Të hënën më 27 maj, Billie Eilish e lansoi në rrjetet sociale një film të shkurtër me titull, “Not My Responsibility”.
Filmi i krijuar nga vet këngëtarja, fillimisht e kishte shënuar premierën në koncertin e parë të turneut të saj, “Where Do We Go?”, i cili zuri vend në fillim të vitit në Miami.
Ndërkaq, turneu është dashur të shtyhet për shkak të vendosjes së rregullave të distancimit social, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
I shoqëruar nga tingujt e muzikës elektronike në prapavi, filmi e shfaq Eilishin duke u zhveshur dalëngadalë, para se të zhytet në ujë. Këngëtarja e famshme gjithashtu është narratore e filmit, me ç’rast e përcjellë një mesazh të fuqishëm kundër komenteve negative rreth trupit të saj, transmeton Koha.
“A do të dëshironit të jem më e vogël? Më e dobët? Më e butë? Më e gjatë? A dëshironi të jem më e qetë? A ju provokojnë krahët e mi apo gjoksi im? A karakterizohem nga barku apo nga ijët?” Këto janë vetëm disa prej fjalëve që i thotë Eilish në filmin e saj.
Këngëtarja me të debutuar në skenën muzikore është komentuar shumë për dukjen e saj. Derisa shumica e këngëtareve të reja e shfrytëzojnë pamjen fizike për ta promovuar muzikën e tyre, Billie Eilish, ka zgjedhur ta bëjë të kundërtën duke veshur vetëm rroba të gjera, me arsyetimin se nuk dëshiron të seksualizohet nga kritikët dhe publiku i gjerë.
Në fillim të këtij muaji, Eilish e bëri të ditur lajmin se i ka shtyrë data e koncerteve të turneut botërorë, “Where Do We Go”. Ajo planifikohej të kthehej në Britani të Madhe në muajin korrik, për t’i realizuar disa performanca në qytete të ndryshme.