Gjuha që vret - Gazeta Express
string(13) "gjuha-qe-vret"

Gjuha që vret

Gazeta Express

08/05/2020 10:50

Pjesa dërmuese e politikanëve në Kosovë është model i keq, i papërgjegjshmërisë për fjalën publike. Diskursi fyes e linçues i politikës s’ka se si të mos bartet edhe te militantët partiakë. Armiqësi, e jo rivalitet ka prodhuar politika ndër vite në Kosovë, gjë që po hakmerret tash me gjuhën kontaminuese. Gjuhën që vret.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Si rrallë ndonjëherë, gjuhë kontaminuese, fyese e linçuese po shpërndahet gjithandej në diskursin publik javët e fundit. Rrjetet sociale janë plot postime që ngjallin urrejtje e mosdurueshmëri ndaj partive të ndryshme politike, zyrtarëve partiakë e shtetërorë, përkrahësve respektivë partiakë e kujt jo tjetër.

Animoziteti ndërpartiak i kultivuar ndër vite ka shpërthyer në akuza e kundërakuza si asnjëherë më parë, teksa frustrimi në mesin e qytetarëve është rritur. Gjithë kjo për shkak të një klase të papërgjegjshme politike, e cila nuk zgjedh rrugë as mjete për të arritur qëllimet e veta. Kështu veproi edhe me shkaktimin e krizës politike në mesin e pandemisë, duke i acaruar edhe më shumë raportet edhe ashtu të tendosura ndërpartiake, por duke e rritur edhe pakënaqësinë në mesin e qytetarëve.

Nga gjuha fyese e linçuese më së shumti janë të atakuar zyrtarët e partive politike, por edhe militantë e simpatizues të tyre. Por, veçanërisht, nga kjo gjuhë nuk kursehen as gazetarë e opinionistë, të cilët denjojnë të shprehin haptas qëndrimet e veta. Në këtë mënyrë, sfera publike është kontaminuar aq shumë, sa që i ka lënë fare pak vend qasjes me mendje të ftohtë e argumentimit logjik.

Akuzat më të rënda i bëjnë militantët partiakë ndër vete. Ata me plot zell mbrojnë opcionet e tyre politike, të cilave iu përkasin. Por, ata janë produkt i qasjes së partive politike ndër vite dhe nuk mund të shihen si njerëz që paskan pikur nga diku me qëllimin e vetëm që ta sulmojnë ose denigrojnë kundërshtarin. Për vite me radhë partitë politike kanë promovuar e kultivuar gjuhë denigruese e nënçmuese për rivalët, sa që është e pamundur që kjo të mos bartet edhe tek simpatizantët e tyre.

* * *

Mjafton të merret shembull vetëm Kuvendi i Kosovës për të parë se në çfarë derexhe ka rënë institucioni përfaqësues i qytetarëve. Sharje e fyerje nga më të ndryshmet, sulme e akuza e kanë karakterizuar në masë të madhe këtë institucion, në vend se të prodhonte debat e zgjidhje për çështje të rëndësishme për qytetarët.

Ta quash dikë në Kuvend “hajn” e “kriminel” është kthyer, për fat të keq, në diçka krejt normale. Pra, deputetë të zgjedhur me votën e qytetarëve i japin të drejtë vetes që ta denigrojnë rivalin a rivalen politike duke përdorur të tilla akuza, thua se bëhet fjalë për diçka krejt të zakonshme. Siç është kthyer në diçka të zakonshme të fyhen e denigrohen gratë deputete nga kolegët e tyre burra.

Nëse deputetët, politikanët në përgjithësi përdorin një diskurs të tillë, është utopike të presësh se kjo gjuhë nuk do të bartet jashtë sallës së Kuvendit, në rrjetet sociale sidomos, por edhe në hapësirën tjetër të komunikimit publik. Modelet që shfaqin sot pjesa dërmuese e politikanëve në Kosovë janë modele të këqija, të cilat nuk do të duhej në asnjë mënyrë të përbiheshin me lehtësi madje as nga militantët partiakë. Janë modele të papërgjegjshmërisë për fjalën publike, modele të bëjes së prokurorit dhe gjyqtarit për këdo që mendon ndryshe. Janë modele të politikanëve që janë zgjedhur nga një shoqëri me shumë probleme për t’i zgjidhur ato, por që besimin e dhënë e keqpërdorin për kauza individuale e partiake, pa zgjedhur gjuhën që flasin e mënyrën se si i thonë gjërat. Janë modele që nuk e kanë fort dert që, në mënyrën se si e zhvillojnë debatin publik, munden jo vetëm të lëndojnë. Sepse, një fjalë thotë, gjuha vret.

* * *

Sot me lehtësi të padurueshme në rrjetet sociale etiketohet kushdo që një grup mendon se nuk ka të drejtë. Me po të njëjtën lehtësi iu vizatohen njerëzve në ballë shënjestra për qitje armësh dhe iu dërgohen mesazhe të qarta kërcënënuese. Brenda ditës mund të bëhet dikush hero, e tjetri tradhtar, varësisht nga disponimi i militantëve të partive. Brenda ditës mund të thurren lloj-lloj teorish konspirative për rivalë politikë dhe jo vetëm. Brenda ditës mund të krijohen lista “mercenarësh” e “tradhtarësh”, “të paguarish” e “të shiturish” varësisht nga këndvështrimi i partive politike dhe mbështetësve të zjarrtë të tyre.

Përveç denigrimit të tjetrit, ky diskurs synon të zvogëlojë hapësirën për të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe mendojnë lirshëm, jashtë kornizave që dëshirojnë partitë politike. Ky diskurs i rrezikshëm ka për qëllim t’i heshtë zërat ndryshe.

Ky diskurs, kjo gjuhë duhet të marrë fund sa më shpejt dhe kontributin kryesor duhet ta japin partitë politike me thirrjet dhe veprimet për qetësi. Edhe organet tjera përkatëse duhet ta kryejnë punën si duhet. Përndryshe, ekziston rreziku që beteja në rrjetet sociale të bartet në shtëpi, rrugë e kudo tjetër dhe pasojat mund të jenë të mëdha.