Bardhë takimin e 7 shtatorit në Bruksel? - Gazeta Express
string(81) "a-do-ta-anulojne-negociatat-ne-shtepine-e-bardhe-takimin-e-7-shtatorit-ne-bruksel"

A do ta anulojnë negociatat në Shtëpinë e Bardhë takimin e 7 shtatorit në Bruksel?

Gazeta Express

14/08/2020 11:44

Bashkimi Europian kishte arritur t’i rikthejë në tryezën e bisedimeve Kosovën e Serbinë duke e mbajtur një takim në Bruksel më 16 korrik. Takimin Hoti -Vuçiq e kishte ndërmjetësuar Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell dhe Emisari Miroslav Lajcak, duke e lënë 7 shtatorin si datë të re kur palët do të shiheshin përsëri në kryeqendrën evropiane. Por, dje amerikanët kanë njoftuar se i kanë ftuar Kosovën e Serbinë në Washington më 2 shtator.

Shtëpia e Bardhë kishte planifikuar të ishte nikoqir i Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në përpjekje për t’i bindur palët që të arrijnë një marrëveshje historike, që kryesisht ndërlidhet me ekonominë. Por, gjithçka kishte rrënuar një njoftim nga Haga më 24 qershor, 3 ditë para takimit, ku bëhej e ditur se ka një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po atë ditë njoftoi se e anulon udhëtimin përtej Atlantikut. Në shenjë solidariteti, nga rruga ishte kthyer edhe kryeministri Hoti.

Lexo Edhe:

Kryenegociatorit Richard Grenell i janë dashur dy muaj të tjerë për të nxjerrë një datë të re.

“Jemi të lumtur të deklarojmë se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për negociata më 2 shtator”, ka shkruar sot në orët e hershme Grenell, sipas kohës evropiane.

Hoti e Vuçiq në takimin e parë të tyre kishin folur për çështjen e personave të zhdukur dhe me insistimin e palës serbe edhe për të zhvendosurit. BE-ja e ka ndryshuar taktikën e bisedimeve, duke bërë me dije se s’ka marrëveshje parciale derisa palët nuk pajtohen për secilën temë dhe nënshkruajnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Më pas Lajçaku i kishte organizuar edhe dy takime në nivel të ekspertëve një më 24 – 25 korrik dhe një tjetër më 30 korrik. Në Bruksel Lajçak e kishte takuar edhe asistentin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropë e Eurazi, Philip Reeker, të cilin po ashtu e kishte takuar edhe koordinatori Skënder Hyseni, i cili e ka përfaqësuar Kosovën në Bruksel në këto dy takime.

Në BE thonë se “e kanë marrë këtë njoftim” duke shtuar se mbështetja e SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja është e mirëseardhur.

“Kur bëhet fjalë për përfshirjen e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të pajohen për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre. Ne mirëpresim nismat që mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në këtë drejtim ne e kemi marrë njoftimin e ambasadorit Grenell”, tha për REL Nabila Masrali, zëdhënëse e BE-së për Politikë të jashtme dhe siguri.

Por, Richard Grenell në një intervistë për Gazetën Express të publikuar më 18 qershor kishte qetësuar evropianët duke thënë se SHBA-ja synon të arrijë marrëveshje vetëm për ekonominë.

“Janë dy faza të ndryshme për këtë. Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara në fazën ekonomike. Të gjitha çështjet politike janë çështje evropiane. Ajo vjen e dyta. Ajo nuk do të jetë e suksesshme dhe vizioni që e ndajmë me francezët dhe gjermanët është se ju nuk do të jeni të suksesshëm në çështjet politike pa krijuar vende pune për të rinjtë dhe pa krijuar normalizim ekonomik”, kishte thënë Grenell. /Express/