Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpenzuar miliona euro për projektin e ndarjes së Kosovës. Për këto deklarata të Abazit ka reaguar këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj
Behramaj ka shkruar në Facebook se Abazi është bërë si zgjebja.
“Me t’u ngjitë Haki Abazi është gati si me t’u ngjitë zgjebja. Pareshtur flet për ndarje, por si parazit i jashtëm nuk të ndahet dot pa e trajtuar. Ekziston një fatmirësi dhe një fatkeqësi në këtë mes. Efekti i llomotitjes së tashme të tij është i njëjtë me efektin e zgjebes dhe ka vetëm kruajtje dhe skuqje, që fatmirësisht lehtësisht kurohen”, ka shkruar Behramaj.
Këshilltari i Thaçit thotë se tani kur është kuptuar se s’do të ketë ndarje të shqiptarëve, po trumbetohet shpërbërja e Bosnje dhe Hercegovinës.
“Fatkeqësia është që shqiptarët gjithandej Kosovës dhe rajonit deri më tani ishin viktima të shqetësimeve publike për ndarje, që këta i kanë ngrehur me retorikën e tyre politike. Nëse nuk keni harruar janë pikërisht këta që dikur thirreshin në bashkimin e gjithë shqiptarëve. Ndërsa, tash kur shqiptarët u qetësuan dhe e kuptuan që vetëm bashkim mund të ketë – jo ndarje, risi na qenka përpjekja e tyre për t’i shqetësuar popujt e tjerë, duke e trumbetuar edhe shpërbërjen e Bosnje dhe Hercegovinës”, ka shkruar Behramaj.
Ai tutje thotë se për Abazin dhe kolegët e tij që dikur thirreshin në bashkim kombëtar nuk është për t’u çuditur nëse do të shqetësoheshin për ndarjen e Serbisë.
“Për Hakiun dhe kolegët e tij që dikur thirreshin në bashkimin kombëtar, nëse Lugina e Preshevës do bashkohej me Kosovën, nuk është për t’u çuditur më edhe sikur të shqetësoheshin për ndarjen e Serbisë!”, ka shkruar Behramaj në Facebook.
Ndërkohë Abazi në Facebook ka shkruar se rreziku për vendin po shkon duke u rritur, derisa ka përmendur projektin për ndarjen e Kosovës.
“Rreziku për vendin po rritet nga Thaçi që ka shpenzuar miliona euro për ta bërë ndarjen e vendit realitet. Dialogu pa strategji e me shumë gënjeshtra në Bruksel ka sjellë izolimin e Kosovës dhe ka ndalur njohjet”, ka thënë ai.
Ish-zëvendëskryeministri ka thënë se dialogu me këtë qeveri ia mundëson Serbisë që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë që ta përplasë Kosovën me shqiptarët në SHBA.
Abazi ka thënë se me 27 qershor fillon shpërbërja përfundimtare e Bosnjës dhe izolimi i shqiptarëve.
“Dialogu pa strategji e me qeveri ilegale në Ëashington DC ia mundëson Vucicit dhe Serbisë të kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe do ta përplasë Kosovën dhe shqiptarët me SHBA. Thaçi po e shpërfaq përfundimisht rolin e tij të shërbëtorit të Serbisë. Më 27 qershor fillon shpërbërja përfundimtare e Bosnje Hercegovinës dhe izolimi i shqiptarëve”, ka thënë Abazi./Express/