Nxënësit e cilave klasa mund të kthehen në shkollë për dy javë - Gazeta Express
string(64) "nxenesit-e-cilave-klasave-mund-te-kthehen-ne-shkolle-per-dy-jave"

Nxënësit e cilave klasa mund të kthehen në shkollë për dy javë

Gazeta Express

26/05/2020 11:26

Disa vende evropiane kanë filluar rihapjen e shkollave pas lehtësimit të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit.

Por, Kosova ende nuk ka një datë për rikthimin e mundshëm të nxënësve në bankat shkollore.

Lexo Edhe:

Që nga 11 marsi të gjitha institucionet arsimore vazhdojnë të mbesin të mbyllura. pasi institucionet ende nuk kanë nisur masa lehtësuese në arsim.

Në Ministrinë e Arsimit të Kosovës nuk kanë ende vendim nëse nxënësit do të kthehen në shkollë për të vazhduar pjesën e mbetur për këtë vit.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, thotë se është vështirë të parashikohet kthimi i nxënësve në shkolla.

“Tani ne jemi në këtë kohë duke menduar se si ta përmbyllim vitin, se si ta organizojmë testin e arritshmërisë dhe si ta organizojmë testin e maturës. Jemi duke bërë përpjekje maksimale se si t’i krijojmë kushtet që të paktën për dy javë të kthehen në shkollë klasat e nënta për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë, gjithashtu maturantët për t’u përgatitur për testin e maturës gjë e cila duket të jetë sfiduese sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ministrja Bajrami në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Njohësit e fushës së arsimit në Kosovë theksojnë se rihapja e shkollave duhet të bëhet duke u bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së si dhe praktikat e vendeve evropiane.

Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, thotë se Ministria e Arsimit duhet që të mendojë për një hapje të strukturuar të shkollave.

“Rifillimi i mësimit do të duhej të ishte subjekt i një vendimi të bazuar shkencor mbi transmetimin e sëmundjes nga grup moshat reja, kjo e paraqitur si rekomandim nga Instituti i Shëndetit Publik. Nëse është dëshmuar nga publikime shkencore dhe praktika të vendeve tjera, që transmetimi mes fëmijëve është i vogël, atëherë kjo duhet të jetë pikënisje e një hapje të strukturuar të institucioneve arsimore”, thotë Qehaja.

Gjasat e rikthimit të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme për të vazhduar vitin aktual shkollor janë të pakta për shkak se më 16 qershor përfundon viti mësimor për klasën e 9, 10 dhe 11 ndërkohë që viti mësimor për parafillorët dhe klasat 1 deri në 8 përfundon më 26 qershor.