Operacioni Forca e Ligjit I ka dërguar këtë të mërkurë formularin e deklarimit të pasurisë 4 personave në Fier.
Bëhet fjalë për Fredi Genicës, Sokol Muratin, Fatmir Kajollin dhe Sokol Genicën.
“Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– F. G., banues në Fier, pasi Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar me burg për veprën penale “Organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”;
– S. M., banues në Fier, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet italiane kanë lëshuar urdhrin e arrestit për kryerjen e veprës penale “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”;
– F. K., banues në Fier, pasi Gjykata Penale e Romës, Itali, ka vendosur dënimin e tij për veprën penale “Shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope”, ndërsa Gjykata Penale e Milanos, Itali, e ka dënuar për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale dhe shkelja e ligjit për narkotikët”;
– S. G., banues në Fier, i arrestuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotikëve”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”, njofton OFL.
Por dy prej emrave, Fatmir Kajolli e Sokol Genica nuk janë të panjohur për publikun. Kajolli është dënuar në Itali (Milano) për trafik droge me 16 vite burgim, teksa ky i fundit ka qenë këshilltar bashkiak në Bashkinë e Fierit.
Gjykata italiane e kapi mat Kajollin përmes disa përgjimeve dhe verifikimeve të kryera, ku u konstatua se ai ishte përfshirë në trafikun e drogës. Në njërën prej këtyre përgjimeve, Kajolli flet pikërisht me Sokol Genicën.
Prokuroria për Krime të Rënda vendosi në 2015 sekuestrimin e pronave të mëposhtme:
1. Tokë truall me sipërfaqe 4500 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 1700 m2, shitur nga Fatmir Kajolli shtetases Majlinda Çuko (Kajolli) në vlerën 900 mijë lekë.
2. Tokë pyll, me sipërfaqe 365.000 m2, blerë nga shtetasja Majlinda Çuko (Kajolli) me vlerë 60 milionë lekë (të reja).
3. Tokë pyll, në 5 parcela, me sipërfaqe totale 576.770 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona.
4. Tokë pa fryt, në 8 parcela, me sipërfaqe totale 177.600 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera.
5. Tokë arë, në 4 parcela, me sipërfaqe totale 138.400 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera.
6. Tokë jo produktive, me sipërfaqe 840.000 m2, e regjistruar në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera.
Gjithashtu, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive edhe për shoqëritë tregtare, si më poshtë
7. Shoqëria “CITADELLA”, Fier, regjistruar në emër të shtetases Majlinda Çuko (Kajolli), me aktivitet “Prodhime materiale ndërtimi, ndërtime të ndryshme, import-eksport, etj. Rritje, zënie dhe tregtim peshku”.
8. Shoqëria “ABA 2001”, Fier, regjistruar në emër të shtetases Majlinda Çuko (Kajolli), me aktivitet “Veprimtari private në fushën e pastrimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane. Si edhe Transport udhëtarësh brenda vendit”.
9. Shoqëria “International Parking 2011”, Fier, regjistruar në emër të shtetasit Florim Kajolli, me aktivitet “Veprimtari shërbimi, mbikqyrje dhe administrimi parkingu publik, si edhe bar-restorant-lavazh”.
TELEFONATA
1
Datë 16.8.1998, ora 09:12. Telefonatë ndërmjet Sokolit dhe Fatmirit
Fatmiri: Alo?
Sokoli: Po.
Fatmiri: Hë mo?
Sokoli: Kush je?
Fatmiri: Alo, Fatmiri jam.
Sokoli: Po ku je o grupi, ça po bën, si je ti?
Fatmiri: Mirë vllai.
Sokoli: Fëmijët, mirë i ke?
Fatmiri: Mirë, mirë.
Sokoli: Ore, e kupton se kush jam?
Fatmiri: Ore Sokol, ti je o vlla?
Sokoli: Po unë jam, Sokoli jam.
Fatmiri: Po ku je o vllai im?
Sokoli: Ça më thua ndonjë gjë ti?
Fatmiri: Je kthyer këtej ti?
Sokoli: Jo, në Itali jam.
Fatmiri: O vlla, po ça më thua ndonjë gjë?
Sokoli: Çdo gjë është shumë mirë.
Fatmiri: Vetë si je?
Sokoli: Po shtyhemi, të telefonova dhe mbrëmë unë po…
Fatmiri: Sa e ndeza telefonin unë. Ça më thua ndonjë gjë ti?
Sokoli: Po hiç, shtyhemi.
Fatmiri: Si i ke punët andej?
Sokoli: Si dyfek i lagur.
Fatmiri: …qesh ….Si the?
Sokoli: Akoma s’i kam në vijë punët, s’kemi fare nga ajo gjëja..
Fatmiri: Dëgjo
Sokoli: Po.
Fatmiri: Me…atë Lirimin…kam unë aty.
Sokoli: Si the?
Fatmiri: Kam unë për t’i dhënë Lirimit..e kam aty, e fitojmë të gjithë ndonjë
gjë.
Sokoli: Kush është Lirimi?
Fatmiri: Kush e ka atë djalin?….Ti e ke? …Ashtu më duket…e gjen?
Sokoli: Si ta gjej unë?
Fatmiri: Ke ndonjë muhabet në vijë ti?
Sokoli: Jo, s’kam gjë fare prandaj.
Famiri: Epo mirë se mbase ta gjej unë aty.
Sokoli: Për sa kohë e gjen ti?
Fatmiri: Që sot.
Sokoli: Po si e gjen?
Fatmiri: Ta gjej që sot. Më dëgjon?
Sokoli: Po.
Fatmiri: Ta gjej direkt.
Sokoli: Mos kërkojnë shumë ata?
Fatmiri: Neve sa na leverdis? Se nuk e kam nisur që këtej unë atë….për kokë të
kalamajve.
Sokoli: Si the?
Fatmiri: Neve si na leverdis më mirë?
Sokoli: Po tani….
Fatmiri: Dëgjo!
Sokoli: Po.
Fatmiri: Dëgjo, të betohem që e ke aty te vendi…e ke parasysh që shkon te vendi
dhe sa shkon?
Sokoli: Po, por ti fol njëherë se qysh e tek..
Fatmiri: Çfarë…
Sokoli: Fol njëherë vetë me të ti.
Fatmiri: Po.
Sokoli: Nga Republika Çeke e keni? Nga andej erdhi?
Fatmiri: Po, andej ka ardhur…që andej erdhi aty te ju…aty është tani.
Sokoli: Dëgjo.
Fatmiri: I kanë në makinë ata.
Sokoli: Kush është ai djali? Kush është ky? Avniu është ai?
Fatmiri: Nuk e di, të pyes njëherë ata se kush është…Më dëgjove vllai? Se
kështu…
Sokoli: Epo mirë. Që mos t’i hallakatim kot dhe ata. Na vijnë lekët një për
një, pastaj kur të pijmë kafen.
Fatmiri: O vllai, dëgjo pak, di gjë me sa e kanë lënë aty?
Sokoli: Hë, më thuaj.
Fatmiri: Se nuk fitoj asnjë lek unë, të betohem.
Sokoli: Po?
Fatmiri: Me 31.
Sokoli: Po vlla, ata kështu e kanë lënë.
Fatmiri: Të betohem ajo që shesim ne është….vij dhe unë dhe fitojmë të dy
ne…atë që…të them të vërtetën…të betohem që s’kam dërguar asnjë lek..
Sokoli: Jo re…..
Fatmiri: Dëgjo…ma kanë lënë kështu, se ishin vetë ata që e çuan dhe i bënë të
gjitha gjërat.
Sokoli: E kanë sjellë ata?
Fatmiri: Ça do ti të them unë tani?!
Sokoli: Ti ça po bën vetë njëherë?
Fatmiri: Mirë fare.
Sokoli: Ata nuk erdhën më ….kështu që…
Fatmiri: O vlla, për kë po thua ti?
Sokoli: Atë muhabetin e atij të UÇK-së…a ça dreqin ishte ai.
Fatmiri: Po re, kanë ardhur ata, i mbushën rrafsh dhe makinat.
Sokoli: Shyqyr!
Fatmiri: Dy makina i kam nisur unë.
Sokoli: Epo mirë.
Fatmiri: Dy tani, duhet të nis dhe nja dy të tjera.
Sokoli: Ata të Vlorës nuk kanë ardhur apo jo?
Fatmiri: Jo, ata s’u bënë më të gjallë.
Sokoli: Epo le të shkojnë të q…. Ata erdhën te unë dhe më kanë çarë k…
Fatmiri: …(qesh)…sa mirë bëre që…
Sokoli: Turi ça bën ndonjë gjë?
Fatmiri: Turi është yll fare, është në Republikën Çeke.
Sokoli: Ah.. po ai nuk na e bie dot këtu?
Fatmiri: Ata ma dërguan dhe mua… miqtë e Turit… ata ma sollën kështu..e ke
parasysh ti meqenëse s’ka pasur fare…kupton?
Sokoli: Epo mirë (bie linja)
TELEFONATA
2
Datë 16.8.1998, mes Sokol Genicës dhe Fatmir Kajollit
Fatmiri: Alo!
Sokoli: Më thuaj grupi.
Fatmiri: Dëgjo.
Sokoli: Po.
Fatmiri: Më thuaj çik atë lokalin që doni ju për ta takuar atë personin, se
vjen vetë t’u takojë ai.
Sokoli: Po?
Fatmiri: Hë pra? Thuaj ndonjërit aty që…se unë e ti s’i njohim mirë këto…
Sokoli: Ça the?
Fatmiri: Ne të dy se njohim fare vendin aty, prandaj më thuaj emrin e ndonjë
lokali apo ndonjë vendi aty…që të vijë të të takojë ai personi.
Sokoli: Po.
Fatmiri: Do të flasë me ty ai, me asnjë tjetër.
Sokoli: Po, dakord.
Fatmiri: Domethënë?
Sokoli: Domethënë do ta mbyllim këtë punë apo jo?
Fatmiri: Po re po, më thuaj atë vendin ku do takosh personin ti. Ku je ti tani?
Sokoli: Unë jam te ky hoteli “Gran Sasso”
Fatmiri: Çfarë..? Cili hotel..?
Sokoli: “Gran Sasso”. Alo.
Fatmiri: Një sekondë vlla… Gran Sasso?
Sokoli: Po te hoteli i Lamit.
Fatmiri: Ku është ky Lami?
Sokoli: Po…ore këtu është…po më mirë mos ta zgjasim shumë në telefon ne…vjen ai
dhe…tani vjen ai?
Fatmiri: Po.
Sokoli: Epo mirë.
fatmiri: Atëherë në ça vendi?
Sokoli: Këtu në Milano.
fatmiri: Mirë po flas me të direkt unë…ai ty do të kërkojë kur të vijë aty?
Sokoli: Po, s’ka problem fare se aty poshtë do jem unë.
Fatmiri: Se mund të vonohet një çikë ai…po telefonoj njëherë ata andej unë, se
e marrin ata në telefon, se unë s’kam kontakt me atë personin që është aty.
Sokoli: Shumë mirë.
Fatmiri: Mirë fare, hajde se të marr unë prapë. Mirupafshim vlla.
Sokoli: Ty kur të të marr në telefon unë?
fatmiri: Po do bëhet direkt tani kjo punë.
Sokoli: Epo mirë.
Fatmiri: Nja 100-150 bëj gati për ta ti….më kupton?
Sokoli: Prit një çikë se duhet të flas njëherë me ata…menjëherë…do e flas me
këta miqtë se nuk janë zgjuar akoma nga gjumi këta.
Fatmiri: Epo e bëjmë kështu…fol njëherë ti me ata.
Sokoli: Më lër mua se të marr andej nga dreka.
Fatmiri: Epo mirë.
Sokoli: Sot e mbyllim këtë punë apo jo?
Fatmiri: Do bëhet, si s’do bëhet.
Sokoli: Hajt mirupafshim!
Fatmiri: Zëre se është bërë, mirupafshim.
Sokoli: Mirupafshim!